Kadri Kryeziu kërkon ndalimin e financimit publik për OJQ-të

Aktuale

Kadri Kryeziu kërkon ndalimin e financimit publik për OJQ-të

Nga: A.SH Më: 27 korrik 2025 Në ora: 15:44
Kadri Kryeziu

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj praktikës së financimit të organizatave joqeveritare (OJQ) nga fondet publike, duke bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të kësaj politike.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Kryeziu theksoi se është koha për një rishikim të thellë të sistemit të ndarjes së fondeve publike për shoqërinë civile, duke e cilësuar atë si të pashkueshëm nga kontrolli dhe me përfitime që shpesh nuk përkthehen në dobi publike.

“Paratë e taksapaguesve nuk duhet të shkojnë për financimin e projekteve me fatura të fryra dhe rroga fiktive. Jo pak nga përfituesit e këtyre fondeve jetojnë në luks, sikur të ishin biznesmenë të mëdhenj,” shkruan Kryeziu.

Ai propozon një qasje më konzervatore dhe fiskalisht të disiplinuar, duke u bazuar në modelin e ndjekur nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili ndërpreu financimin e shumicës së OJQ-ve që nuk justifikonin qartë dobinë publike të aktiviteteve të tyre.

Postimi i plotë:

Tani që më në fund do të pushojmë pak nga mbledhjet absurde të Kuvendit çdo 48 orë, dua t’i them dy fjalë për OJQ-të që marrin financim nga fondet publike. Marr shkas nga kontraverza e fundit lidhur me ndarjen e fondeve publike për projekte të shoqërisë civile.

Në vlera civile, unë jam konzervator dhe besoj fuqishëm në disiplinë maksimale fiskale. Konsideroj që Kosova duhet të ndjekë politikën e Presidentit Trump në raport me organizatat e shoqërisë civile dhe ta ndërpres financimin e projekteve të tyre.

Paratë e taksapaguesve nuk duhet të shkojnë për financimin e projekteve me fatura të fryra shpenzimesh dhe me rroga fiktive. Jo pak nga përfituesit e parave të taksapaguesve jetojnë në luks sikur të ishin biznesmen të mëdhenj. Pse paratë tona duhet ta financojnë luksin e jetës së tyre?

Duhet bërë një hulumtim dhe vlerësim të detajuar për të parë sa miliona euro janë derdhur ndër vite te këto organizata. Po ashtu duhet vlerësuar saktë se cila është dobia publike nga këto projekte. Nëse kemi institucione publike që i kryejnë ato aktivitete, pse duhet të financojmë organizata që bëjnë projekte paralele?

Paratë e taksapaguesve duhet të shkojnë vetëm në financimin e institucioneve publike që kanë detyrim ligjor t’i nënshtrohen auditimit dhe kontrollit. Projektet e OJQ-ve që marrin para nga buxheti nuk i nënshtrohen asnjë auditimi dhe kontrolli publik. Kjo është absurde. Nëse marrin para nga buxheti duhet t’i nënshtrohen auditimit dhe kontrollit publik.

Presidenti Trump ka shumë të drejtë kur konstaton që shumëçka në punën e këtyre organizatave e cenon interesin shtetëror dhe publik. Kosova nuk është përjashtim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat