LIVE: Nis rinumërimi i votave në këto tri komuna – KQZ jep detajet e fundit

Aktuale

LIVE: Nis rinumërimi i votave në këto tri komuna – KQZ jep detajet e fundit

Më: 12 tetor 2025 Në ora: 07:19 Përditësuar në ora: 23:03 më 22.10.2025
Kutitë e votimit në një qendër në Prishtinë

Përfundon numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve të personave me nevoja të veçanta në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

“Sot, e mërkurë, më 22 tetor 2025, në orën 20:30, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përfunduar numërimi i fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është realizuar ditën e zgjedhjeve jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Ndërkohë, në QNR po vazhdon procesi i rinumërimit të një numri të caktuar kutish votimi nga disa komuna të vendit.

“Aktualisht, në QNR është duke u zhvilluar rinumërimi i 16 kutive të votimit që i përkasin 12 vendvotimeve të ndryshme në komunat: Deçan, Gllogoc, Gjilan, Lipjan, Prishtinë, Prizren, Shtime dhe Suharekë”, thuhet më tej në njoftim.

KQZ ka bërë të ditur se shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve do të bëhet pas pranimit të konfirmimit nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykata Supreme, se nuk janë duke trajtuar ndonjë ankesë apo çështje të hapur lidhur me procesin zgjedhor.

Supremja pranon kërkesën e AAK-së, Juniku mund të shkojë në rivotim

Gjykata Supreme ka bërë të ditur se ka pranuar si të bazuar ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik, duke e prishur vendimin e mëparshëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), me numër ZL.Anr.217/2025, të datës 15 tetor 2025.

Me këtë vendim, çështja i kthehet PZAP-së për rivendosje, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

PZAP-ja e pati hedhur si të palejuar ankesën e AAK-së, e cila kishte kërkuar shpalljen si të paligjshme të zgjedhjeve komunale në Junik dhe organizimin e rivotimit, duke pretenduar se shkeljet e evidentuara në procesin zgjedhor kishin ndikuar në rezultatin përfundimtar.

Gjykata Supreme nuk e ka pranuar qëndrimin e PZAP-së për hedhjen poshtë të ankesës si të palejuar, duke vlerësuar se ajo duhej të shqyrtohej në bazë të meritave.

Numërohen votat me kusht në Prishtinë, ky është rezultati

Ka përfunduar numërimi i votave me kusht në Prishtinë.

Kandidati për kryetar të kryeqytetit nga VV-ja, Hajrullah Ceku ka marrë 35.12% të këtyre votave.

Ndërsa kryetari aktual, Përparim Rama ka marr 33.17% të votave me kusht.

Ndërsa nga rezultatet e përmbledhurta që ka publikaur KQZ Rama prin në Prishtinë me 33.71% të votave, derisa Ceku radhitet i dyti me 33.22%.

KQZ: Përfundon rinumërimi i 5 vendvotimeve, nis numërimi i votave me kusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në pjesën e parë të ditës së martë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është përmbyllur procesi i rinumërimit të fletëvotimeve të 5 vendvotimeve, sipas vendimit të PZAP-it, ndërsa ka nisur numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Sipas njoftimit, “vendvotimet e rinumëruara i takonin komunave të ndryshme, si: Mitrovicë e Jugut (1110/01 dhe 1110/06); Kamenicë (1019/01 dhe 1020/01) dhe Podujevë (1807/02)”. KQZ bën të ditur se “rezultatet nga ky rinumërim janë paraqitur në platformën për rezultate https://resultslocal2025.kqz-ks.org/

KQZ njofton gjithashtu se “në QNR është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht, ndërkaq pas tyre planifikohet fillimi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta”. Edhe këto rezultate, sipas KQZ-së, “janë duke u paraqitur në platformën për rezultate, në rubrikën ‘Rezultate QNR – Votimi me kusht’”.

“Votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve,” thuhet në njoftim.

KQZ bën të ditur se “fillimisht, planifikohet që të bëhet numërimi i fletëvotimeve me kusht nga komunat Deçan, Istog, Kaçanik, Fushë Kosovë, Kamenicë, Shtërpcë, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug dhe Mitrovicë e Veriut, në të cilat tashmë është përmbyllur skanimi i listave të votuesve”.

Sipas njoftimit, “në votimin me kusht janë më shumë se 2,119 zarfe me fletëvotime që i takojnë dy lloje të zgjedhjeve, ndërkaq numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta është më shumë se 3,467”.

Gjithashtu, KQZ njofton se “në QNR është duke u zhvilluar procesi i skanimit të Listës së Votuesve”. Ky hap, siç thuhet, “është thelbësor për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor, pasi skanimi mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht”.

“Qëllimi është të identifikohen rastet eventuale kur një person ka votuar dy herë: në vendvotimin e rregullt dhe në atë me kusht,” përfundon njoftimi i KQZ-së. 

Nis rinumërimi i votave në tri komuna dhe i atyre me kusht

Rinumërimi në disa vendvotime dhe numërimi i votave me kusht për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka filluar të martën në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pasi përfundoi numërimi i votave me postë nga jashtë Kosovës, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës përfundoi të hënën rreth mesnatës, sipas KQZ-së.

Mbi 44.000 votues kishin të drejtë të votojnë me postë nga jashtë vendit dhe patën një muaj kohë ta bënin këtë, nga 17 shtatori deri më 11 tetor.

Ndërkohë, rinumërimi ka nisur në tri komuna pas urdhrit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa.

Rinumërim do të ketë në dy vendvotime në Mitrovicën e Jugut, në të cilën nuk pati fitues në rundin e parë, pasi kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, zhvilluan një garë të ngushtë kokë me kokë dhe do të përballen në balotazhin e 9 nëntorit.

Javën e kaluar, autoritetet njoftuan se kishin nisur mbledhjen e të dhënave lidhur me dyshimet për keqpërdorime të mundshme të votave në komunën e Mitrovicës së Jugut.

Për këtë komunë pati dallime të mëdha mes sondazheve fillestare, të publikuara menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe rezultatit preliminar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në Kamenicë do të ketë rinumërim në një vendvotim, i cili nuk pritet të ketë ndikim në rezultat, pasi kandidati i LVV-së, Kadri Rahimaj e fitoi garën qysh në rundin e parë me mbi 51 për qind të votave të fituara.

Gjithashtu rinumërim do të ketë në një vendvotim në Podujevë, ku garën e fitoi bindshëm po ashtu një kandidat i LVV-së qysh në rundin e parë, Shpejtim Bulliqi.

KQZ-ja tha në njoftim se të martën do të nisë edhe numërimi i votave nga procesi i votimit me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta.

Votim me kusht ka pasur në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve, tha ajo.

Sipas të dhënave të KQZ-së, janë 2.119 zarfe me fletëvotime me kusht, ndërsa 3.467 njerëz ishin regjistruar si votues me nevoja të veçanta.

Zgjedhjet lokale në Kosovë u mbajtën më 12 tetor, por në shumicën e komunave do të ketë një rund të dytë më 9 nëntor, pasi ato nuk arritën t’i zgjidhnin kryetarët e tyre në rundin e parë.

Në ditën e zgjedhjeve votuan 39.58 për qind e mbi dy milionë qytetarëve me të drejtë vote brenda vendit.

Sipas KQZ-së, në 21 komuna është zgjedhur kryetari në rundin e parë, ndërsa në 17 komuna të tjera, përfshirë Prishtinën, do të mbahet edhe rundi i dytë.

Praktikat e mëparshme kanë treguar se fitorja në rundin e parë nuk garanton fitoren përfundimtare edhe në raundin e dytë në rastet kur ka balotazh.

Nga komunat me shumicë serbe, vetëm në Kllokot do të ketë rund të dytë, ndërsa në nëntë të tjerat ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Përballje në balotazh, 18 komuna në garë, dominon gara mes LVV dhe LDK

Pas numërimit të shumicës së votave me postë për kryetarë dhe kuvende komunale në zgjedhjet e 12 tetorit, është konfirmuar se Lëvizja Vetëvendosje i prin garës së përgjithshme për kryetarë komunash, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës garës për kuvendet komunale.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës e kanë siguruar pushtetin pa balotazh në nga tri komuna.

LVV-ja ka fituar në Kamenicë, Podujevë dhe Shtime, ndërsa PDK-ja në Skenderaj, Ferizaj dhe Han të Elezit.

Pa balotazh, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në Istog dhe Lipjan, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Deçan.

Gara është mbyllur që më 12 tetor edhe për Ramiz Lladrovcin në Drenas, si dhe për Nismën në Malishevë. Lista Serbe i ka fituar pa balotazh nëntë komuna me shumicë serbe.

Ndërsa struktura e votave për asambletë komunale është ndryshe. Këtu prin Partia Demokratike e Kosovës, e cila në nivel vendi ka marrë më shumë se 186 mijë vota.

Pas saj renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me mbi 182 mijë vota, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje është e treta me rreth 167 mijë vota. AAK-ja ka marrë rreth 86 mijë vota.

Në 18 komuna të tjera do të zhvillohet edhe raundi i dytë më 9 nëntor.

Përballjet në balotazh më 9 nëntor

Përballjet midis Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK):

Gjilan

Fushë-Kosovë

Obiliq

Pejë

Prishtinë

Viti

Përballjet midis Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK):

Mitrovicë

Prizren

Vushtrri

Përballjet midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV):

Gjakovë

Rahovec

Përballjet midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK):

Suharekë

Junik

Përballjet midis Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK):

Dragash

Përballjet midis Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK):

Klinë.

Përfundohet numërimi i votave të diasporës në Gjilan – a shkon komuna në balotazh?

Ka përfunduar numërimi i votave me postë në Komunën e Gjilanit, ku kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari aktual i komunës, Alban Hyseni, ka dalë i pari me 51.76% të votave të diasporës.

Në vend të dytë renditet kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës , Arbër Ismajli, i cili ka marrë 36.53% të votave të ardhura me postë.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të cilat përfshijnë votat brenda territorit të Kosovës, Hyseni prin në Gjilan me 49.76%, ndërsa Ismajli renditet i dyti me 34.24% të votave të fituara.

“Ky rezultat dëshmon mbështetjen e madhe që kemi edhe nga bashkatdhetarët tanë. Faleminderit për besimin e vazhdueshëm,” ka deklaruar shkurt Hyseni në një reagim në rrjetet sociale.

Me këto rezultate, është konfirmuar se Komuna e Gjilanit do të shkojë në balotazh, i cili është paraparë të mbahet më 9 nëntor 2025.

Votat me postë ngushtojnë diferencën mes Ramës e Çekut

Ka përfunduar numërimi i votave me postë në Komunën e Prishtinës.

Në këtë kategori, Hajrullah Çeku i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 571 vota (55.38%), ndërsa Përparim Rama i LDK-së ka marrë 275 vota (26.67%).

Megjithatë, renditja përfundimtare nuk ka ndryshuar.

Sipas rezultateve të përgjithshme, Përparim Rama prin me 35.465 vota, ndërsa Hajrullah Çeku mbetet i dyti me 34.951 vota. Kësisoj, Rama dhe Çeku do të përballen në balotazhin e 9 nëntorit, që do të përcaktojë kryetarin e ardhshëm të Prishtinës.

Numërimi i votave të diasporës drejt fundit

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vijon dita e katërt e numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, proces i cili po shkon drejt fundit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri sot në orën 10:00, janë numëruar 104 kuti në të cilat janë të vendosura pakot me fletëvotime të supozuara nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe 93 kuti të tjera nga zgjedhjet për Kuvende Komunale.

“Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr më 13 dhe 14 tetor nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për RTKlive.

Tutje, sipas tij, nga këto 23 kuti postare, janë tërhequr 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat i janë nënshtruar procesit të vlerësimit.

“ Vlerësimi ka për qëllim të vërtetojë se pako është dërguar nga votuesi i regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës. Numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë aprovuar është 29,636, ndërkaq janë refuzuar 3,977. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 3,660 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, ka thënë Elezi.

Publikohet rezultati përmbledhës, ndryshon renditja në Mitrovicë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatin përmbledhës në komunën e Mitrovicës së Jugut, ku tanimë renditja e kandidatëve për kryetar ka ndryshuar.

Me numërimin e votave të diasporës, Faton Peci i VV-së renditet në vendin e parë me 47.96% të votave, ose në total 15 mijë e 745 vota.

Arian Tahiri i PDK-së tash ka zënë vendin e dytë me 47.60% të votave të grumbulluara, ose gjithsej 15 mijë e 629.

Peci dhe Tahiri do të përballen në balotazh më 9 nëntor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat