Kancelari gjerman flet për nevojën e avancimit të dialogut Kosovë-Serbi

Aktuale

Kancelari gjerman flet për nevojën e avancimit të dialogut Kosovë-Serbi

Më: 22 tetor 2025 Në ora: 21:35 Përditësuar në ora: 22:40 më 22.10.2025
Kancelari gjerman, Friedrich Merz gjatë takimit me kryeministrin Keir Starmer në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor

Merz: E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi sonte në Londër, se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

Ai gjatë një takimi me kryeministrin Keir Starmer në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, deklaroi se Procesi i Berlinit përcakton rrugën evropiane.

“Mirë që jam kthyer në Londër për të diskutuar sfidat për sigurinë dhe ekonominë tonë me udhëheqësit nga Ballkani Perëndimor. E ardhmja e tyre është në BE, Procesi i Berlinit përcakton rrugën. Tani më shumë se kurrë jemi të thirrur të jemi të fortë dhe të bashkuar”, ka shkruar Merz në X, raporton KosovaPress.

Ndërsa në njoftimin e qeverisë britanike, thuhet se Merz dhe Starmer ranë dakord se nuk mund të ketë vendim për të ardhmen e Ukrainës pa Ukrainën dhe përsëritën vendosmërinë e tyre për të vazhduar punën me partnerët për të qëndruar në krah të Ukrainës.

Kryeministri Starmer theksoi se të gjithë duhet të jemi të vendosur në mbështetjen për Ukrainën dhe të angazhohen për të intensifikuar përpjekjet për të paralizuar makinën e luftës së Vladimir Putin, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Starmer e Merz ranë dakord se Ukraina duhet të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm para, gjatë dhe pas çdo armëpushimi. 

Kancelari gjerman flet për nevojën e avancimit të dialogut Kosovë-Serbi

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, bëri thirrje të qartë për avancimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese.

“Ne kemi nevojë urgjente për përparim në procesin e normalizimit midis Prishtinës dhe Beogradit. Zbatimi i besueshëm dhe i plotë i marrëveshjeve të arritura tashmë është kyç. Rreth kësaj tryeze do të gjeni vende të gatshme për të mbështetur, përfshirë edhe vendin tim, Gjermaninë, por gjithçka varet nga angazhimi juaj,” tha Merz.

Ai shtoi se një qëndrim i përbashkët mbi pajtimin dhe fqinjësinë e mirë është arritur, por tani është koha për ta bërë këtë realitet.

“E ardhmja e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian dhe Procesi i Berlinit po ndihmon në këtë rrugë. Sa kohë do të duhet për të arritur atje varet nga secili vend. Reformat janë çelësi dhe Bashkimi Evropian nuk mund dhe nuk do të bëjë asnjë kompromis këtu, sepse kjo nuk do të ishte në interes të të ardhmes së vendeve kandidate,” përfundoi kancelari gjerman.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat