LDK: Çdo hap i përbashkët me SHBA-në forcon sigurinë tonë kombëtare

Aktuale

LDK: Çdo hap i përbashkët me SHBA-në forcon sigurinë tonë kombëtare

Më: 22 janar 2026 Në ora: 14:12
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në një iniciativë ndërkombëtare për paqen, të udhëhequr nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si një moment historik që tejkalon lajmet e përditshme.

“Për një shtet që ka kaluar nga lufta në liri, falë edhe ndërhyrjes ndërkombëtare, prania në tryezat ku diskutohet paqja globale është edhe dëshmi, edhe përgjegjësi. Dëshmi e suksesit tonë, përgjegjësi për rolin tonë si shtet i ri. Është shenjë se Kosova nuk shihet vetëm si përfituese e paqes, por edhe si pjesë e saj”, ka thënë Abdixhiku.

Ai shtoi se në një botë gjithnjë e më të ndjeshme dhe të paqëndrueshme, çdo bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës forcon sigurinë kombëtare të Kosovës, thellon aleancat strategjike dhe e vendos vendin “aty ku i takon; në anën e paqes dhe aleancave të drejta.”

LDK-ja e mbështet këtë hap drejt një kapitulli të ri dhe e konsideron këtë si një arritje historike, që reflekton sukseset kombëtare të Kosovës dhe për të cilat mund të mburremi të gjithë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat