Çun Lajçi: Prioritet interesi shtetëror, jo përçarja politike

Aktuale

Çun Lajçi: Prioritet interesi shtetëror, jo përçarja politike

Nga: A.SH Më: 24 shkurt 2026 Në ora: 21:55
Çun Lajçi

Aktori i njohur Çun Lajçi i është drejtuar me një mesazh publik kryeministrit, duke theksuar se mbi çdo retorikë për “unifikim”, prioritet absolut duhet të mbetet mbrojtja e interesit shtetëror dhe forcimi i pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Ai ka kundërshtuar pretendimet se Vjosa Osmani nuk ka qenë figurë unifikuese, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht. Sipas tij, që nga viti 2008 asnjë lider nuk ka arritur të prodhojë unitet të plotë për shkak të fragmentimit të skenës politike dhe dominimit të interesave partiake.

Lajçi ka vlerësuar rolin e Osmanit në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se ajo ka artikuluar me qartësi dhe dinjitet zërin e Kosovës, si dhe ka ruajtur komunikim institucional në nivel të lartë me SHBA-të. Ai ka përmendur edhe gatishmërinë e ish-presidentit amerikan Donald Trump për komunikim të drejtpërdrejtë me Osmanin lidhur me raportet me Serbinë.

Postimi i plotë:

Z. Kryeministër,

Përtej retorikës së “unifikimit”, prioritet absolut duhet të mbetet mbrojtja e interesit shtetëror dhe forcimi i pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Pretendimet se Presidentja Vjosa Osmani nuk ka qenë figurë unifikuese janë të motivuara politikisht. Historia politike e vendit tonë dëshmon se që nga 2008, asnjë lider nuk ka arritur të prodhojë unitet, sepse skena politike ka qenë e fragmentuar dhe e udhëhequr nga interesa partiake, jo nga interesi shtetëror.

Pyetja thelbësore është:

Si mund të kërkohet unitet real, kur prioritet mbetet interesi partiak dhe jo ai kombëtar?

Në shumë raste, përçarja e brendshme është prodhuar pikërisht nga liderët politikë, në emër të një uniteti selektiv, të përshtatur për nevoja elektorale. Përkundër kësaj, Vjosa Osmani ka arritur të artikulojë me qartësi dhe dinjitet zërin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Kujtoj se problemi nuk qëndron te figura, por te mentaliteti përjashtues politik.

Në diplomaci, perceptimi dhe qasja janë thelbësore. Është fakt i njohur se Donald Trump i ka shprehur gatishmëri komunikimi të drejtpërdrejtë Presidentes Osmani lidhur me çështjet që prekin raportet me Serbinë. Kjo nuk është çështje simpatie personale, por çështje e kapitalit diplomatik.

Gjatë katër viteve të fundit është ndërtuar një narrativë se raportet me Shtetet e Bashkuara janë dëmtuar. Megjithatë, faktet tregojnë se Presidentja është pritur në mënyrë zyrtare dhe me respekt në Shtëpia e Bardhë, duke ruajtur komunikim institucional në nivel të lartë.

Në një moment delikat për vendin, Kosova nuk ka luksin të eksperimentojë me figura që duhet të nisin nga zero në ndërtimin e besimit ndërkombëtar. Nevojitet përvojë, kredibilitet dhe qasje e drejtpërdrejtë.

Historia politike na ka mësuar se gabimi më i madh është të mohohet ajo që funksionon, vetëm sepse nuk i përket një kampi të caktuar politik.

Me respekt

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat