​Ky është fletëvotimi për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Aktuale

​Ky është fletëvotimi për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Më: 8 dhjetor 2025 Në ora: 14:31
KQZ

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit që do të përdoret në vendvotimet brenda vendit për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Fletëvotimi do të jetë në gjuhën shqipe dhe serbe.

Shefi i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, tha se Zyra Ligjore ka konstatuar se fletëvotimi duhet të jetë në gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe.

Fletëvotimi duhet të jetë në gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe, theksoi Buzhala

“Zyra Ligjore konstaton se fletëvotimi për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës duhet të përdoret në dy gjuhë zyrtare: gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe”, tha ai.

Mirëpo, anëtarja e KQZ-së nga komuniteti turk, Mufera Sinik, tha se në Komunën e Prizrenit dhe Mamushës duhet të jetë edhe gjuha turke në fletëvotim.

Image
Fletëvotimi

Kjo është kërkesa e anëtares së KQZ-së nga komuniteti turk?

“Kemi qenë dakord se ka me qenë në Prizren edhe gjuha turke. Gjuha turke si gjuha shqipe dhe serbe bashkë në Mamushë dhe Prizren”, tha ajo.

Një kërkesë e tillë nuk u mor parasysh nga anëtarët e KQZ-së, derisa kryesuesi i këtij institucioni, Kreshnik Radoniqi, tha se ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Vendimi i KQZ-së vjen pas tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në këtë fletëvotim. Fletëvotimi përmban 24 subjektet politike pjesëmarrëse në këtë proces zgjedhor, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Në mbledhjen e kaluar, KQZ ka miratuar fletëvotimin për votimin jashtë Kosovës, i cili është i njëjtë si në përmbajtje ashtu edhe në dizajn.

KQZ poashtu mori vendim për miratimin e formulës për përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve të rregullta, vendvotimeve me kusht dhe ekipeve të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat