Më 6 tetor seanca e radhës në rastin e Liridona Ademajt, dëshmon mjeku që bëri autopsinë

Aktuale

Më 6 tetor seanca e radhës në rastin e Liridona Ademajt, dëshmon mjeku që bëri autopsinë

Më: 22 shtator 2025 Në ora: 07:27 Përditësuar në ora: 12:15 më 22.09.2025
Naim Murseli

Më 6 tetor seanca e radhës në rastin e Liridona Ademajt, dëshmon mjeku që bëri autopsinë

Seanca e radhës në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt është caktuar të mbahet më 6 tetor, ku pritet të dëgjohet raporti i autopsisë nga mjeku ligjor Naim Uka.

Në seancën e sotme, para trupit gjykues dëshmoi ish-drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Shpend Haxhibeqiri, i cili ritheksoi se sipas ekspertizës, i akuzuari Naim Murseli nuk vuan nga asnjë çrregullim mendor, as të përkohshëm e as të përhershëm.

Gjithashtu, dëshmoi edhe eksperti Bujar Obertinca, i cili ka analizuar gjendjen mendore të të akuzuarit tjetër, Granit Plava.

Ai konfirmoi se Plava është në gjendje të mirë psikike dhe nuk ka simptoma që do të ndikonin në përgjegjësinë e tij penale.

Haxhibeqiri flet edhe për gjendjen mendore të Granit Plavës

Në vazhdim të gjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt, ku të akuzuar janë Naim Murseli dhe të tjerë, në seancën e sotme ka dëshmuar edhe ish-drejtori i Klinikës së Forenzikës, Shpend  Haxhibeqiri.

Ai është pyetur edhe për gjendjen mendore të të akuzuarit tjetër, Granit Plava.

Sipas ekspertit, gjatë ekzaminimit psikiatrik, Plava ka deklaruar se kishte pësuar një aksident me motor dhe kishte marrë trajtim në Spitalin e Mitrovicës.

Kjo është konfirmuar edhe nga babai i tij. Megjithatë, ekspertiza ka përjashtuar çdo ndikim të mundshëm në gjendjen e tij mendore si pasojë e atij aksidenti.

“Është konstatuar se nuk ka pasur ndonjë dëmtim në tru. Aksidenti ka kaluar pa ndonjë pasoje serioze dhe truri i tij ka funksionuar mirë e pa telashe”,  tha Haxhibeqiri.

Avokati i Plavës, Skënder Gojani, kërkoi sqarim nëse ekspertiza ishte bazuar në të gjitha të dhënat e disponueshme dhe pse nuk janë trajtuar disa aspekte si përdorimi i substancave narkotike apo traumat.

Në përgjigje, eksperti tha se Granit Plava ka pranuar se ka qenë përdorues i kokainës dhe alkoolit, por theksoi se në kohën e kryerjes së veprës penale nuk janë vërejtur manifestime apo simptoma që lidhen me ndikimin e substancave.

“Ai ka pranuar që ka përdorur kokainë dhe alkool, por në kohën e veprës nuk ka pasur manifestime të ndonjë gjendjeje të shkaktuar nga substancat”,  sqaroi Haxhibeqiri.

Obertinca për Naim Murselin: Truri i tij funksionon mirë dhe pa telashe

Në seancën gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt, ka dëshmuar edhe eksperti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Bujar Obertinca. Ai është përgjigjur në pyetjet e prokurorisë lidhur me gjendjen mendore të të akuzuarit Naim Murseli, derisa ka treguar edhe për një aksident që kishte pasë ai me motoçikletë.

“E tërë kjo do të thotë që i njëjti gëzon shëndet të plotë mendor dhe veprimet e tij, nuk kanë qenë të ndikuara nga ndonjë proces patologjik psikik”, u përgjigj ai.

Më tej, Obertinca ka treguar se gjatë ekzaminimit Murseli ka përmendur një aksident me motoçikletë që kishte ndodhur më herët, për të cilin ai kishte marrë trajtim në Spitalin e Mitrovicës, gjë e konfirmuar edhe nga babai i të ekzaminuarit.

“I ekzaminuara na ka treguar që ka pasur një aksident me motoçikletën e tij dhe na ka treguar që ka qenë i trajtuar në spitalin e Mitrovicës, e dhënë kjo që është konfirmuar edhe nga babai i të ekzaminuarit, ndërsa sa i përket pasojave nga ky aksident ato janë përjashtuar me anë të ekzaminimit radiologjik, CT ose tomografisë… ku nuk është përmendur ndonjë dëmtim i indit trunor, respektivisht ky aksident ka kaluar pa ndonjë dëmtim në strukturë, që do të thotë që truri i tij funksionon mirë dhe pa telashe”, tha ai.

Murselit i “djeg” raporti psikiatrik që e nxori “shnosh si molla”, e merr në pyetje ish- drejtorin e Psikiatrisë Forenzike!

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon seanca për rastin e vrasjës së Liridona Ademaj, ku i akuzuari kryesor është Naim Murseli.

Derisa ish- drejtori i Psikiatrisë Forenzike në QKUK, Shpend Haxhibeqiri ka shpalosur detaje për raportin psikiatrik, Murseli ka listuar disa pyetje kundrejt tij.

Murseli: A e kam pranu ndonjëherë që unë e kam kryer veprën për të cilën akuzohem, qysh doli raporti në media, prej juve a prej Gjykatës”?

Duket, se Murseli përgjatë këtyre muajve kishte hallin se si raporti psikiatrik u publikua në media, e i cili nxori në pah të vërtetën se ai nuk kishte as edhe një problem psikiatrik. 

Vrasja e Liridona Ademajt, nis dëshminë specialisti i psikiatrisë forenzike për ekspertizën e Naim Murselit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar seanca e gjykimit në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Në sallë të pranishëm janë të akuzuarit, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

Në seancë ka filluar të dëshmojë ish-drejtori i Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri në lidhje me ekspertizën psikiatrike që i është bërë Naim Murselit.

Ndryshe, seanca e fundit në këtë rast ishte mbajtur më 14 korrik, ku dëshmoi pikërisht Leonard Ademaj.

Gjatë deklarimit të tij, ai kërkoi dënim maksimal për dorasin, duke theksuar se vrasja e motrës së tij ishte e planifikuar dhe e egër.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Në mesin e të akuzuarve për këtë krim është edhe ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli, i cili dyshohet se ka porositur vrasjen.

Sipas Prokurorisë, Murseli i kishte premtuar Granit Plavës shumën prej 30 mijë euro për ta kryer vrasjen.

I akuzuar tjetër në këtë rast është edhe Kushtrim Kokalla, i cili dyshohet për përfshirje në organizimin e krimit. 

Shtyhet për disa minuta seanca për rastin e Liridona Ademajt

Seanca e radhës për rastin e Liridona Ademajt, është shtyrë për disa minuta.

Sipas gazetares, kjo shtyrje vjen për shkak të vonesave të avokatëve të të akuzuarit, Naim Murselit.

Të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, sillen në gjykatë

Ish-bashkëshorti i Liridona Ademajt, Naim Murseli i cili akuzohet për organizimin e vrasjes së saj ka arritur me duar të lidhura në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Po ashtu me duar të lidhura dhe në përcjelljen e policisë janë sjellur edhe dy të akuzuarit e tjerë për këtë vrasje Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.

Në seancë është edhe i shkarkuari u.d drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri.

Seanca gjyqësore pritet të fillojë pas pak.

Sot, seanca e radhës në rastin e Liridona Ademajt

Sot pritet të vazhdojë gjykimi në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Kështu ka bërë të ditur vëllai i të ndjeres, Leonard Ademaj, i cili tha se seanca do të nisë nga ora 09:00, teksa i ka ftuar mediat që të jenë prezente.

Seanca e fundit në rastin e Liridona Ademajt ishte mbajtur më 14 korrik të këtij viti, ku pati dëshmuar pikërisht Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës.

Në fjalën e fundit me të përmbyllur dëshminë e tij, në rastin e vrasjes së motrës së tij Liridonës, ai kërkoi para trupit gjykues dënim kapital për dorasin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat