Kryeministria zbardh diskutimin mes Kurtit dhe Hamzës në Mitrovicë

Aktuale

Kryeministria zbardh diskutimin mes Kurtit dhe Hamzës në Mitrovicë

Më: 9 qershor 2025 Në ora: 13:47 Përditësuar në ora: 18:45 më 09.06.2025
Foto nga takimi

Vizita te Hamza e Atiq, Kurti: Folëm për bashkëpunimin qeveri-komunë dhe projektet e përbashkëta

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shkruar lidhur me vizitën që ka zhvilluar sot në Mitrovicë të Jugut dhe të Veriut, ku është takuar me kryetarët Bedri Hamzën dhe Erden Atiq.

Kurti ka thënë se me ta ka diskutuar për bashkëpunimin qeveri-komunë dhe rëndësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta.

“Në Mitrovicë të veriut dhe të jugut, me kryetarët Erden Atiq dhe Bedri Hamza, biseduam për bashkëpunimin qeveri-komunë dhe rëndësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta.

Këto dy komuna janë më pranë njëra-tjetrës se kurrë më parë, duke punuar tashmë për të fuqizuar gjithëpërfshirjen dhe mirëqenien qytetare.

Shpreha mbështetjen për të punuar bashkë dhe jetësuar sa më shumë projekte e nisma në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Vizita e sotme rastisi dhe në ditëlindjen e kryetarit Erden Atiq, të cilit i uruam jetë të gjatë, shëndet të plotë e shërbim me integritet të lartë", ka shkruar Kurti.

Kurti viziton Mitrovicën e Veriut dhe të Jugut, takon kryetarët Atiq e Hamza

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin Elbert Krasniqi, zhvilloi sot takime të ndara me kryetarin e Mitrovicës së veriut, Erden Atiq, dhe atë të Mitrovicës së jugut, Bedri Hamza.

Në veri, Kurti u njoftua për projektet zhvillimore dhe shërbimet komunale, ndërsa në jug diskutoi me Hamzën për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe avancimin e iniciativave që përfitojnë qytetarët.

Njoftimi nga Zyra e Kryeministrit:

Mitrovicë e jugut dhe Mitrovicë e veriut, 9 qershor 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, takoi sot në zyrat e tyre respektive kryetarin e Mitrovicës së veriut, Erden Atiq dhe kryetarin e Mitrovicës së jugut, Bedri Hamza.

Ai fillimisht u mirëprit nga kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq nga i cili u njoftua për punën e deritanishme dhe realizimin e projekteve që sjellin zhvillim ekonomik dhe shërbime efikase në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Pas takimit me kryetarin Atiq, kryeministri u mirëprit nga kryetari i Komunës së Mitrovicës së jugut, Bedri Hamza, me të cilin diskutuan rreth bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror edhe atij komunal dhe shtyrjen para të nismave e projekteve nga të cilat përfiton komuna dhe qytetarët e saj.

Kurti del nga takimi, Bedri Hamza e përcjellë deri te xhipat e zi

Ka përfunduar takimi i kryeministrit në detyrë Albin Kurti me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Albin Kurti i shkoi sot pasdite në zyrë në Komunën e Mitrovicës, Bedri Hamzës.

Deri më tani nuk ka pasur ndonjë informacion zyrtar lidhur me këtë takim dhe sapo të ketë, KosovaPress do t’iu mbajë të informuar.

Ndryshe, sot për të 29-ën herë me radhë ka dështuar të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Të gjitha vazhdimet e deritanishme të seancës konstituive qysh nga data 15 prill kanë dështuar, pasi Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.

Vazhdimet e seancës konstituive nuk po zgjasin shumë, pasi tentimi i tri partive Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa për formimin e komisionit për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë po dështon në votim.

Tentimi për votim të fshehtë nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa vjen pasi Albulena Haxhiu gjashtë herë ka dështuar të merr gjashtëdhjetenjë (61) votat e nevojshme.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA janë kundër Albulena Haxhiut për kryeparlamentare dhe po ashtu kundër votimit të fshehtë që po kërkojnë Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.

Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka dërguar për interpretim në Kushtueses mënyrën e votimit të fshehtë.  

 

Albin Kurti takohet me Bedri Hamzën

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po zhvillon një takim deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Takimi po vazhdon në zyrën e Hamzës në Komunën e Mitrovicës.

Ende nuk janë dhënë detaje zyrtare nga takimi.

 Por lëvizja e Kurtit shihet si një hap drejt zbutjes së tensioneve politike dhe funksionalizimit të institucioneve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat