​Dhuna në shkollën “Pavarësia”: Mësimdhënësit ultimatum, kërkojnë veprime institucionale

Aktuale

​Dhuna në shkollën “Pavarësia”: Mësimdhënësit ultimatum, kërkojnë veprime institucionale

Më: 10 shkurt 2026 Në ora: 10:51
Foto ilustrim

Përmes një greve dy orëshe nisi dita në shkollën “Pavarësia”, në Prishtinë, si reagim ndaj veprimeve të disa nxënësve gjatë procesit edukativo-arsimor, përfshirë dhunën fizike, fyerjet, sharjet dhe ofendimet ndaj mësimdhënësve.

Mësimdhënësit e kësaj shkolle kësisoj protestuan duke mos i mbajtur dy orët e para të mësimit, derisa paralajmëruan se do të ndërprejnë procesin mësimor në rast se nuk ndërmerren veprime institucionale.

Greva e sotme erdhi pas një videoje ku shihet mësimdhënësi teksa rrah një nxënës në këtë shkollë, e më pas ky i fundit e godet me shqelm mësimdhënësin. E, sipas versionit të kolektivit të mësimdhënësit i cili është ndaluar për 48 orë, aty është prerë vetëm pjesa në fund dhe se nuk është paraqitur e gjithë ngjarja.

Përfaqësuesi nga shoqata sindikale e shkollës, Ardit Ukaj tha se dhuna nuk ka vend në shkolla e ku ka kërkuar mbrojte për mësimdhënësit.

Shoqata sindikale e shkollës “Pavarësia” thotë të jetë kundër çdo lloj dhune

“Dua të theksojmë qartë se ne si shoqatë sindikale jemi kundër çdo lloji të dhunës, qoftë fizike apo verbale. Nuk ka vend në shkollë, dhe nuk mund të arsyetohet nga askush. Kjo grevë nuk organizohet për të justifikuar dhunën dhe as për të mbrojtur atë. Përkundrazi ajo është një reagim kundër dhunës që po cenojnë sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësit në procesin edukativo-arsimor. Qëllimi ynë është të mbrojmë një ambient të sigurt dhe profesional ku mësimi zhvillohet normalisht dhe ku autoriteti i mësimdhënësit nuk vihet në pikëpyetje përmes fyerjeve, ofendimeve, sharjeve dhe nënçmimit. Kërkojmë qasje serioze dhe të koordinuar institucionale kundër këtij fenomeni sepse sistemi aktual ligjor dhe mekanizmat ekzistues disiplinor nuk po ofrojnë zgjidhje efektive në rastet kur nxënësi fyen apo sulmon mësimdhënësin fizikisht. Kjo situatë krijon ndjenjë pasigurie dhe mungesë mbrojtje për stafin arsimor. Ky nuk është problem i izoluar vetëm në shkollën tonë, por fenomen që po shqetëson dhe shkollat e tjera. Prandaj, kërkojmë masa konkrete, të qarta dhe të zbatueshme për mbrojtjen e mësimdhënësve dhe garantimit e rendit në institucione arsimore”, tha ai.

Ai teksa tha se orët e humbura për shkak të grevës nuk zëvendësohet, theksoi se nuk kërkojnë ndërrimin e shkollës për nxënësin por vetëm të ndërmerren masa.

Kërkohet masa ndaj nxënësit që iu kundërpërgjigj me shqelm arsimtarit

“Nuk po kërkoj ndërrimin e shkollës për nxënësin, por të merren masat e duhura nga personat kompetent dhe rasti të trajtohet në mënyrë të duhur sipas legjislacionit por edhe të bëhet një rishikim i legjislacionit që legjislacioni t’i përshtatet vendit ku jemi”, tha ai.

E sipas Ymer Ymerit nga SBASHK organet e drejtësisë duhet ta shqyrtojnë urgjentisht rastin, të dalin me të vërtetën dhe të vendosin masa, si dhe të lirohet mësimdhënësi nëse konstatohet se paraburgimi është i padrejtë.

Ymeri e quan “zënkë” rastin e djeshëm në shkollën “Pavarësia”, kërkon lirimin e arsimtarit

“Ne si SBASHK me të marrë lajmin që ka ndodhë kjo edhe me reagimin e Shoqatës Sindikale dhe vendimin që kanë marrë këta për ta ndërprerë mësimin dyorësh, menjëherë e kemi përkrahë dhe sot jemi në mesin e mësimdhënësve, anëtarëve tonë që ta përkrahim veprimin e tyre për ngjarjen që ka ndodhë në këtë shkollë dhe që nuk është ngjarje që është hera e parë që po ndodh, po kanë ndodhë edhe në shkolla tjera. Ka ndodhë që përveç dhunës psikike që po ushtrohen ndaj punëtorëve të arsimit, ndaj mësimdhënësve, nga ana e nxënësve, e shpesh edhe nga ana e prindërve, ka raste edhe kur janë sulmuar fizikisht, sikurse që kemi parë rastin e djeshëm, dhe na vjen shumë keq që ka ndodhë kjo zënkë, por, e keqja ma e madhe e kësaj është që ngjarja nuk është paraqitur në mënyrën e duhur krejt si është, por është marrë një pjesë nga fundi i ngjarjes pothuajse, edhe ajo është emitu në media. Pastaj ndoshta edhe organet e sigurisë mbas ndikimit të këtyre ngjarjeve të skenuara, të paraqitura këtu, kanë kërkojmë nga organet e drejtësisë që sa më shpejt, urgjentisht ta shqyrtojnë rastin, të dalin me të vërtetën dhe ta lirojnë arsimtarin, të marrin masa ndaj prindërve të nxënësve të cilët përdorin dhunë në shkollë”, tha ai.

SBAShK mbështet vendimin e mësimdhënësve që protesta të kufizohet vetëm në dy orë dhe të mos ndërpritet tërësisht mësimi, tha Ymeri derisa theksoi se edhe shkolla të tjera kanë shprehur solidaritet me ndërprerje simbolike të orëve. E, nëse rasti nuk sqarohet shpejt, ai paralajmëroi se, veprimet sindikale mund të përshkallëzohen.

Paralajmërohen veprime tjera sindikaliste në shkollën “Pavarësia”

“Ne jemi në përkrahje të mësimdhënësve të kësaj shkolle. i falënderojmë që me gjithë atë ngjarjen e rëndë ka ndodhë, e kanë pas parasysh mësimin dhe nxënësit dhe kanë vendosë që të mbajnë vetëm dy orë protestë dhe grevë, nuk kanë vendosur që ta ndërpresin tërësisht mësimin. Shkollat tjera, disa janë solidarizuar me një orë mësim, me një orë ndërprerje të mësimit me këtë shkollë. Nëse ngjarjet nuk sqarohen shpejt dhe nuk lirohet mësimdhënësi, mund që nga dita e nesërme mund të përshkallëzohet kjo formë e veprimit sindikal. Urojmë që sa më shpejt, organet e drejtësisë ta marrin në shqyrtim të drejtën, ta lirojnë arsimtarin dhe të marrin masa edhe njëherë po e përsëris, ndaj prindërve që sjellin në këtë formë fëmijët në shkollë, organizohen me dhjetëra nxënësit, vijnë në sallë dhe sulmojnë arsimtarin. Kjo nuk ka mbetur më të jetë shkollë, por njëfarë lloji, përgjegjësi është që nga Ministria e Arsimit e tutje”, tha ai.

E me këtë protestë u bë e ditur se është solidarizuar edhe shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali”. E njëri nga arsimtarët aty ka treguar se kolegu i tij është sulmuar në pauzë, e duke thënë se nxënësi ishte organizuar vetë i 10-ti për ta sulmuar mësimdhënësin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat