Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur sot takimin e radhës në të cilën u diskutuan 22 pika të rendit të ditës, raporton KosovaPress.
Visar Krasniqi, anëtar i këshillit, tha se propozon një pikë shtesë për zbatimin në tërësi të ligjit të ri për KPK-në, me të cilin ndër të tjera parashihet edhe fuzionimi i Komisionit për buxhet dhe financa me atë të administrimit të prokurorive, e cila nuk u shtua si pikë e veçantë e rendit të ditës.
Krasniqi: Si mundet anëtar të jetë prokuror dhe menaxher?
“Ligji ka paraparë hapa dhe veprime tranzicionale deri në përmbushjen e re të përbërjes së këshillit prej 7 anëtarëve, prandaj ne kemi këtu kolegë, për shembull Miloti është anëtari me mandatin më të gjatë në këshill dhe është zgjedhur anëtari i fundit. Tani, pyetja është a është anëtar i ri apo i vjetër? Çka dallon statusi i tij sot me janar?... Funksioni i këshillit është menaxhimi i sistemit prokurorial. Si mund një anëtar të jetë edhe prokuror edhe menaxher i vetvetes?”, tha ai
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar udhëzimin për caktimin e normës orientuese për prokurorët e shtetit është miratuar. Anëtari Milot Krasniqi tha se duke u bazuar në prokuroritë speciale në vendet e rajonit, një normë e tillë nuk ekziston dhe mund të shkaktojë problem.
Krasniqi: Roli i prokurorit na shfaqet pastaj si rol administrativ
“Duke i shikuar praktikat e vendeve të rajonit, kjo na shfaq problem sepse roli i prokurorit na shfaqet pastaj edhe si një rol administrativ. Unë kam qenë ithtar në të gjitha nivelet të mos kemi normë orientuese për faktin duke u nisur nga praktikat bashkëkohore dhe për arsyen e dytë sepse prokurorët kanë afate ligjore brenda të cilave duhet të përmbushin normën e tyre orientuese, përkatësisht, afatin e kryerjes së detyrave dhe punës”, tha ai.
Arian Gashi, Kryesues i Këshillit Normativ, tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar edhe rregulloren për zgjedhjen e anëtarëve të KPK-së, e cila është hartuar në koordinim me anëtarë të komisionit dhe zyrës së Bashkimit Evropian.
Gashi: Rregullorja për zgjedhjen e anëtarëve të KPK-së u hartua në koordinim edhe me Zyrën e BE-së
“Më 24 qershor 2025 është mbajtur takimi i parë konsultativ i grupit punues, ku është prezantuar fillimisht një analizë që është hartuar me qëllim që t’i ndihmojë grupit punues gjatë hartimit të kësaj rregullore për zgjedhjen e anëtarëve në Këshill Prokurorial të Kosovës, në këtë takim me prezencë të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtar, ku të njëjtit vazhdimisht kanë marrë pjesë dhe kanë dhënë kontributin e tyre, anëtarët e grupit punues fillimisht kemi diskutuar për çështje të përgjithshme që duhet t’i përmbajë rregullorja, pastaj më 18 korrik kemi mbajtur dhe takimin e radhës ku janë ftuar dhe kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të zyrës së BE-së, Institutit të Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike GLPS dhe Institutit Demokratik të Kosovës KDI”, tha Gashi.
Rregullorja është përpiluar që të ndihmojë në zbatimin e ligjit të KPK-së duke krijuar mekanizma përkatës kur hapet ndonjë konkurs për anëtarë në Këshill.
Gashi gjithashtu tha se pjesa e shpalljes së konkursit bazuar në radhët e përparësisë nga komunitetet dhe gjinia femërore, funksionon në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, por kryesuesi i këshillit Ardian Hajdaraj ka thënë se në rregullore duhet të bartet pjesa e plotë e ligjit.
Me propozim të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur të ndalojë përkohësisht procesin e avancimit të një prokurori në Prokurorinë Speciale, për shkak të dyshimeve për konflikt interesi.
Kelmendi bëri të ditur se për konkurs kanë aplikuar Armend Zenelaj, Fitore Sadikaj dhe Sadri Alija. Ai tha se ka pranuar një e-mail anonim dhe se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është duke vlerësuar nëse njëri prej tyre është në konflikt interesi.
Në prokurorinë e apelit janë avancuar tre prokurorë, ndërsa në pozitën e prokurorit për të mitur në Gjakovë janë avancuar dy prokurorë. Një prokuror është transferuar nga Gjykata e Apelit në atë themelore në Gjilan dhe dy prokurorëve iu kanë dërguar emrat te Presidenca për lirim nga detyra për shkak pensionimit.