Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar numërimi i fletëvotimeve të votimit me postë për balotazh të kryetarëve në 18 komuna, raporton KosovaPress.
KQZ-ja ka pranuar gjithsej 12.018 pako me fletëvotime të supozuara, prej tyre 8.932 janë aprovuar dhe 3.086 të refuzuara.
Arsyeja kryesore e refuzimit sipas KQZ-së është mungesa e dëftesës së regjistrimit në 3.009 raste.
Gjatë 11–12 nëntorit janë tërhequr 13,084 pako nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete.
Numri i votuesve të regjistruar për postë për 18 komuna ishte 29 mijë e 752.
Të hënën procesi i numërimit do të vazhdojë për një pjesë të pakove që janë tërhequr nga kutitë postare në SHBA dhe Australi.
Të premten, KQZ ka numëruar rreth 750 fletëvotime nga votimi me kusht i mundësuar në vendvotime të veçanta dhe 1.441 fletëvotime nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i mundësuar jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile.
Rezultatet nga numërimi i fletëvotimeve me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta janë publikuar në platformën e rezultateve: https://resultslocal2025r2.kqz-ks.org/ në hapësirën e veçantë Rezultatet QNR. Në të njëjtën platformë do të publikohen dhe rezultatet pas numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës.