“Tym i bardhë” në LDK: Abdixhiku i mbijeton votëbesimit

Aktuale

“Tym i bardhë” në LDK: Abdixhiku i mbijeton votëbesimit

Më: 31 janar 2026 Në ora: 08:22 Përditësuar në ora: 21:09 më 31.01.2026
Lumir Abdixhiku

​Abdixhiku i hapur të diskutojë për presidentin, fton të pakënaqurit në ‘shtëpinë’ e tyre politike

Për mbi shtatë orë ka zgjatur Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku pati vetëm një pikë të rendit të ditës. Përmes votës së fshehtë, delegatët e kësaj partie votuan kundër dorëheqjes së kryetarit, Lumir Abdixhiku. Ai pas përmbylljes së punimeve u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve që të kthehen, siç tha ai, brenda shtëpisë së tyre politike.

Ai tha se rezultati nga votimi i fshehtë është reflektim i anëtarësisë, për çka shtoi se pasqyrim edhe për vet atë.

Abdixhiku: Zotohem se do t’i afroj të gjithë

“Përmbi shtatë orë diskutime në Kuvendin e Punës, në Kuvendin e thirrur nga unë, prodhuan demokracinë maksimale që një parti politike mund ta ketë. Dhe kjo demokraci maksimale na vjen në formë të debatit të hapur, konstruktiv brenda anëtarëve të familjes sonë politike dhe në fund, si në asnjë rast tjetër, një proces i paraqitjes së dorëheqjes dhe nisjes së votëbesimit mbi kryetarin e një partie nëpërmjet votimit të fshehtë. Mendoj se më shumë se kaq s'mund të shkojë një parti politike, jo në Kosovë, jo se jo në rajon, po dhe në pak vende të tjera të botës....Tani, me votim të mbyllur, u dha verdikti i anëtarësisë së LDK-së, për të cilin jam falënderues, por po ashtu jam dhe mirënjohës i mbështetjes së vazhdueshme, por dhe kundërshtimeve në këtë proces përpara. Zotohem se do t'i afroj të gjithë, dhe me këtë afrim nënkuptoj që të gjejmë më të mirën brenda vetes, të ruajmë unitetin, por të jemi të sinqertë me popullin e Kosovës dhe me vlerat themeltare që i kemi si LDK”, ka thënë Abdixhiku.

Kreu i LDK-së tha se në kuvendin e sotëm kanë miratuar edhe deklarata, njëra mbi gjendjen politike në vend, tjetra për organizimin brenda partisë. Ai tha se riorganizimi brenda LDK-së duhet të fillojë sa më parë, me qëllim që të jetë funksionale çdo degë e nëndegë e partisë.

Abdixhiku thirrje për të pakënaqurit: Kemi nevojë për secilin

“Dhe prandaj unë sot këtu i bëj thirrje të gjithëve, të gjithëve, pa dallim, edhe ata që kanë qenë të kënaqur me mua, por dhe ata sidomos ata që kanë qenë të pakënaqur me politikën e LDK-së, edhe ata që kanë pasur funksione të larta, të vijnë, të rreshtohen prapa qëllimit të përbashkët të anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Jemi pak, kemi nevojë për secilin, do të punojmë ta kemi secilin. Natyrisht, pas çdo vendimi të shumicës, do të ketë rreshtim prapa një ideje më madhore. Dhe kjo ide më madhore na obligon të gjithëve që të sillemi me përgjegjësi. Gjërat s'mund të vazhdojnë siç i kemi pasur deri tani. Procesi demokratik është proces i cili ka fillim dhe një përfundim. Tash e tutje, përkatësisht nga e hëna, do të kemi një angazhim strukturor gjithandej Kosovës me njerëzit më të mirë që i ka Lidhja Demokratike e Kosovës. I bëj thirrje të gjithëve edhe njëherë, edhe ata të dëshpëruarit, të larguarit, të dorëhiqurit ose jo, të kthehen brenda shtëpisë së tyre politike në funksion të plotë politik dhe besoj se do të gjejnë hapësirën e vet brenda besimit që duhet ta kenë mbi vullnetin e anëtarësisë”, shtoi ai.

Tutje, pas përfundimit të punimeve të kuvendit, Abdixhiku tha se “askush nuk është mbi anëtarësinë”. Ai tha se zgjedhjet e brendshme të LDK-së mbahen pas dy viteve, për çka tha se “praktikat e vjetra duhet të mbarojnë”.

Abdixhiku: Individualizmat brenda një shtëpie politike nuk shkojnë

“Secili anëtar i LDK-së është i domosdoshëm për LDK-në. Nuk po flasim për përjashtime, nuk po flasim për largime. Mund të kemi mendime të ndryshme por kemi një qëllim të madh dhe kemi një shtëpi politike. Për informatën tuaj, nga ky moment deri sa ta bëjmë kryesinë e re, asnjë anëtar nuk ka pozicione të kryesisë, prandaj edhe dorëheqjet janë të pa kuptimta. Pra unë do të propozoj, kam marrë autorizime që në konsultim me kolegët të propozojmë kryesinë e re politike statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Prandaj janë të mirëseardhur, në qoftë se veç kanë vendosur të mos mbajnë angazhim të rolit të parë, ne do të provojmë t'i bindim, t'i bindim me plot zemër, me plot kërkesë, por në qoftë se vërtetë s'duan, e tëra çka na mbetet është t'i falenderojmë për angazhim dhe t'i ruajmë si asete sepse kemi çfarë të provojmë. Por na duhet një gjë ta kuptojmë se më individualizmat brenda një shtëpie politike nuk shkojnë”, shtoi ai më tej.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku është i gatshëm që të diskutojë me të gjithë sa i përket zgjedhjes së presidentit. për diskutim sa i përket çështjes së presidentit.

A është i gatshëm Abdixhiku të diskutojë për presidentin?

“Kemi diskutuar se na duhet komunikim politik brenda spektrit politik. Dhe kjo është shumë e natyrshme. Kur flasim për marrëveshje politike, nuk e kemi fjalën për pazare politike. Kemi fjalën që duhet të ulen partitë që t'i bëjnë numrat për të bërë një president të ardhshëm të Republikës së Kosovës. Prandaj jam i gatshëm të flas me gjithë spektrin politik për t'i dhënë zgjidhje çështjes shumë të rëndësishme të presidentit i cili duhet të jetë konsensual dhe të përfaqësojë unitetin kombëtar të Republikës së Kosovës. Kjo është fryma e deklaratës politike që do të bëhet publike. Pra po, jemi të gatshëm të flasim dhe të shohim se çfarë alternative sjell i gjithë Kuvendi i Republikës së Kosovës, ose së paku dy të tretat e këtij Kuvendi. Prandaj kur themi marrëveshje politike, mos e merrni si të rëndë, të gabueshme. Është gjëja më bazike që demokracia bën. Na duhet të ulemi për të bërë një shumicë, përndryshe si do të bëhet ajo shumicë? Nëse s'ulemi për t'u marrë vesh për presidentin, si i bëjmë numrat për presidentin?”, ka thënë Abdixhiku.

“Edhe të dorëhequrit e të larguarit, rikthehuni në LDK” – thirrja e Abdixhikut pasi i mbijetoi votëbesimit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, foli pas përfundimit të punimeve të Kuvendit të Punës, duke vlerësuar procesin si shembull të demokracisë brendapartiake.

Ai tha se partia ka arritur të realizojë maksimumin e mundshëm në një proces të tillë dhe falënderoi delegatët për pjesëmarrjen aktive.

Në deklarimin e tij të parë pas mbylljes së punimeve, Abdixhiku tha se më shumë se kaq një parti politike s’mund të bëjë. Ai gjithashtu njoftoi se gjatë kuvendit janë miratuar dy deklarata: njëra mbi gjendjen politike në vend dhe tjetra mbi organizimin e LDK-së.

Riorganizimi i partisë do të nisë shumë shpejt në të gjitha degët dhe nëndegët, me fokus te përfshirja e të gjithë anëtarësisë dhe forca e bashkëpunimit brenda LDK-së.

“Jam mirënjohës i mbështetjes së vazhduieshme, por edhe kundërshtimeve në këtë procees. Zotohem se do t’i afroj të gjithë”, deklaroi Abdixhiku.

Ai shtoi se mbështetja e sotme është jo vetëm privilegj dhe përgjegjësi, por edhe barrë për rrugën që ka përpara LDK-ja.

“Mbështetja e sotme është privilegj dhe përgjegjësi, por mbi të gjitha barrë për rrugën që ka përpara LDK-ja. Kjo rrugë përpara quhet rimëkëmbje, dhe nuk bëhet me natyrën e fituesit ose humbësit, por bëhet me përafrimin e anëtarësisë. U bëj thirrje të gjithëve pa dallim, edhe ata që kanë qenë të kënaqur me mua, por në veçanti ata që s’kanë qenë, edhe ata që kanë mbajtur funksione të larta, të vijnë të rreshtohen prapa qëllimit të përbashkët të anëtarësisë së LDK-së. Jemi pak, prandaj kemi nevojë për të gjithë, do të punojmë ta kemi secilin”.

“U bëj thirrje të gjithëve edhe një herë, edhe të dëshpëruarit, të larguarit, të dorëhequrit ose jo, të kthehen në shtëpinë e tyre politike në funksion të plotë politik, dhe besoj se do të gjejnë hapësirën e vet. Askush nuk do të jetë mbi anëtarësinë, e as kryetari”, deklaroi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Avdullah Hoti shmang deklaratat pas Kuvendit të LDK-së

Shumica e delegatëve të LDK-së në Kuvendin e Punës të kësaj partie, ia kanë besuar Lumir Abdixhikut vazhdimin e kryetarllëkut.

E pas votimit, nga salla dolën delegatët për një pauzë.

Në mesin e tyre ishte edhe kundërkandidati i Abdixhikut, Avdullah Hoti.

“Faleminderit, faleminderit, faleminderit”, ishte krejt çfarë pati ai të thoshte pas pyetjeve të gazetarëve.

Nga 300 delegatët e pranishëm në sallë, 164 votuan kundër dorëheqjes së Abdixhikut, dhe 136 pro.

Çfarë tha Hykmete Bajrami pasi “shpëtoi” Abdixhiku

Pas procesit të votimit dhe mbështetjes së Lumir Abdixhikut nga Kuvendi i LDK-së për të qëndruar në pozitën e kryetarit të kësaj partie, është deklaruar anëtarja e këtij subjekti politik, Hykmete Bajrami.

Ajo para gazetarëve tha se do ta respekton vendimin e Kuvendit, i cili votoi kundër dorëheqjes së Lumir Abdixhikut.

Bajrami: Respektoj vendimin e Kuvendit ë LDK-së

“E kam thënë edhe më herët, po e përsërisë prapë, LDK është më e madhe se secili prej nesh, respektoj vendimin e Kuvendit të LDK-së", tha ajo shkurt.

Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka votuar kundër dorëheqjes se kryetarit, Lumir Abdixhiku. 164 delegatë ishin kundër dorëheqjes dhe 136 pro dorëheqjes së Abdixhikut.

Fillimisht para votimit, delegatëve iu është prezantuar letra për votim: “A e pranoni dorëheqjen e Lumir Abdixhikut - Po, Jo.”

LDK, me këtë proces ka vendosur që Abdixhiku të vazhdojë si kryetar i këtij subjekti politik, përkundër rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit për Kuvendin e Kosovës.

Çfarë tha Abdixhiku para delegatëve pas votimit?

Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të jetë në krye të LDK-së.

Me 164 vota, delegatët kanë hedhur poshtë dorëheqjen e Abdixhikut. Pro dorëheqjes së Abdixhikut votuan 136 delegatë.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku kërkoi nga delegatët e pranishëm që të bashkohen për ta ringritur këtë parti.

KosovaPress merr vesh nga burimet e saj, që pas votimit, ai mbajti një fjalim, ku mes tjerash u tha "në këtë mes nuk ka as humbës e as fitues".

Ai falënderoi delegatët të cilët përmes votimit te fshehtë, kundërshtuan me 164 vota kundër dorëheqjen e tij.

Ndërkaq, pro dorëheqjes kanë votuar 136 delegatë. 

Abdixhiku i mbijeton votëbesimit

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka shpëtuar votëbesimit në Kuvendin e Punës të partisë.

Ai do të vazhdojë të jetë kryetar i LDK-së.

Siç raportohet, dallimi në vota ka qenë 162 kundër dorëheqjes së tij, dhe 135 pro kësaj.

Përfundon votimi i fshehtë në Kuvendin e LDK-së, votat e delegatëve po numërohen

Votimi për votëbesimin ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, në Kuvendin e partisë, tashmë ka përfunduar.

Votimi u zhvillua mënyrë të fshehtë dhe në proces morën pjesë 355 delegatë, të cilët duhej të votonin me “po” ose “jo” për pranimin e dorëheqjes së Abdixhikut.

Tashmë ka nisur edhe numërimi i votave.

Punimet e Kuvendit të LDK-së kanë vazhduar me dyer të mbyllura pas fjalimit të Abdixhikut, ndërsa delegatët mbajtën fjalimet e tyre.

Raportohet se shumica e diskutimeve ishin pro Abdixhikut.

Imri Ahmeti kërkon të lirohet nga pozita e Sekretarit të LDK-së

Në Kuvendin e partisë,  Imri Ahmeti, ka kërkuar të largohet nga pozita e Sekretarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Raportohet se Ahmeti ka kërkuar të lirohet nga kjo pozitë duke përmendur “angazhimet e shumta dhe faktin që është kryetar i Lipjanit”.

Paraprakisht, para mediave Ahmeti bëri të ditur se nuk do të jetë më në këtë pozitë.

“Nuk besoj që duhet të vazhdoj me çështjen e sekretarit sepse besoj se duhet të marrim përgjegjësi”, deklaroi Ahmeti, duke shtuar se me këtë hap dëshiron të hapë rrugë edhe për gjeneratat e reja.

Kutia dhe kabina e votimit në Kuvendin e LDK-së, Rukiqi: S’ka parti më demokratike as në Kosovë as në rajon

Ish-kandidati për deputet dhe anëtari i Kuvendit të LDK-së, Berat Rukiqi, ka publikuar një fotografi nga përgatitjet që po bëhen brenda sallës për të votuar në mënyrë të fshehtë.

Ai ka thënë se në këtë Kuvend të LDK-së pati debat, marrje të përgjegjësisë, votëbesim dhe votim të fshehtë.

Postim i plotë:

Demokracia ne me te miren e vet

- Debat

- Marrje e pergjegjesise

- Votebesim

- Votim i fshehte

Ska asnje parti me demokratike, as ne Kosove, as ne rajon

LDK

Vendos LDK, votim i fshehtë në Kuvend – shumica e diskutimeve pro Abdixhikut

Votimi për votëbesimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, në Kuvendin e Punës të partisë do të bëhet në mënyrë të fshehtë.

Raportohet se votimi po zhvillohet në mënyrë të fshehtë, ndërsa paraprakisht është formuar komisioni për të mbikëqyrur procesin.

Në votim do të marrin pjesë 355 delegatë, të cilët do të votojnë me “po” ose “jo” për pranimin e dorëheqjes së Abdixhikut.

“A jeni për dorëheqjen e ofruar nga Lumir Abdixhiku: Po apo Jo”, do të jetë pyetja që do të shtrohet për delgatët.

Punimet e Kuvendit kanë vazhduar me dyer të mbyllura pas fjalimit të Abdixhikut, ndërsa delegatët mbajtën fjalimet e tyre.

Raportohet se shumica e diskutimeve ishin pro Abdixhikut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat