Pas dështimit të seancës së 46-të të konstituimit të Kuvendit, edhe kësaj radhe partitë e tjera, PDK, LDK e AAK-ja kanë shfrytëzuar foltoren e Kuvendit për t’i dhënë qëndriumet e tyre lidhur me krizën politike në vend.
Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku tha se që nga pavarësia e Kosovës, Kosova asnjëherë nuk është përballur me një papërgjegjësi kaq të madhe institucionale, e krejt kjo sipas tij, si pasojë e egos së pa kontrolluar për pushtet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Demaku: Kurti ka ego të pakontrolluar për pushtet absolut
“A shihni si vijnë e shkojnë sikur ua ka borxh ky vend, kemi një lloj arrogance e shpërfillje. Kjo vjen si rezultat kur u jepet mundësia atyre që në fakt nuk kanë asnjë kontribut dhe rrjedhimisht as nuk mbajnë përgjegjësi për shtetin...Prej pavarësis,ë asnjëherë më parë Kosova nuk është përballur me një papërgjegjësi kaq të madhe institucionale, sikurse tani duke vënë në dilemë aftësinë tonë shtetndërtuese, krejt kjo si pasojë e kryengritësisë dhe egos së pakontrolluar për pushtet absolut nga Kurti, i cili është bërë shembulli më i referuar për premtime manipulative me synimin e vetëm t’i mbajë votuesit të cilët i ka kualifikuar si analfabet funksional”, tha Demaku.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj shtoi se fakti që fjalimet e deputetëve po mbahen pa mikrofon, regji e rekordim zyrtarë nga Kuvendi, tregon se institucioni që duhet të jetë tempull i demokracisë, është sot pasqyrë e një krize të thellë politike që po dëmton funksionimin demokratik të shtetit.
Zemaj tha se kjo është një sabotim i qëllimshëm i shtetit nga LVV-ja.
Zemaj: Sabotim i qëllimshëm i shtetit dhe demokracisë
“Fakti që kjo fjalë po mbahet pa mikrofon, regji dhe rekordim zyrtarë nga kuvendi, tregon shumë. Tregon se institucioni që duhet të është tempull i demokracisë, është sot pasqyrë e një krize të thellë politike që po dëmton funksionimin demokratik të shtetit tonë. 46 seanca parlamentare pa sukses e me bllokadë, është ikje nga përgjegjësia e LVV-ja për të gjetur mundësinë e bashkëpunimin për të mos lejuar që kjo bllokadë të vazhdoj. Ky është sabotim i qëllimshëm i shtetit dhe demokracisë, ajo nuk kërkon një qeveri të re.. Këtu brenda kur të hynë i duan të gjithë, pa përjashtim edhe votat e fshehta të Listës Serbe, ndërsa këtu dhe jashtë refuzojnë ta pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Zemaj.
E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se më 26 korrik bëhen një muaj nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituim të Kuvendit, ndërsa LVV-ja sipas saj, nuk ka angazhim as ditorë, javorë e mujorë për të konstatuar Kuvendin e Kosovës.
Kadrjaj theksoi se kjo po bëhet qëllimshëm për bojkot të konstituimit të Kuvendit të Kosovës nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kadrijaj: LVV ka qëllim dhe angazhim për bojkot të konstituimit të Kuvendit
“Këtu në sallë kemi ngelur vetëm deputetët e ish opozitës, ndërsa të gjithë tjerët e kanë braktisur këtë sallë në mënyrë që të mos ballafaqohen me realitetin. Më datë 26 është data kur bëhen një muaj e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ne po e shohim çfarë angazhimi ka LVV-ja, nuk a as ditore, javore e mujore, në vend që t’i rriten numrat për komisionin, ne kemi pasur vetëm 43 vota që kanë qenë për. Kjo po shihet qëllimi dhe angazhimi i LVV-së për bojkot të konstituimit të Kuvendit të Kosovës’, tha Kadrijaj.
Sot ka dështuar seanca e 46-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, me 43 vota për komisionin për votimin e fshehtë, zero vota kundër e zero abstenim.
Seanca e radhës do të mbahet të martën, më 15 korrik, në orën 11:00.