Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për zgjedhjet e kandidatëve të propozuar për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Në një reagim publik, ai ka akuzuar tre prej emrave të propozuar se kanë qëndrime dhe veprime të papranueshme ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Tahiri tha se deri më tani, LVV ka propozuar tre kandidatë që, sipas tij, mbajnë "rekord të zi" ndaj UÇK-së:
“Albulena Haxhiu dhe grupi parlamentar i LVV-së kanë miratuar ligjin për themelimin e Institutit për Hetimin dhe Hulumtimin e Krimeve të Luftës, duke zgjatur afatin e këtyre hulumtimeve deri më 31 dhjetor 2000. Po kush ka luftuar në Kosovë pas qershorit 1999?! Pra, veteranët e UÇK-së mund të ndiqen për krime lufte deri më 31 dhjetor 2000, sipas ligjit të Albulenës – pikërisht ashtu siç do Serbia. Ky është shërbimi më i madh që i është bërë Serbisë. Donika Shvarc ka treguar vetë se ka bërë hetime personale, ka fabrikuar dosje për krerët e UÇK-së (me siguri bashkë me prokurorë serbë) dhe thotë se i ka dorëzuar pranë Gjykatës, duke u mburrur vetë me këtë veprim. Hekuran Murati i ka përjashtuar nga paga minimale tri kategoritë më të lavdishme të shoqërisë sonë veteranët e UÇK-së, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e UÇK-së. Po duket se të gjithë pe dimë se kush do të jetë nesër kandidati i radhës”, ka shkruar ai.
Përndryshe, nesër nga ora 11:00 do të vazhdon seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku pikë e rendit të ditës, tash e sa muaj është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, ku koalicioni LVV, Alternativa dhe Partia Guxo, nuk po arrin t’i ketë votat e nevojshme pre 61 deputetëve.