Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova do të mbërrijë sot në Kosovë, në një vizitë deri më 14 maj. Policia e Kosovës tha se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, në disa segmente rrugore “për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillim të aktiviteteve”.
“Me këtë rast, Policia e Kosovës, në bashkërendim me autoritetet kompetente ndërkombëtare, gjatë kësaj vizite, e cila realizohet në Republikën e Kosovës, do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas këtij njoftimi, ndërprerjet do të jenë në intervale të shkurta kohore.
Për këtë vizitë kanë njoftuar edhe Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kryetarja e Gjykatës Speciale do të mbajë një konferencë për media të martën, më 13 maj, në hotelin Sheraton në Prishtinë.
Sipas njoftimit të gjykatës, në takim nuk do të lejohen kamera por do të ketë transmetim të drejtpërdrejt për mediat që duan ta përcjellin takimin.