Kuvendi dështon për herë të 41-të, opozita vazhdon ‘seancën’, nuk largohen nga salla e kuvendit

Aktuale

Kuvendi dështon për herë të 41-të, opozita vazhdon ‘seancën’, nuk largohen nga salla e kuvendit

Më: 3 korrik 2025 Në ora: 06:52 Përditësuar në ora: 11:50 më 03.07.2025
Foto nga vendi i ngjarjes

Tahiri: A duhet ta lejojmë largimin e qytetarëve nga Kosova?

Pas ndërprerjes së seancës së 41-të konstituive, deputetët e ish-opozitës, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë vazhduar të qëndrojnë në sallën e Kuvendit.

Aty u deklarua edhe deputeti Abelard Tahiri, i cili tha se vendi ka nevojë sa më parë që të konstituohet Kuvendi dhe Qeveria.

Tahiri tha se tani më shumë se kurrë vendit i duhet një hetim i thellë në sektorin e energjisë.

“Energjia nuk është lluks. Energjia është nevojë për secilin qytetarë. Sot kostoja e energjisë po bëhet e papërballueshme. Në situatën në të cilën po jetojmë, qytetarët e kanë vetëm një rrugëdalje, vetëm largimin nga Kosova. A mund ta lejojmë këtë”, deklaroi ai.

Seanca “nuk mbaron”, Bajrami flet nga foltorja e Kuvendit: Do t’i drejtohemi prapë Kushtetueses

Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike të Kosovës ka thënë se Kuvendi i Kosovës është bllokuar sepse siç tha ajo duke iu referuar VV-së tha se “dëshirojnë të punojnë pa legjitimet”.

“E keni parë sot për të 34 herë me radhë qitet në votim një komision i cili nuk është në rend dite. Tashmë e kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili thotë kryesuesit të Kuvnedit, kryesuesit të seancës që duhet me respektuar në mënyrë taksative”.

“Kjo është shkelje e Kushtetutës tanimë me vetëdije nga Avni Dehari, që është shndërruar në një instrument të Albin Kurtit, të Vetëvendosjes. Ne do të detyrohemi t’i drejtohemi prapë Gjykatës Kushtetuese, por kësaj here me një kërkesë të qartë, që nuk kemi të bëjmë me njerëz normal, me njerëz që dinë me i lexuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, shtoi aj.

PDK, LDK e AAK vazhdojnë ‘seancën’, nuk largohen nga salla e kuvendit

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, kanë vazhduar të qëndrojnë në hapëirat e Parlamentit, anise kryesuesi i mbylli seancën e sotme.

Mbyllja e saj shënoi edhe dështimin e tentativës së 41 për konstituim të legjislaturës së nëntë.

Përveç deputetëve të PDK-së, edhe ata të LDK-së e AAK-së, kanë vazhduar të qëndrojnë në sallë.

Sipas njohësit të politikave, Rrahman Paçarizi shkaku mund të jetë vetëm nëse deputetja më e re e kuvendit, mund potencialisht të mbajë një seancë.

Kuvendi dështon të konstituohet për herë të 41-të

Për të 41-tën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet.

Seanca zgjati sërish vetëm pak minuta dhe udhëheqësi i saj, Avni Dehari, i ftoi deputetët të mblidhen sërish pas 48 orësh, të shtunën, më 5 korrik.

Seanca e thirrur për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të vazhduar me hapat e tjerë të konstituimit nuk pati sukses, për shkak të mungesës së pajtueshmërisë ndërmjet partive politike rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Prej kohësh, partitë më të mëdha kanë kundërshtuar propozimin e Vetëvendosjes që Haxhiu, aktualisht ministre në detyrë e Drejtësisë, të zgjidhet në krye të Kuvendit.

Ato e kanë cilësuar Haxhiun si figurë jounifikuese dhe i kanë kërkuar Vetëvendosjes, si fituese e zgjedhjeve, të propozojë një emër tjetër.

Pavarësisht kësaj, Vetëvendosje ka refuzuar të bëjë një ndryshim, duke thënë se propozimi i emrit të kryetarit është e drejtë ekskluzive e fituesit të zgjedhjeve.

Katër muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të funksionojë pa institucione të reja, ndërsa afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i riinterpretuar nga Gjykata Kushtetuese, po shkon drejt përfundimit.

Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar disa takime me liderët politikë për të gjetur një zgjidhje, por përpjekjet e saj ende nuk kanë prodhuar një marrëveshje për zhbllokimin e procesit.

Rezultat nuk dha as takimi i 28 qershorit mes liderëve politikë, i thirrur nga kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Njohësit e çështjeve juridike tërheqin vërejtjen se, nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda afatit të përcaktuar, mund të hapet rruga për një krizë edhe më të thellë kushtetuese dhe politike./REL

Avokati Koci me gomarë proteston para Kuvendit!

Para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës sot janë parë disa gomar, të cilët janë sjellë si pjesë e një proteste simbolike nga avokati Arianit Koci dhe një qytetar tjetër.

Përmes këtij veprimi, protestuesit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj vonesave në konstituimin e Kuvendit dhe të institucioneve të reja pas zgjedhjeve.

Tentimi i 41-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Deputetët do të tentojnë për herë të 41-të, sot në orën 11:00 të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Ndryshe të martën ka vazhduar punimet seanca konstituive e Legjislaturës IX të Kuvendit.

Kryesuesi Dehari kërkoi nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, që ta bëjnë këtë. Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 51 deputetë, ndërsa kundër dhe abstenim nuk kishte.

Në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, kryesuesi Dehari ndërpreu seancën për sot, duke paralajmëruar vazhdimin e saj të enjten, më 3 korrik, në orën 11:00.

Nga zhvillimet e tjera poltike, dje Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mbajti takime konsultative me liderët e Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, subjektet e tjera i takon ditëve në vijim.

Ky cikël të ri konsultimesh është bërë lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO 124/25.

Takimet e para janë mbajtur me Kryeministrin në detyrë, njëherësh, kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Osmani u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit.

Po ashtu Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dje priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati. Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në ciklin e ri të konsultimeve me partitë politike lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO124/25.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat