Armend Muja merr detyrën e ministrit të Bujqësisë

Aktuale

Armend Muja merr detyrën e ministrit të Bujqësisë

Më: 16 shkurt 2026 Në ora: 11:31
Foto ilustrim

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është zhvilluar ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës, ku ministri në detyrë, Imri Demelezi, i ka dorëzuar zyrtarisht detyrën ministrit të ri, Armend Muja.

Sipas njoftimit nga ministria e Bujqësisë, gjatë ceremonisë, ministri në detyrë Demelezi e njoftoi ministrin Muja për zhvillimet kryesore në sektorin e bujqësisë, reformat e ndërmarra, si dhe projektet dhe programet mbështetëse të realizuara gjatë mandatit katërvjeçar, me theks të veçantë në rritjen e subvencioneve, investimet në infrastrukturën rurale dhe mbështetjen për fermerët dhe agro-përpunuesit.

Ministri i ri, Armend Muja, falënderoi ministrin Demelezi për kontributin dhe angazhimin e deritanishëm, duke vlerësuar punën e bërë në funksion të zhvillimit të sektorit bujqësor.

“E falënderoj ministrin Demelezi për punën dhe përkushtimin e tij. Do të angazhohem maksimalisht që politikat bujqësore dhe zhvillimore të avancojnë edhe më tej, duke fuqizuar sektorin e bujqësisë. Prioritet i yni do të jetë mbështetja e qëndrueshme për prodhimin vendor, modernizimi i sektorit dhe zhvillimi i projekteve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e zonave rurale”, theksoi ministri Muja.

Ceremonia e dorëzim-pranimit u zhvillua në prani të sekretares së Përgjithshme të MBPZhR-së, Venera Çerkini, si dhe stafit të kabinetit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat