Përfundon numërimi i votave: VV fituese e padiskutueshme – ja si do të duket legjislatura e re

Aktuale

Përfundon numërimi i votave: VV fituese e padiskutueshme – ja si do të duket legjislatura e re

Më: 28 dhjetor 2025 Në ora: 08:13 Përditësuar në ora: 10:54 më 06.01.2026
Kuvendi i Kosovës

Numërimi i votave me kusht: VV kryeson, pasojnë PDK dhe LDK

Nga: A.M.

KQZ po vazhdon me numërimin e votave për kandidatë për deputetë.

Der më tani, janë numëruar 43,86% e votave me kusht, derisa kanë mbetur edhe 30 kuti për të përfundur edhe ky lloj i votave, transmeton “Bota sot”.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në këtë proces po vazhdon të prijë Lëvizja Vetëvendosje prin me 51,60 për qind apo 1840 vota.

Vendin e dytë e zë Partia Demokratike e Kosovës, me 20.53 për qind apo 732 vota.

E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës 11.10 për qind apo 396 vota.

Kurse, në vendin e katër është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka arritur t’i marrë vetëm 288 vota apo 8.08%.

Numërohen mbi 30% e votave me kusht, prin VV-ja

Janë numëruar 31.58% e votave me kusht, derisa ende po vazhdon numërimi i tyre.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në këtë proces prin Lëvizja Vetëvendosje prin me 49.81 për qind apo 1313 vota.

Vendin e dytë e zë Partia Demokratike e Kosovës, me 20.45 për qind apo 539 vota.

E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës 11.65 për qind apo 307 vota.

Kurse, në vendin e katër është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka arritur t’i marrë 236 vota apo 8.95%.

Numërohen mbi 15% të votave me kusht, kjo është renditja e partive politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me numërimin e votave më kusht për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Tashmë kur janë numëruar mbi 15% e votave, Lëvizja Vetëvendosje prin me 64.98% apo 381 vota.

LDK renditet e dyta me 15.91% apo 129 vota, e pasuar nga AAK me 13.81% apo 112 vota.

Votat me kusht e rendisin PDK-në në vendin e katër me 12.08%, apo 98 vota.

Kujtojmë që KQZ pas përfundimit të numërimi të votave me post, në orët e mbrëmjes ka nisur numërimin e votave me kusht.

Elezi: Fillon numërimi i votave me kusht, pas tyre do të numërohen edhe votat tjera me postë

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se ka filluar numërimi i votave me kusht dhe atyre me nevoja të veçanta.

Elezi ka thënë se sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2,860.

Deklarata e plotë e Elezit:

Mund t’iu konfirmoj se sonte (e hënë, 5 janar 2026, ora 20:00) në QNR ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2,860.

Në ndërkohë, në QNR është duke u bërë vlerësimi dhe verifikimi i pakove me fletëvotime nga tërheqjet e realizuara më 2 janar nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, Neë York, Kanbera dhe Kopenhagë, nga ku janë tërhequr 8,180 pako të tjera me fletëvotime, të cilat gjatë ditës së hënë, më 5 janar, janë sjellur në Kosovë. Pas vlerësimit dhe verifikimit, KQZ do të numëroj fletëvotimet e aprovuara.

Gjithashtu, KQZ ka përmbyllur procesin e tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës.

Më 5 janar, nga 13 kutitë postare, në: Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11,867 pako me fletëvotime, të cilat, pasi të arrijnë në Kosovë do t’i nënshtrohen procedurave të njëjta, para numërimit.

Përditësimi i fundit nga KQZ: VV e fiton mandatin e 57-të, PDK e humb një deputet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me numërimin e votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Bazuar nga rezultatet e përditësuara nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje e ka fituar edhe një mandat.

Sipas kalkulatorit për mandatet në Kuvend, VV do të ketë 57 deputetë.

Kjo ka bërë që PDK të humbë një mandat, duke rënë në 22 deputetë.

Kurse të LDK dhe AAK nuk ka ndryshim.

LDK do të ketë 15, ndërsa AAK 6. 

Numërohen 96. 62 % të votave

KQZ ka numëruar 96. 62 % të votave. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 50.67% apo 467,125 Vota, Partia Demokratike e Kosovës 20.43% apo 188,317 Vota, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.33% apo 122,938 Vota, duke u pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.52% apo 50,913 Vota.

Elezi: Përmbyllet procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga diaspora

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar sot procesin e tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare jashtë Kosovës, të destinuara për votimin me postë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se nga dhjetori i vitit 2025 deri më 5 janar 2026 janë tërhequr gjithsej 48,602 pako me fletëvotime, ndërkohë që rreth 58 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar përmes postës.

Sipas Elezit, më 23 dhe 29 dhjetor 2025 nga kutitë postare në Berlin dhe Bernë janë tërhequr 28,555 pako. Pas vlerësimit, 27,600 prej tyre janë aprovuar, ndërsa 955 janë refuzuar për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm, kryesisht dëftesës së regjistrimit të votuesit. Numërimi i këtyre fletëvotimeve ka nisur më 3 janar dhe pritet të përfundojë gjatë ditës së 5 janarit.

Procesi ka vazhduar më 2 janar 2026, kur nga kutitë postare në disa qytete ndërkombëtare, përfshirë Pragën, Londrën, Parisin, Stambollin, New York-un dhe Kanberrën, janë tërhequr edhe 8,180 pako të tjera, të cilat tashmë janë transportuar në Kosovë.

Ndërkaq, më 5 janar është përmbyllur tërheqja e fundit e pakove nga 13 kuti postare të vendosura në qytete të ndryshme evropiane dhe rajonale, prej nga janë mbledhur edhe 11,867 pako me fletëvotime.

KQZ ka njoftuar se të gjitha pakot e tërhequra më 2 dhe 5 janar do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit dhe vetëm ato që plotësojnë kriteret ligjore do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Për lehtësimin e votimit nga jashtë vendit, KQZ kishte funksionalizuar kuti postare në 23 shtete të ndryshme të botës.

Rezultatet e përmbledhura: Mbi gjysma e votave për Vetëvendosjen, PDK e LDK në hije

Sipas KQZ-së, tani janë numëruar 96,55% e vendvotimeve. LVV ka mbledhur 50.65 %, apo 466, 654 vota. PDK ka fituar 20.43 % apo 188.268 vota, LDK 13.34 % apo 122.885 vota, kurse AAK 5.53 % apo 50.908 vota

Votat me postë: Numërimi drejt fundit, këto janë rezultatet me pak ndryshime

Procesi i numërimit të votave me postë për zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar, tashmë është drejt fundit.

Nga përditësimi i fundit, i para pak minutave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, del se janë numëruar mbi 90 për qind të votave.

Ndryshimi është i vogël, bazuar në rezultatet e publikuara.

KQZ: Numërohen 68 nga 92 kuti nga votimi përmes postës

KQZ njofton se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës.

Nga fillimi i procesit (e shtunë, 3 janar, ora 16:00) dhe deri më tani (e hënë, 5 janar, ora 10:00), janë numëruar 68 nga 92 kuti votimi, brenda të cilave janë vendosur pakot me fletëvotime që deri më tani janë sjellur në Kosovë. 

"Fletëvotimet e numëruara u takojnë komunave: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime dhe Viti", njofton KQZ.

Në platformën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/ janë duke u përditësuar të dhënat kohë pas kohe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat