Kandidati i LVV-së për kryeministër voton në Prishtinë
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, votoi në Prishtinë rreth orës 9:40.
“Shpresoj që pjesëmarrja të jetë masive”, tha Kurti para gazetarëve.
Deri më tash në shkollën “Rifat Gjota” në Pejë kanë votuar mbi 8 mijë qytetarë
Qytetarët e Kosovës sot po ushtrojnë të drejtën e votimit.
Dita e zgjedhjeve ka nisur me intensitet të lartë në të gjithë vendin, ndërsa shkolla fillore “Rifat Gjota” në Pejë është shënuar si qendra e votimit me numrin më të madh të votuesve, deri tash në këtë shkollë kanë votua rreth 8.500 qytetarë të regjistruar për të votuar.
Që nga orët e hershme të mëngjesit, në këtë qendër votimi është vërejtur një fluks i madh i votuesve, ndërsa procesi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie dhe monitorimi nga institucionet kompetente.
Policia e Kosovës është e pranishme për të garantuar rendin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj voton në Gllogjan
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka votuar sot së bashku me nënën e tij, Rukën, dhe familjarët e tjerë.
“Unë me nanën Rukë, me Suzanën, gruja e Shkëlzenit, motrën Valbonën që ka ardhur prej Gjermanie, votuam në Gllogjan. E shfrytëzuam të drejtën me votu”, tha Haradinaj, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve.
Ai bëri thirrje që të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të marrin pjesë në vendimmarrjen për vendin.
Bëjë thirrje qytetarëve, të gjithëve, ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të votojnë të vendosin. Ky është vendimi i tyre më i madh, e t’i dalin krah Kosovës gjithë”, përfundoi Haradinaj.
Këtu mund ta gjeni qendrën tuaj të votimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote se tashmë mund të kontrollojnë lehtësisht vendndodhjen e Qendrës së Votimit përmes platformës elektronike në adresën https://qv.kqz-ks.org .
Për t’u qasur në platformë, votuesi duhet të fusë numrin personal të Republikës së Kosovës dhe datën e lindjes.
Pas kësaj, hapet një faqe ku shfaqen të dhënat e votuesit, përfshirë adresën e saktë të Qendrës së Votimit, e cila mund të shihet edhe përmes Google Maps.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po i përditëson të dhënat lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Në përditësimin e fundit, KQZ njofton se kanë votuan 51 mijë e 163 qytetarë.
Shprehur në përqindje deri tash të drejtën e shfrytëzuan 2.56% e qytetarëve.
Kandidati i AAK-së për kryeministër voton në Gllogjan
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, votoi rreth orës 09:00 në Gllogjan.
Pas hedhjes së votës, ai u prononcua shkurtimisht para mediave, duke bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Lista Serbe nis votimin kolektiv në Mitrovicën e Veriut
Pjesëtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë, kanë dalë për të votuar në mënyrë kolektive nga qendra e Mitrovicës së Veriut, në krye me kryetarin e partisë, Zllatan Ellek.
Votimi kolektiv është bërë një praktikë e zakonshme sa herë që Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje.
Në garë për dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, përveç Listës Serbe, janë regjistruar edhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit dhe Lidhja Kosovare e Goran Marinkoviqit.
Votimi me kusht, këto janë 38 qendrat e votimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka miratuar listën e përgithshme të qendrave të votimit në të cilat do të zhvllohet procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme të vendit.
Duke u bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, me qëllim të mundësimit të votimit me kusht, KQZ ka caktuar në çdo komunë nga një qendër votimi me kusht.
Pra, në të gjithë vendin janë vetëm 38 qendra votimi me gjithsej 57 vendvotime në të cilat lejohet votimi me kusht.
“Në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, votimi me kusht është i mundur për votuesin në cilëndo komunë, pasi Kosova është një zonë e vetme zgjedhore dhe në çdo komunë shpërndahen fletëvotimet me përmbajtjen e njëjtë”, thuhet nga KQZ.
Elezi: Qendrat e votimit janë hapur me kohë
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, bëri të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur sipas planit.
Në konferencën e parë për media, Elezi tha se materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë me kohë në të gjitha vendvotimet.
Ai u bëri thirrje qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Elezi shtoi se KQZ-ja do të nisë në mbrëmje publikimin e rezultateve preliminare, para orës 20:00.
Kush është në garë?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi gjithsej 24 subjekte politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Në mesin e tyre janë 18 parti politike, tri koalicione parazgjedhore, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Në garë për ulëse në Kuvendin e Kosovës janë 1.146 kandidatë për deputetë, të certifikuar nga KQZ-ja nga të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, ndërsa 61 mandate janë të nevojshme për të siguruar shumicën parlamentare dhe formimin e Qeverisë.