Kosova pa Kuvend të ri edhe pas përpjekjes së 21-të

Aktuale

Kosova pa Kuvend të ri edhe pas përpjekjes së 21-të

Më: 25 maj 2025 Në ora: 07:04 Përditësuar në ora: 11:29 më 25.05.2025
Salla e seancave e Kuvendit të Kosovës.

Kosova pa Kuvend të ri edhe pas përpjekjes së 21-të

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të dielën – për herë të 21-të radhazi – ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Dështimi për ta bërë Kuvendin e ri ka zhytur vendin në një ngërç politik duke e lënë atë edhe pa qeveri të re, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.

Dështimet e njëpasnjëshme po ndodhin pavarësisht thirrjeve nga brenda dhe jashtë vendit për të lëvizur përpara me krijimin e institucioneve.

Të dielën, ligjbërësit refuzuan për të trembëdhjetën herë rresht ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.

Çështja e votimit të fshehtë – që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post – është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, të dielën, ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Seanca konstituive do të vazhdojë të martën e 27 majit.

Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.

Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.

Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.

Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.

Më 15 maj, pas një takimi të thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësues të partive politike, Osmani tha se nuk pati pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se kishte parë një “disponim minimal” tek liderët partiakë për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Kurti ka thënë më 20 maj se gjatë procesit të formimit të qeverisë, do të jetë i gatshëm për kompromise dhe koncesione.

Kurti përmendi si partnerë të mundshëm pakicat, si dhe Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt.

Gjatë javës, Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas - e cila vizitoi Prishtinën për herë të parë të enjten – u bëri thirrje partive parlamentare të bashkëpunojnë për ta zhbllokuar ngërçin politik në vend.

Po ashtu, disa organizata të shoqërisë civile në vend i bënë thirrje partive "të arrijnë një marrëveshje që i jep fund bllokadës".

Ato thanë se kriza institucionale me bllokimin e konstituimit të Kuvendit "ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik dhe institucional të vendit".REL

​VLEN nga Maqedonia e Veriut mundohet me ia kthyer borxhin LVV-së

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj tha se nuk kanë ndikim në votën e deputetit goran, Adem Hoxha dhe as të deputetes boshnjake, Duda Balje.

Kjo e fundit, ditë më parë ka thënë se është telefonuar nga Maqedonia e Veriut dhe se i është thënë që mund të punësohet si profesoreshë në këmbim të votës për kryeparlamentare.

Kadrijaj para gazetarëve tha se “kanë aktivizuar miqtë nga VLEN” për konstituim të kuvendit.

Kadrijaj: Kanë aktivizuar miqtë nga VLEN

“Ka pasur edhe të Duda Baljes, sepse janë deklaruar vet se kanë aktivizuar miqtë edhe nga VLEN nga Maqedonia e Veriut, sepse në fakt iu kanë borxh sepse edhe këta iu kanë ndihmuar që të vijnë në pushtet. Janë qëndrime individuale të deputetëve, secili deputet vendos individualisht. Ne nuk kemi as ndikim tek Adem Hoxha, por nuk kemi ndikim as te Duda Balje. Këta janë deputetë, kanë qëndrimet e veta, e dinë pse nuk po bashkëpunojnë me LVV-në dhe i keni parë edhe deklaratat e tyre të cilat kanë qenë të qarta”, u shpreh ajo.

Kadrijaj tha se kanë dhënë alternativa dhe emrat e kandidatëve të cilat do të kishin marrë votat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kadrijaj: S’po presim asnjë ndryshim

“S’po presim asnjë ndryshim, ndryshimi mundet me ardh vetëm prej Lëvizjes Vetëvendosje nëse e ndryshon kandidatin ose e ndryshon qasjen me u heq prej kësaj praktike për ndryshimin e formës së votimit, ndryshimi i kandidatit besoj që do të ishte një zgjidhje dhe zgjidhje e këtij ngërçi që është krijuar në Kuvendin e Kosovës”, shtoi Kadrijaj.

Seanca është planifikuar të fillojë në orën 11:00. 

“Jo votimit të fshehtë” – Qalaj thotë se PDK s’do të bëjë asnjë veprim antikushtetutes

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka deklaruar se nuk pret ndonjë ndryshim as në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Qalaj ka thënë se nuk marrin pjesë në votim për shkak se është veprim kundërkushtetues.

“Nuk marrim pjesë në votim për shkak të një veprimi kundërkushtetues dhe kundër rregullores së Kuvendit. Qasja e qeverisë për imponimin e një votimi të fshehtë është në kundërshtim edhe me qëndrimet që kemi si deputet”, tha ai.

Deputeti i PDK-së theksoi se do të jenë pjesë e iniciativave për zhbllokim të kësaj situate, por asnjëherë nuk do të bëjnë veprime kundërkushtetuese.

“Ne në vazhdimësi jemi duke marrë pjesë në çdo iniciativë edhe në takimin e presidentes, dhe kushdo që ndërmerr iniciativë do të jemi prezent dhe do të bëjmë përpjekje për të zhbllokuar këtë situatë por asnjëherë nuk do të ndërmarrim veprime kundërkushtetuese”, tha Qalaj.

Rexhepi: Jemi të gatshëm edhe për zgjedhje

Sot është senaca e Kuvendit të Kosovës.

Zëvendëskryeministrja në detyrë Emilja Rexhepi, sot para mediave ka thënë se opsion janë edhe zgjedhjet.

Deklaratën e bëri para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Kujtojmë, se sot është tentativa e 21-të.

Bahtiri: Vetëvendosje e gatshëm të japin kontribut për të zhbllokuar këtë situatë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Agim Bahtiri ka folur për tentimin e 21-të për konstituimin e Kuvendit.

Para mediave ai ka thënë se Vetëvendosje është gjithmonë e gatshme për zhbllokimin e kësaj situate.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm të japin kontribut për të zhbllokuar këtë situatë që e kemi.

Ne jemi qdo herë pro, nuk kemi zhbllokues, duhet me ditë kush është bllokues”, tha Bahriti.

Sot përpjekja e 21-të për konstituimin e Legjislaturës së Kuvendit

Deputetët e zgjedhur më 9 shkurt do të mblidhen sërish sot në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen e 21-të për konstituimin e Legjislaturës së nëntë.

Deputetët pritet të mblidhen nga ora 11:00 për të vazhdimin e 21 me radhë të seancës, në përpjekje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe të premten ka dështuar përpjekja e 20-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sërish nuk u arrit të formohet komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Kryesuesi i seancës kërkoi serish nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, që ta bëjnë këtë. Propozime nuk pati.

Kryesuesi procedoi me votimin e komisionit me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, për të cilin votuan 53 deputetë, ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.

Derisa dështimi për konstituimin e Kuvendit po përsëritet, partitë politike vazhdojnë të kritikojnë njëra-tjetrën për bllokadën politike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat