Përfundon numërimi i votave: VV fituese e padiskutueshme – ja si do të duket legjislatura e re

Aktuale

Përfundon numërimi i votave: VV fituese e padiskutueshme – ja si do të duket legjislatura e re

Më: 28 dhjetor 2025 Në ora: 08:13 Përditësuar në ora: 12:32 më 28.12.2025
Kuvendi i Kosovës

Osmani voton në Prishtinë, uron zgjedhje të qeta

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, votoi pak pas mesditës në Prishtinë.

Pas hedhjes së votës, ajo uroi që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të qetë, të rregullt dhe demokratike.

Osmani shfaqi shpresën për një pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në procesin zgjedhor, ndërsa tha, gjithashtu, se pret që rezultatet të mundësojnë formimin sa më të shpejtë të Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës.

Kryetari i KQZ-së: Në 6 qendra ka probleme me rrymën, në Rahovec janë hasur fletëvotime me shenja tek numrat

Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se në gjashtë qendra votimit në gjashtë komuna të vendit ka probleme me energji elektrike.

Ai ka treguar se për këtë është njoftuar KEDS dhe se janë në kontakt me kompaninë.

“Sipas raportit të orës 11:00, në Dhomën Operative të KQZ-së janë raportuar probleme me mungesë të energjisë elektrike në 6 Qendra të Votimit që i takojnë 6 komunave: Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan. Komisionet Komunale të Zgjedhjeve kanë njoftuar KEDS-in lidhur me këtë.”, ka thënë Radoniqi, shkruan Express.

Ai gjithashtu ka treguar edhe për njoftimet që janë pranuar nga komuna e Rahovecit, ku janë vërejtur fletëvotime me shenja të dukshme tek numrat.

 “Po ashtu, kemi pranuar njoftim nga komuna e Rahovecit, ku në Qendra të Votimit është vërejtur se fletëvotimet kanë shenja të dukshme në numra. Kjo ka shkaktuar ankesa ankesa në radhët e këshillave të vendvotimeve.”, ka thënë Radoniqi.

Radoniqi: Deri në ora 11:00 kanë votuar 8.27 për qind e votuesve

Kryetari i KQZ’së, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në ora 11:00 është 165 mijë e 404 votues apo 8.27% nga 1 milionë e 999 mijë e 204 votues. 

“Po ashtu, duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga rreth 94% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 165 mijë e 404 votues apo 8.27% nga 1 milionë e 999 mijë e 204 votues. 

Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025, sipas të dhënave nga rreth 93% e vendvotimeve, kishin votuar 8.58% apo 169,650 votues nga 1 milionë e 970 mijë e 944 votues.”

“Konferenca e tretë e KQZ-së mbahet në orën 15:30, në të cilën është planifikuar të paraqitet pjesëmarrja në votime deri në orën 15:00 dhe ecuria e procesit zgjedhor deri në atë kohë.”

Limaj: Dita e vendimmarrjes e çdo qytetari, për ta bërë këtë shtet më të pjekur, më të fortë

Kryetari i Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj ka ushtruar të drejtën e tij të votës në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.

Pas votimit të tij, Limaj tha se sot është dita e vendimmarrjes e çdo qytetari për ta bërë shtetin më të fortë e funksional.

Limaj shpreson se qytetarët sot do vendosin për fëmijët e vendit dhe për forcën e shtetit për katër vitet e ardhshme.

“Një ditë e rëndësishme për demokracinë e Kosovës, shtetin tonë. Dita e vendimmarrjes e çdo qytetari, për ta bërë këtë shtet më të pjekur, më të fortë, konsistent, funksional. Vendimmarrja sot është në dorën e çdo qytetari, për t’i dhënë një mundësi e shpresë zhvillimit të shtetit të Kosovës. Shpresoj që çdo qytetarë sot do vendosi për fëmijët tanë, për këtë shtet, për forcën e shtetit, zhvillimin, funksionimin. Mos harroni sot vendosni për katër vite në dorën e kujt do ta leni parlamentin e Kosovës dhe funksionimin e shtetit, prandaj është një vendimmarrje shumë e rëndësishme”, tha Limaj.

Në këtë qendër votimi të drejtë vote kanë 5 mijë e 273 qytetarë, ndërsa numri i votuesve që kanë votuar deri në ora 11:00 është 462 qytetarë.

Ndërkohë, në komunën e Prishtinës, të drejtë vote kanë 219 mijë e 516 qytetarë, deri në ora 11:00 kanë votuar 23 mijë e 935.

KQZ: Deri në orën 11:00 kanë votuar 116 mijë qytetarë

Qytetarët e Kosovës sot po ushtrojnë të drejtën e votimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar publikimin e statistikave mbi pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sipas të dhënave të fundit, deri në orën 11:00, në Republiken e Kosovës kanë votuar 116 mijë e 405 votues nga 1 milionë e 999 mijë e 204 persona që kanë të drejtë vote.

Image
KQZ: Deri në orën 11:00 kanë votuar 116 mijë qytetarë

Sipas të dhënave, deri më tani kanë votuar 116 mijë e 405 qytetarë, apo 5.82%.

Voton Dimal Basha: Jashtëzakonisht e rëndësishme që qytetarët të votojnë në numër sa më të lartë

Më herët, kryetari i kuvendit Dimal Basha ka shfrytëzuar të drejtën e tij për votë.

Basha ka votuar në një qendër votimi në Ferizaj.

Pasi votoi, Basha para gazetarëve tha se “sot është ditë festë për demokracinë”.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që qytetarët të votojnë në numër sa më të lartë”, tha ai.

Voton Abdixhiku: Në këtë ditë vendimmarrja i kthehet sovranit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku ka votuar në Prishtinë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ai tha se në këtë ditë vendimmarrja i kthehet sovranit.

“Është ditë e mirë ditë e mbarë dhe le të shpresojmë që në vazhdimësi i gjithë procesi i votimit do të shkojë mirë. Uroj që qytetarët e Kosovës në këtë ditë të rëndësishme që përcakton fatin e katër viteve të ardhshme të zgjedhin për zhvillim, stabilitet e për të ardhme euroatlantike të Republikës së Kosovës".

Abdixhiku ka falënderuar komisionerët dhe vëzhguesit, Prokurorinë, Policinë dhe mediat.

“Që edhe në këtë ditë të madhe të demokracisë vazhdoni të bëni punën e domosdoshme. Le të shpresojmë që gjithçka do të shkojë mbarë e mirë e le të fitojë populli i Kosovës”, deklaroi Abdixhiku.

Veç 4 qytetarë kanë votuar në këtë komunë deri më tani

Qytetarët e Kosovës sot po ushtrojnë të drejtën e votimit.

Nga 6 mijë e 498 votues, deri më tani kanë votuar 4 qytetarë në Zubin Potok.

Kështu tregojnë të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të paraqitura deri më tani

Image
Të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Zubin Potok

Ndërsa, pjesëmarrja e qytetarëve në komunat e Kosovës llogaritet të jetë 2.64 për qind.

KQZ publikon të dhënat - ky është numri i qytetarëve që kanë votuar deri ora 10:00

Kosova voton sot për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pas dështimit për muaj të tërë për formimin e institucioneve të vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se fillimi i procesit të votimit ka nisur nga ora 07:00 të mëngjesit.

Sipas platformës së KQZ-së për publikimin e rezultateve preliminare dhe statistikave për pjesëmarrjen në votime për çdo komunë interesimi i qytetarëve për të votuar në orët e para është i ulët.

Numri i votuesve që kanë votuar deri në orë 10:19 është 52 mijë e 768 apo 2.64% e votuesve.

Këto janë rezultatet e para të publikuara nga KQZ nga 2 mijë e 446 vendvotime të procesuara nga 2557 apo 95.66% të vendvotimeve.

Bedri Hamza hedh votën e tij

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, hodhi sot votën e tij për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës në Shkollën “Anton Zako Çajupi” në Mitrovicë.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po i përditëson të dhënat lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Në përditësimin e fundit, KQZ njofton se kanë votuan 51 mijë e 163 qytetarë.

Shprehur në përqindje deri tash të drejtën e shfrytëzuan 2.56% e qytetarëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat