Kurti homazhe te Rugova e Demaçi në 26 vjetorin e çlirimit

Aktuale

Kurti homazhe te Rugova e Demaçi në 26 vjetorin e çlirimit

Më: 12 qershor 2025 Në ora: 11:10
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bashkë me ministren në detyrë të Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, e ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla , në 26 vjetorin e çlirimit kanë bërë homazhe tek varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Kreu në detyrë i qeverisë, tha se presidenti historik Ibrahim Rugova ishte një kontribuues i madh për unitetin popullit e ndërkombëtarizimin e Kosovës dhe çështjes kombëtare.

Ndërkohë, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se është e natyrshme që vizita e parë në këtë ditë bëhet pikërisht tek varri i ish-presidentit Rugova.

Ajo tha se, Dita e Çlirimit të Kosovës, është ajo ditë për të cilën punuan, luftuan e sakrifikuan gjenerata të tëra.“Është  natyrshme që vizita e parë në këtë mëngjes bëhet te varri i presidentit Rugova, vizioni i të cilit, Kosova e lirë e pavarur, demokratike qëndron në themelet e shtetit të cilin vazhdimisht punojmë ta forcojmë e të ofrojmë një perspektivë sa më të mirë të gjithë qytetarëve të saj”, deklaroi ajo.

Gërvalla, shtoi se gjaku i derdhur për vendin duhet të jetë udhërrëfyes për secilin që merr përgjegjësi publike. “Ky shtet meriton të jetë edhe më i fortë edhe më i përparuar”, tha ajo.

Më pas, lule të freskëta u vendosën edhe te varri i veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

“Baca Adem, Adem Demaçi kur pati dalë nga burgu, pati thënë ‘dola nga një burg i vogël në burgun e madh’, sepse ishim në regjimin e egër të Serbisë, një regjim shovinist. Dita e çlirimit është dita e një thyerje të një burgu të  madh sepse u çlirua populli e po tërhiqeshin forcat policore e ushtarake serbe. Vumë lule të freskëta te varri i bacës Adem, si simbol i  rezistencës tonë dhe si një veprimtar i paepur që nuk u kursye asnjëherë dhe dha gjithçka”, tha Kurti.

Në këtë përvjetor çlirimi, homazhe do të ketë edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat