Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës e parasheh qartë mundësinë e mandatarit të dytë për formimin e qeverisë, në rast se dështon i pari.
Ai ka sqaruar se vendi mund të shkojë në zgjedhje pa tentuar herën e dytë vetëm nëse asnjë subjekt nuk është i interesuar për këtë mundësi.
Sipas tij, qëllimi është të shfrytëzohet çdo mundësi për të formuar qeverinë para shpalljes së zgjedhjeve të reja. Murati shtoi se mandatarit të dytë, njësoj si të parit, i jepen 15 ditë për të siguruar shumicën parlamentare, ndërsa vendimi për emërimin e tij mbetet në diskrecion të Presidentes.
Postimi i plotë:
Kushtetuta jo rastësisht e parasheh edhe mundësinë e mandatarit të dytë për formim të qeverisë, në rast se dështon i pari.
Madje mënyra se si është e shkruar Kushtetuta, pothuajse nuk jep hapësirë që të mos ketë mandatar të dytë. Pra vendi shkon në zgjedhje pa e tentuar herën e dytë, vetëm nëse asnjë subjekt nuk është i interesuar për tentativën e dytë.
Sepse synimi është që të shfrytëzohet çdo mundësi për formim të qeverisë para se vendi të dërgohet përsëri në zgjedhje.
Dhe ngjashëm sikurse mandatari i parë, edhe i dyti, sipas Kushtetutës i ka 15 ditë kohë për të siguruar shumicën e nevojshme.
Vendimi për mandatar të dytë është në diskrecion të Presidentes, e cila mandaton personin që ka GJASAT MË TË MËDHA për të formuar qeverinë.