Blerim Burjani: Debatet për Exit Poll-et janë humbje energjie

Aktuale

Blerim Burjani: Debatet për Exit Poll-et janë humbje energjie

Nga: A.SH Më: 14 tetor 2025 Në ora: 20:31
Foto ilustrim

Juristi Blerim Burjani vlerëson se debatet rreth exit poll-eve janë të panevojshme, pasi këto kompani nuk mbajnë përgjegjësi për saktësinë e rezultateve.

Sipas tij, exit poll-et janë më shumë spektakël sesa shkencë, dhe akuzat ndaj tyre janë të pavlera. Burjani kritikon edhe analistët televizivë që shpesh flasin pa njohuri të thella politike, duke kthyer debatin në argëtim e jo në analizë serioze.

Postimi i i plotë:

Exit Poll-et dhe Iluzioni i Parashikimit

Është plotësisht absurd dhe humbje energjie të merresh me debatet për exit poll-et: a janë të porositura apo jo, a i qëllojnë rezultatit apo sa janë dështim. Në thelb, këto kompani nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për saktësinë e rezultateve që publikojnë — janë thjesht biznese që ofrojnë një shërbim tregu. Nëse e qëllojnë rezultatin, aq më mirë; nëse jo, askush nuk i kërkon llogari.

Problemi më i madh është se nuk ekziston asnjë mekanizëm që t’i kontrollojë apo t’i ndalë. Për këtë arsye, është e pavlerë t’i akuzosh ose t’u japësh peshë më shumë seç meritojnë. Në fund të ditës, exit poll-et janë më shumë spektakël se sa shkencë.

E njëjta gjë vlen edhe për disa “analistë” që shfaqen çdo natë nëpër studio televizive. Shpesh, ata flasin pa njohuri të mjaftueshme për nocionet themelore të politikës, por me shumë zell për të bërë muhabet e humor. Kjo krijon një atmosferë sipërfaqësore, ku debati politik shndërrohet në argëtim, jo në analizë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat