S’ka vota të mjaftueshme për Nenad Rashiq-in, ndërpritet seanca!

Aktuale

S’ka vota të mjaftueshme për Nenad Rashiq-in, ndërpritet seanca!

Më: 28 gusht 2025 Në ora: 07:08 Përditësuar në ora: 12:33 më 28.08.2025
Kuvendi i Kosovës

Rashiq dështon sërish të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës

Deputeti nga pakica serbe, Nenad Rashiq, ka dështuar të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Kjo është hera e dytë që ai nuk votohet për këtë post.

Rashiqi i mori 56 vota për, 1 kundër dhe 20 abstenime.

Ai ka të drejtë të nxirret në votim vetëm edhe një herë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, e ndërpreu seancën dhe tha se administrata e Kuvendit do të njoftojë se kur mund të vazhdojë ajo.

Ai i thirri partitë parlamentare për konsultime për zgjedhjen e nënkryetarit nga pakica serbe, që është hapi i fundit për ta konstituuar Kuvendin përfundimisht.

Igor Simiq nuk e kalon shortin për ulësen e nënkryetarit

Igor Simiq nuk ka arritur të marrë votat për t’u zgjedhur nënkryetar i parlamentit nga radhët e komunitetit serb

Votimi i tij u bë pas hedhjes së shortit pqr këtë post.

S’ka votë as për Stefan Kovaçeviqin

Deputeti i tretë i hedhur në votim me short është Stefan Kovaçeviq, i cili sikurse bashkpartiakët e tij, nuk e mori asnjë votë.

Kundër tij votuan 54 deputetë, ndërsa 19 të tjerë abstenuan

Lista Serbe i ka 9 deputetë dhe as ata vetë nuk po votojnë për, pasi duan që kandidat i tyre të jetë Sllavko Simiq, i cili dështoi në tri tentime në seancën e kaluar.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka thënë se po ndjek aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilës, një kandidat nuk mund të hidhet në votim më shumë se tri herë.

As Zlatan Elek nuk merr votat për nënkryetar të Kuvendit

As Zlatan Elek nuk u votua nga deputetët për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.

Edhe Elek mori 0 vota për, 54 kundër dhe 19 abstenime.

Branislav Nikoliq dështon të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb

Branislav Nikoliq nga Lista Serbe nuk mori votat për nënkryetar të Kuvendit nga pakica serbe.

Nikoliqi nuk mori asnjë votë për, 55 ishin kundër dhe 25 abstenime, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Fillimisht, kryetari Dimal Basha tha se seanca vazhdon me procedurën ku ka mbetur, me përzgjedhjen e kandidatëve për t’u propozuar për nënkryetar nga Lista Serbe, përmes shortit.

Të panishëm në seancë janë 107 deputetë.

Seanca po vazhdon me përzgjedhjen e kandidatëve me short.

Në seancën e mbajtur më 26 gusht 2025, deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjodhën Dimal Basha kryeparlamentar.

Më pas, Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala u zgjodhën nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga tri parititë më të mëdha shqiptare. Ndërkaq, Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga pakicat joserbe. Por, konstituimi i Kuvendit ngeci tek pozita e nënkryetarit të Kuvendit nga pakicat serbe. Lista Serbe insistoi vetëm tek emri i Sllavko Simiqit, i cili nuk mori votat e mjaftueshme në tri tentime.

Më pas, kryetari Basha vazhdoi procesin me short. As kësaj radhe, deputetët e Listës Serbe nuk morën votat e mjaftueshme. Më së shumti vota nga pakica serbe, por që as kësaj radhe nuk ishin aq sa nevojiten, mori Nenad Rashiq, pro të cilit votuan 55 deputetë.

Pas kësaj, kryetari Basha e ndërpreu seancën për të vazhduar sot (28 gusht).

Ndryshe, më 27 gusht, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes një komunikate për medie tha se procedura e ndjekur për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë ishte në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe praktikën e deritanishme parlamentare.

IKD thekson se sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, votimi i nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve bëhet në pako (ashtu sikurse votimi i nënkryetarëve nga tri grupet më të mëdha parlamentare). Po ashtu, propozimi bëhet me shkrim, nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, respektivisht komuniteteve të tjera.

Lidhur me deputetin Nenad Rashiq, IKD thotë se nuk është i propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, të cilën shumicë e përbën Lista Serbe me 9 deputetë. Sipas IKD-së, procesi i shortit aplikohet vetëm kur nuk ka propozime të paraqitura, ndërkohë që në rastin e komunitetit serb, kishte propozime konkrete nga deputetët e këtij komuniteti.

IKD kërkou nga Kryetari i ri i Kuvendit që në vazhdimin e seancës konstituive më 28 gusht, të përsëritet procedura e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet dhe procesi të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Zgjedhja e nënkryetarit serb vazhdon me short

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të votojnë sot për nënkryetarin serb për ta përmbyllur konstituimin e Kuvendit.

Ky prcoes do të zhvillohet me procedurën e shortit, tha kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.

Për shkak të refuzimit të Listës Serbe për të zëvendësuar kandidatin Sllavko Simiq për nënkryetar, Basha seancën e kaluar i hodhi në votim kandidatët e tjerë përmes shortit, përfshirë edhe emrin e Nenad Rashiqit, kryetarit të partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i afërt me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Kadrijaj: Basha është fytyra e vërtetë e Vetëvendosjes

Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj tha për kryetarin e Kuvendit të Kosovës Dimal Basha në lidhje me publikimit e punimit në bashkautorësisë të tij me akuza të rënda ndaj UÇK-së se është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Një monstrum të tillë nuk është dashur as të propozohet. Dimal Basha është fytyra e vërtetë e VV-së propozuar”, tha Kadrijaj.

E pyetur nga gazetarët se AAK-ja ka votuar për zgjedhjen për Bashën kryetar të Kuvendit, ajo tha
se nuk e ka votuar.

“Bekë Berisha e ka votuar. I ka premtuar”, tha Kadrijaj.

Behrami: Me premtimin që e mbajti PDK-ja demaskoi politikën anti-UÇK të Albin Kurtit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, duke iu referuar votimit për zgjedhjen e kryeparlamentarit, tha se me premtimin që e mbajti, PDK-ja demaskoi politikën anti-UÇK të Albin Kurtit.

Ai gjithashtu u shpreh se Dimal Basha është personifikimi i doktrinës anti-UÇK të Kurtit.

“Me premtimin që e ka mbajtur Partia Demokratike e Kosovës, ne e kemi demaskuar politikën anti-UÇK të Albin Kurtit, e cila gjithmonë është fshehur prapa njerëzve si Glauk Konjufca dhe Shqipe Selimi dhe që nga sot ai nuk mund të fshihet prapa këtyre figurave, sepse Dimal Basha është personifikimi i doktrinës anti-UÇK të Albin Kurtit”, u shpreh tutje ai.

Limaj për punimin e Bashës: Ka fyer dhe shtrembëruar vendin e vet, kjo është shumë serioze

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas publikimit të punimit të kryeparlamentarit Dimal Basha, ku përmendet në mënyrë kritike UÇK-ja.

Ai ka thënë se artikulli është i papranueshëm dhe cenon rëndë vendin dhe popullin e Kosovës.

“Ai është një punim shkencor që shërben për studentë, profesorë, prokurorë, gjyqtarë, propagandistë. Është një hulumtim shkencor, i bazuar dhe i publikuar nga dy autorë. Më vjen shumë keq që një shqiptar, për të publikuar një punim shkencor, ka fyer, ofenduar, rrënuar dhe shtrembëruar vendin dhe popullin e vet.

Kjo është shumë serioze, serioze është edhe natyra e artikullit”.

Rashiq bisedon me deputetët e PDK-së

Deputeti Nenad Rashiq është parë duke biseduar me deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës pak para se të vazhdojë seanca e cila ishte thirrur të nis në orën 11:00.

Akoma nuk dihet nëse Rashiq po e kërkon votën e tyre për t’u zgjedhur njëri nga nënkryetarët e Kosovës.

Për shkak të refuzimit të Listës Serbe për të zëvendësuar kandidatin Sllavko Simiq për nënkryetar, Dimal Basha i hodhi në votim kandidatët e tjerë përmes shortit, përfshirë edhe emrin e Rashiqit, kryetarit të partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i afërt me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Rashiq nuk mori vota të mjaftueshme gjatë votimit, ashtu si edhe deputetët e tjerë të Listës Serbe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat