S’ka vota të mjaftueshme për Nenad Rashiq-in, ndërpritet seanca!

Aktuale

S’ka vota të mjaftueshme për Nenad Rashiq-in, ndërpritet seanca!

Më: 28 gusht 2025 Në ora: 07:08 Përditësuar në ora: 11:15 më 28.08.2025
Kuvendi i Kosovës

Gashi e quan Bashën “përfaqësuesin më autentik të VV-së”

Deputeti i betuar i LDK-së, Arben Gashi e ka quajtur Dimal Bashën “përfaqësuesin më autentik të VV-së”.

“Ky është një narracion që po i bëhet Dimalit nga partia e vet, e cila nuk po do me e shpërfaq anticitetin e VV-së. Mendoj që Dimali është përfaqësues autentik i VV-së dhe e tillë është Vetëvendosja, dhe populli duhet me e kuptu cila është qasja e të menduarit politik në Kosovë”, u shpreh ai.

Sa i përket pjesëmarrjes në votimin për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, Gashi tha se duhet pyetur Hykmete Bajrami, e cila është shefe e GP-së së LDK-së.

Sakaq, ai tha se as Nenad Rashiq e “as ai tjetri”, s’kanë dallim ndërmjet vete, dhe se nuk i voton asnjërin.

Balje: Unë s’e votova Bashën, e barazoi Zotin me gjygym – veç i pastër s’mund të jetë

Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje ka komentuar kryeparlamentarin e ri Dimal Basha, mbi qasjen e tij ofenduese ndaj UÇK-së në një artikull të publikuar.

Në pyetjen e Klan Kosovës, referuar këtij zhvillimi që nëse mund të vazhdohet me Bashën kryeparlamentar ajo u shpreh se ai mund të jetë kryetar dhe deputet por i pastër asnjëherë.

”Personalisht nuk votova për Dimal Bashën, për shumë arsye sepse e ka barazu, Zotin me gjygym. Ai mund të jetë edhe deputet edhe kryetar, por një person i pastër jo”.

Ndër tjera, Balje edhe konfirmoi se nuk ka asnjë votë për komunitetin serb.

”Unë shkova me konsultu, sepse edhe ne e kishim kandidatin tonë boshnjak, mendova që e kam të drejtën e njëjtë. Dimal Basha nëse konstituohet kuvendit, ka mundësi me jap dorëheqje dhe zëvendësja e parë, Albulena. Kjo mund të ndodhë”.

”Nuk kam votë për asnjë kandidat për komunitetin serb”

Krasniqi: PDK e votoi Bashën për ta zhveshur LVV-në

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh kryetar i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka arsyetuar votën e partisë së tij për zgjedhjen e Dimal Bashës së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në postin e kryeparlamentarit.

"Vota jonë nuk ka qenë për individin – por për të mbajtur zotimin e dhënë para qytetarëve, me qëllim të dhënies fund bllokadës institucionale. Por, edhe për ta zhveshur Vetëvendosjen dhe për ta vënë para reflektorit publik të së vërtetës. Sepse, gjatë janë fshehur e amnistuar prapa Glaukave, por në fakt këta janë Dimala. Nëse ndokush ka pasur dyshime, qoftë edhe brenda elektoratit të tyre, sot besoj e kanë të qartë këtë", ka shkruar Krasniqi në Facebook.

"Prandaj, turpi i mbetet Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, të cilët me insistim e kandiduan Dimal Bashën. Por, një gjë po vërtetohet edhe tash, siç e kishim thënë në dy herët e kandidimit të tij - ai nuk është i denjë që të jetë Kryetar i Kuvendit", ka thënë Krasniqi.

Deklaratat e Krasniqit vijnë pas një punim i Bashës i vitit 2012 nxit reagime në Kosovë, ndërsa Basha u distancua nga artikulli kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

"Sa për PDK-në, partinë që e pasoi UÇK-në, pavarësisht gjithçkaje e çdo zhurme, do ta mbrojmë me çdo kusht, si çdo herë tjetër, luftën e UÇK-së dhe shtetin e Kosovës", u shpreh Krasniqi.

Ai ka akuzuar LVV-në për qëndrime të vazhdueshme kundër UÇK-së:

"Nëse është dikush që e ka pasur mënyrë jetese demonizimin e UÇK-së dhe të udhëheqësve të saj, ai është Albin Kurti. Rrjedhimisht, gati secili që i është bashkuar atij, ka pasur ose ka përvetësuar të njëjtin mentalitet.

Shembulli i propozimeve nga Lëvizja Vetëvendosje për Kryetar të Kuvendit e tregon më së miri: Albulena Haxhiu, Donika Schwartz, Hekuran Murati – të tre me qëndrime dhe veprime kundër UÇK-së dhe trashëgimisë së saj. Njëra duke ua zvogëluar fondet e mbrojtjes në Gjykatën e Hagës, tjetra duke pranuar se ka dorëzuar dosje kundër krerëve të UÇK-së, e tjetri duke përjashtuar nga paga minimale kategoritë e luftës çlirimtare dhe duke i fyer luftëtarët e lirisë në krahasimet që ua bënte me mercenarë.

Edhe Kryekuvendari i ri, me artikullin e tij morbid kundër UÇK-s, i cili doli dje në pah, vetëm sa e konfirmon filozofinë e Vetëvendosjes: sa më shumë të distancohesh nga UÇK-ja, aq më shpejt ngjitesh në parti. Kjo edhe mund të jetë formula e tyre e brendshme".

Avdyli: Bllokimi i Kuvendit për Slavko Simiqin është i pakuptimtë

Deputeti i partisë Guxo, Haxhi Avdyli përmendi sërish Gjykatën Kushtetuese, tashmë për sfidën e zgjedhjes së nënkryetarëve të kuvendit, çështje kjo e cila veçse mbetet e bllokuar.

Ai pak para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, tha se bllokimi i Kuvendit për Slavko Simiqin është i pakuptimtë. Megjithatë, shprehet se votimi vazhdon në pako dhe s’ka kthim prapa vetëm nëse rasti shkon në gjykatë.

”Në seancën e kaluar, avazi i bllokimit të vendit nga opozita po vazhdon. Ky bllokim e kishte njëherë emrin, Albulena Haxhiu, e tash ka ndërruar emri, po bllokohet për Slavko Simiqin. Bllokimi i kuvendit për Slavko Simiqin është e pakuptimtë.

Ajo procedurë tashmë është kryer, dhe s’mund të kthehet. Pse duhet në pako, kur lejohet ndaras. Dhe kërkesa e pakicave ka qenë që të votohet ndaras, dhe kjo është respektuar e votuar.

Kolegët e mi nga opozita mendoj që do të lirohen nga mendësia e bllokimit. Ajo pjesa e votimit, është kaluar për tri herë, veçse është kaluar. Nuk e di pse insiston në pako, kur ajo është kryer. Konstituimi i kuvendit mund të vazhdojë, nuk ka më votim në pako, nuk jemi duke folë për borën e parvjetme, ne jemi duke folur për fazën kur ka kaluar procedura në short”, tha ai.

Tutje Avdyli mohoi edhe ofendimet e kryeparlamentarit Dimal Basha ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

”Ai ka sqaru që nuk ka shkru atë artikull, ato pjesë për UÇK-së. Qëndrimi ynë është edhe i çdo qytetari të Kosovës, çdo patrioti të Kosovës se UÇK, është vlera më sublime e vendit””, tha ai.

Berisha: Nuk jam pishman për votën pro Bashës

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, para nisjes së seancës për konstituimin e Kuvendit deklaroi se nuk i vjen keq për votën e dhënë pro Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit.

Ai theksoi se synimi i tyre është të zgjidhen nyjet politike dhe vendi të ecë përpara, duke shtuar se deputetët janë përfaqësues të qytetarëve të Kosovës.

“Që paska fol diçka kundër UÇK-së, goxha do njerëz kanë folur keq kundër UÇK-së këtu, tani po dalin kundër Dimal Bashës sikur po e mbrojnë UÇK-në”.

“Na jemi duke jetuar këtu, në këto rrethana, nuk jam pishman, duam t’i zgjidhim këto nyje, të ecim përpara. Këta janë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të zgjedhur me votën e këtyre qytetarëve”, u shpreh tutje Berisha

Basha: Asnjë fjalë kundër UÇK-së, unë kam hulumtuar veç për islamin fundamentalist

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka dalur në konferencë për media.

Ai ka mohuar se ka qenë i përfshirë në temat për UÇK-në. Ka thënë se ka shkruar vetëm për islamin fundemtanlist.

“Unë këtu jam për të deklaruar që nuk është hera e parë që unë si Dimal Basha, e as ne si VV sulmohemi me të pavërteta nga qarqe të caktuara. Është e lodhshme që në këtë vend shpifjet nuk kanë të ndalur, andaj ndjej përgjegjësi të sqarojë për akuzat që janë ngritur kundër meje. Në vitin 2012 keam dorëzuar hulumtim për publikm, atë kohë kam bërë hulumtim për deportimin e islamit fundamendalist në Evropën Juglindore, kam dërguar hulumtim vetëm për këtë temë. Këtu përfundon përgjegjësia ime për këtë temë. Edhe tema ime master gjithashtu e mbulon vetëm këtë pjesë. Asnjë fjalë të vetme nuk e gjeni UÇK ose çkado tjetër. E mbulon vetëm temën e islamit fundamentalist me fokus Kosovën.

Të njëjtën e thotë profesoresha ku kam studiuar, ajo personalisht ka dërguar email demantues. Nuk kam shkruar asnjë fjali nga kapitujt e tjerë. Këto akuza, dhe lidhjet e mia me raportin e Dick Martyt janë të ulëta, sepse unë në vitin 2010 kam publikuar shkrim të cilin do ta shpërndaj me ju, ku kam bërë thirrje që të luftohet ky raport sepse do të na kushtojë shumë. Është i publikuar në Telegrafi ku i bëj thirrje diplomacies të intervenojnë sa më shpejt. Unë Dimal Basha si kryetar Kuvendi e si çdo qytetar, e kam të shenjtë luftën e UÇK-së. Unë i përulem secilit që ka kontribuar në luftë e paqe.

Kurrë në jetën time nuk është shkruar e as nuk gjendet asnjë shkrim për këtë vlerë, distancohem kundër kësaj vlere. Për dy mandate kam bërë beteja të mjaftueshme dhe jashtë tij. 6 vite, portalet e të ashtuquajtur gazetarë nuk kanë ndaluar duke më ofenduar në mënyra më të ulëta, duke përdorur edhe burime nga gazeta të Beogradit. Kjo nuk është sot, të njëjtit e kanë bërë të njëjtën propaganda kundëër Donika Gërvallës me vite të tëra. Të njëjtit që edhe presidentin Rugova e quanin tradhtarë. Po të njëjtit vazhdojnë me ofendime ndaj Kurtit. Mos harroni se i keni të njëjtat burime që kanë lobuar për ndarjen e Kosovës, dhe për Listën Serbe”, tha Basha.

Nenad Rashiq do të vetëkandidohet për nënkryetar

Nenad Rashiq ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se do të vetëkandidohet për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb.

Gjatë vazhdimit të seancës konstituive të martën, Rashiq ishte hedhur në votim me short, por nuk arriti t’i merrte votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur.

Kryeparlamentari i sapozgjedhur i hodhi në votim Rashiqin dhe kandidatë të tjerë përmes shortit, për shkak të refuzimit të Listës Serbe për të zëvendësuar kandidatin Sllavko Simiq.

Rashiq është kryetar i partisë serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, dhe njëri i afërt me kreun e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti./REL

Kryetari i porsazgjedhur Dimal Basha thërret konferencë për shtyp

Kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka thirrur konferencë për shtyp në orën 10:00.

Nuk është e qartë arsyeja e kësaj konference por ajo vjen një ditë pas kritikave të mëdha me të cilat ai u përballë në lidhje me punim të tij nga viti 2012.

Në punimin ku ai është bashkautor, thuhet se “sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.

Në një reagim në Facebook të mërkurën mbrëma, Basha e mohoi se ka shkruar ndonjëherë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Basha tha se kontributi i tij në këtë punim është vetëm në Kapitullin 3, “i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën”.

“Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë”, shkroi ai në Facebook.

Kryetari u zgjodh, por a do të arrihet sot konstituimi i Kuvendit?

Deputetët e zgjedhur të popullit do t’i drejtohen edhe sot sallës plenare të Kuvendit, në mënyrë që ta arrijnë konstituimin e tij.

Ani pse Dimal Basha u zgjodh kryekuvendar, e që për nënkryetarë të tij votat “për” i morën Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku e Kujtim Shala, institucioni legjislativ i vendit prapë nuk arriti të funksionalizohej.

Kjo pasi kandidatët e propozuar për nënkryetarë nga komuniteti serb nuk morën votat e mjaftueshme.

Se a do t’i jepet fund ngërçit institucional sot, gjithçka kuptohet nga ora 11:00!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat