Deputetët do të mblidhen sonte në orën 19:00, ky është rendi i ditës

Aktuale

Deputetët do të mblidhen sonte në orën 19:00, ky është rendi i ditës

Më: 12 shkurt 2026 Në ora: 16:38
Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sonte prej orës 19:00. Në seancën plenare pritet të shqyrtohet rezoluta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, si dhe kërkesa e Qeverisë për zgjatje buxhetore edhe për muajin mars.

Këtë e bëri të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së kryesisë, ku mes tjerash tha se janë funksionalizuar edhe gjashtëmbëdhjetë komisione parlamentare.

Ajo shtoi se nëntë komisione do t’i takojnë LVV-së, tri PDK-së, dy LDK-së, një Listës Serbe dhe një Grupit Parlamentar Multietnik.

Haxhiu: Në orën 19:00 mblidhemi në seancë plenare

“Do të ketë 16 komisione parlamentare, katër komisione të përhershme dhe 12 komisione funksionale. Ndarja e komisioneve sipas formulës është bërë sot në mbledhjen e Kryesisë. Natyrisht, grupet parlamentare në orën 19:00 do të njoftojnë se kush do të kryesojë me këto komisione parlamentare. LVV do të kryesojë me nëntë komisione, PDK tri komisione, LDK dy komisione, Lista Serbe një komision dhe Grupi Multietnik një komision. Po ashtu, miratuam që të trajtohet kërkesa e Qeverisë për ndarjen buxhetore për muajin mars, një e dymbëdhjeta sipas Ligjit për Qeverinë. Qeveria ka bërë këtë kërkesë për Kuvendin, prandaj edhe kjo çështje do të jetë pikë e rendit të ditës”, tha ajo.

Krahas kësaj, Haxhiu tha se ka harmonizim mes grupeve parlamentare për të miratuar rezolutën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Haxhiu: Të jemi të unifikuar ndaj procesit të padrejtë që po zhvillohet në Hagë

“Çështja tjetër do të lidhet me një rezolutë që ndërlidhet me procesin e padrejtë që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas diskutimeve në Kryesi, ka vullnet nga grupet parlamentare që kjo rezolutë të marrë mbështetjen në Kuvend. Do të ketë paraprakisht një takim nga përfaqësuesit e GP për të diskutuar më tej rezolutën. Besoj se, pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi, kur bëhet fjalë për luftën e UÇK-së dhe proceset e padrejta që po ndodhin në Hagë, duhet të jemi të unifikuar dhe të jemi bashkë”, shtoi Haxhiu.

Në anën tjetër, kryeparlamentarja u pyet edhe për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, mes tyre edhe atë me Bankën Botërore, të cilës i skadon afati më 13 shkurt. Ajo tha se sapo legjislativi t’i ketë në procedurë, do t’i trajtojë ato.

Mirëpo, nuk tregoi nëse të premten do të thirret seancë tjetër për t’i miratuar të njëjtat.

Haxhiu: Sapo t’i kemi në procedurë marrëveshjet ndërkombëtare do t’i trajtojmë

“Sapo t’i kemi në procedurë në Kuvend, ne do t’i trajtojmë. Kuvendi ka procedura nëpër të cilat duhet të kalojë. Janë seancat e jashtëzakonshme dhe seancat e tjera. Ne jemi të vetëdijshëm se këto marrëveshje janë të rëndësishme, prandaj unë uroj që të ketë unifikim të grupeve parlamentare për mbështetje të tyre. Sigurisht edhe buxheti për vitin 2026 është i rëndësishëm dhe ai do të trajtohet në përputhje me Rregulloren e Kuvendit”, përfundoi Haxhiu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat