Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas festimeve të partive politike për rezultatet zgjedhore, duke kërkuar më shumë solidaritet me kandidatët që nuk arritën fitore.
Në një postim në rrjete sociale, Ahmeti ka thënë se do të dëshironte që liderët e subjekteve politike të festonin edhe me ata kandidatë që nuk fituan, por që dhanë maksimumin për partinë.
“Mbrëmë, Albin Kurtin do të doja ta shihja edhe me Hajrullah Çekun, Taulant Kelmendin e Ardian Golën përveç festimit me Faton Pecin. Mbrëmë, Memli Krasniqin do të doja ta shihja edhe me Arian Tahirin përveç festimit me Shaqir Totajn. Mbrëmë, Lumir Abdixhikun do të doja ta shihja edhe me Xhafer Gashin përveç festimit me Përparim Ramën,” – ka shkruar Ahmeti.
Sipas tij, të gjithë këta kandidatë kanë dhënë maksimumin personal duke ekspozuar veten për t’i ndihmuar subjekteve të tyre politike.
Ahmeti ka shtuar se disa prej tyre mund të ankohen për mungesë mbështetjeje nga partia në garat e tyre, por theksoi se “krediti për fitore shkon bashkë me përgjegjësinë për humbje”.