Deputetët dështojnë ta konstituojnë Kuvendin sipas afatit të Kushtetueses

Aktuale

Deputetët dështojnë ta konstituojnë Kuvendin sipas afatit të Kushtetueses

Më: 26 korrik 2025 Në ora: 07:28 Përditësuar në ora: 23:44 më 26.07.2025
Kuvendi i Kosovës

Abdixhiku i kërkon Kurtit të respektojë ligjin

Pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të respektojë ligjin.

Nga foltorja e Kuvendit, Abdixhiku theksoi se gjuha e përplasjes dhe imponimit duhet të marrë fund. Sipas tij, në politikë të gjithë janë kalimtarë, por disa lënë gjurmë. Ai shtoi se mund të jenë edhe vetë politikat e tyre të gabuara që kanë kontribuar në rritjen e populizmit.

Abdixhiku ka thënë se ai bashkë me anëtarët tjerë të kabinetit qeveritar po e mbajnë edhe postin e deputetit, por edhe pozitat në Qeveri. 

“Unë dhe LDK-ja e kemi shumë të qartë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet respekto vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të garanton qartë jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë për të krijuar shumicë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet respekto vendimin e prerë të Gjykatës Supreme që të ndalon ty, ministrat e tu dhe të gjithë kabinetin të jeni në të njëjtën kohë deputetë dhe anëtarë të qeverisë. Je uzurpator i institucioneve të shtetit tash me vendim të Gjykatës Supreme dhe po qëndron aty vetëm e vetëm sepse ky vend ende nuk është i pjekur që të ketë një prokurori dhe një polici që ia ndalon të bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Abdixhiku në fjalimin e tij pas dështimit të 54-t të vazhdimit të seancës për konstituimin e Kuvendit.

Limaj pret nga Kushtetuesja që të ndihmojë në krijimin e institucioneve

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se pas dështimit të marrëveshjeve politike për konstituimin e Kuvendit, tashmë pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas tij duhet të japë udhëzime të qarta për pasojat juridike dhe hapat e mëtejshëm.

“Nuk i shfrytëzuam marrëveshjet politike. Tani presim që Kushtetuesja të marrë vendimin për udhëzimet dhe pasojat juridike të këtij procesi. Ne kemi kontribuar për të ndihmuar në zhbllokim. Kjo tani është çështje e mbyllur dhe jemi në një realitet të ri”, ka thënë Limaj pasi dështoi përpjekja e 54-t për konstituim.

Ai shtoi se pret që Gjykata Kushtetuese të marrë parasysh interesin publik e shtetëror dhe të ndihmojë që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi dhe Qeveria.

“Jam i bindur se Kushtetuesja do të udhëzojë legjislativin që të mos përsëritet kjo situatë dhe të zgjidhet një herë e mirë çështja e konstituimit”, deklaroi Limaj.

Vendimi i Kushtetueses pritet deri më 8 gusht – kur përfundon afati i masës së përkohshme që u ndalon deputetëve të marrin vendime.

Murati: Po tentohet të ndryshohet rezultati zgjedhor përmes manovrave

Pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, deklaroi se nuk është mbajtur asnjë seancë për votimin e komisionit për votim të fshehtë.

Ai fajësoi ish-opozitën për këtë bllokadë, duke theksuar se VV-ja ka propozuar që të arrihet një dakordim mes kryetares dhe nënkryetares së Kuvendit, por sipas tij, kjo është refuzuar nga opozita.

Murati theksoi se po tentohet të ndryshohet rezultati zgjedhor përmes manovrave.

Ai ka thënë se deputetët e ish-opozitës po refuzojnë të kryejnë obligimin kushtetues.

”Me keqardhje, deri në orët e fundit, pavarësisht përpjekjeve, shtysës tonë të krijohen institucionet, s’patëm sukses. E pamë që deputetët e opozitës sërish refuzuan të kryejnë obligimin e tyre kushtetues, që të votojnë. Nuk u është dhënë shansi deputetëve përmes votimit të fshehtë të krijoheshin institucionet e vendit”, u shpreh Murati.

Tre muaj huq, Kuvendi s’konstituohet as në seancën e natës

Deputetët kanë dështuar të konstituojnë kuvendin edhe në seancën e fundit para hyrjes në fuqi të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Kjo ka qenë përpjekja e dytë brenda një dite, ku sërish është hedhur në votim komisioni për votim të fshehtë, e cila nuk mori mbështetjen e partive të opozitës së deritashme. Deputetëve të këtyre partive politike u është ndaluar mikrofoni, teksa të njëjtit kanë vazhduar fjalën e tyre duke u përplasur me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në sallë kanë qenë të pranishëm 103 deputetë.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku kërkoi nga kryesuesi i seancës konstiutive, Avni Dehari që të kthehet në rendin e ditës.

Çitaku: Imagjinojeni sikur mjekët të mos paraqiteshin në vendin e punës

Çitaku: Imagjinonojeni sikur mjekët, infermierët, mësuesit, policët të mos paraqiteshin në vendin e punës...

Dehari: Regjia le të ndërpres mikrofonin, mos të keqpërdoret rregullorja, nuk ka debat në seancën konstituive. Themelojeni seancën, pastaj edhe thirrni sa të doni.”

Edhe deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami i është ndalur mikrofoni, edhe pse ajo e vazhdoi fjalën e saj duke u përplasur me deputetët e LVV-së.

Bajrami: Mundesh menjëherë me ma ndal mikrofonin

“Kryesues mundesh menjëherë me ndal mikrofonin. Seriozisht, 44 herë deputetët kanë thënë jo për votim të fshehtë. Ju jeni frikacak. 44 herë ju kemi thënë jo. 102 ditë Kosova nuk ka kuvend, nuk ka qeveri. A e dini kush po punon? Tenderat njëburimor...”, ka thënë ajo.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari tha se po e ndërpren seancën pa konstituim të Kuvendit.

Dehari: Deri në një vendim tjetër të Gjykatës Kushtetuese, po e ndërpres seancën

“56 deputetë kanë votuar për, kundër nuk ka, abstenim nuk ka. Të nderuara deputete, të nderuar deputetë, të nderuar të pranishëm, me gjitha përpjekjet e mia me qëllim të konstituimit të Kuvendit, për shkak të mungesës së vullnetit të deputetëve, nuk u arrit konstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Meqë tahsmë kemi një vendim nga Gjykata Kushtetuese, për vendosjen e masës së përkohshme e cila hyn në fuqi me 27 korrik deri më 8 gusht, siç thotë edhe vendimi ndalohet çfarëdo veprimi apo vendimi nga ana e deputetëve, andaj deri në një vendim tjetër apo vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, po e ndërpres seancën”, ka thënë Dehari.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme nga data 27 korrik deri më 8 gusht, ku deputetëve u ndalohet të ndërmarrin çdo veprim e vendim që lidhet me konstituim të Kuvendit.

Krasniqi: Nuk bëhemi pjesë e shkeljeve të Kushtetutës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas dështimit të konstituimit të Kuvendit, tha se ata nuk janë bllokues dhe se i vjen keq për atë që ka ndodhur – si për qytetarët, ashtu edhe për ata që kanë marrë besimin e tyre.

“Nuk bëhemi pjesë e shkeljeve të Kushtetutës.

Ne do ta mbrojmë qytetarin, për Kosovën është derdhur gjak”, tha ai në Kuvendin e Kosovës.

Krasniqi, ka thënë se kryeneçësia e Kurtit dhe partisë së tij ishin më e madhe se Kosova dhe demokracia.

Bajrami foli pasi Dehari ia ndali mikrofonin, u përplas me deputetët e VV-së

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, në seancën e 54-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka debatuar me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

E njëjta kur iu dha fjala për të propozuar një anëtar për komisionin e fshehtë, ajo u shpreh, “kryesues, lirisht ndale mikrofonin”.

Më pas, asaj iu ndalë mikrofoni dhe dëgjohej duke u thënë:

“Jeni frikacakë” .

Deputetët dështojnë ta konstituojnë Kuvendin sipas afatit të Kushtetueses

Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar as më 26 korrik në ditën e fundit të afatit 30 ditor të dhënë nga Gjykata Kushtetuese.

Seanca e së shtunës në mesditë nga ora 14:00 dhe në mbrëmje pas moskonstituimit ishte e 54-ta që nga e para e mbajtur më 15 prill ku në rend dite është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Nga 27 korriku hynë në fuqi masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e qe vlen deri më 8 gusht. Gjatë kësaj periudhe deputetët nuk kanë të drejtë të marrin asnjë veprim sa i përket seancës konstituive.

Ndërsa, është e paqartë se çfarë do të ndodhë pas 8 gushtit, por që nuk është përjashtuar mundësia e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Vetëvendosje kishte propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlametare e cila nuk kishte arritur të marrë votat e mjaftueshme. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari kishte propozuar votim të fshehtë por ky propozim ishte kundërshtuar nga PDK, LDK e AAK. Sipas tyre ky propozim është shkelje e rregullores së Kuvendit, pasi votimi fillimisht ishte bërë në mënyrë të hapur.

Vetëvendosje javën e fundit i është kthyer bisedimeve me Nismën Socialdemokrate për një marrëveshje, madje kryeministri në detyrë dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti ka thënë se i ka bërë ofertë konkrete për bashkëqeverisje kreut të Nismës, Fatmir Limaj. Por ky i fundit ka përsëritur qëndrimin e tij se dëshiron postin e kryeparlamentarit dhe jo pozita në ekzekutiv. Limaj poashtu është shprehur se nuk mund të ketë marrëveshje nëse VV nuk i ka votat e sigurta edhe për qeverinë e që siç ka thënë ai ato nuk janë.

Ndryshe, disa nga përfaqësuesit e ambasadoreve te vendeve te QUINT-it kanë përcjellur seancën

Asllani: Nuk kemi pasur presion nga askush

Deputeti nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Artan Asllani ka thënë se nuk kanë asnjë presion nga Lëvizja Vetëvendosje sa i përket votimit. Ai tha para mediave se që nga fillimi kanë qenë pro konstituimit të Kuvendit.

Asllani: Ne vazhdimisht kemi votuar pro konsitutimit

“Ne e përfaqësojmë komunitetin ashkalinj në kuvend edhe ne nuk kemi pasur presion prej askujt. Ne kemi presion prej një populli, i cili ka nevojë që sa më shpejt të konsolidohet kuvendi dhe të vazhdohet me punën dhe të vazhdohet që të punohet për komunitetin të cilin e përfaqësojë. Ne vazhdimisht kemi qenë pjesë e asaj që kuvendi të konsitutohet kuvendi sa më shpejt, dhe kemi vazhduar vazhdimisht të votojmë pro konstituimit të kuvendit”, deklaroi ai para vazhdimit të seancës konstitutive, më 26 korrik.

Paraprakisht, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se kanë dëgjuar se ka presione ndaj deputetëve të grupeve minoritare.

Haradinaj: Nuk po shihet që ka vullnet, pres zgjedhje

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se janë të gatshëm për çdo lloj kompromisi, me qëllim që të dalin nga kjo situatë. Kërkesa e vetme e tyre ka qenë që të hapet votimi dhe të ndryshohet kandidati.

Megjithatë, Haradinaj tha se më shumë po duket se do të ketë zgjedhje sesa një zgjidhje.

“Jemi të gatshëm për çdo lloj kompromisi, vetëm që të dalim nga kjo situatë.

E vetmja kërkesë ka qenë që të hapet votimi dhe të ndryshohet kandidatja. Më shumë po e shoh që do të kemi zgjedhje sesa një zgjidhje”, tha ai.

Sveçla i bindur: “Po, do të konstituohet Kuvendi sonte”

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shprehur besimin e tij se Kuvendi i Kosovës do të konstituohet sonte, në seancën e 54-t me radhë.

I pyetur nga gazetarët në hyrje të Kuvendit, teksa po bëhen përgatitjet për tentativën e fundit brenda afatit kushtetues, Sveçla u përgjigj shkurt:

“Paaj… Po.”

Kjo është tentativa e fundit për konstituimin e Kuvendit, përpara se të skadojë afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në sallë pritet të zhvillohet një seancë vendimtare që mund të përcaktojë fatin institucional të vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat