Përfundon takimi i Osmanit me liderët e opozitës, përmenden këto data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve

Aktuale

Përfundon takimi i Osmanit me liderët e opozitës, përmenden këto data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve

Më: 6 mars 2026 Në ora: 08:22 Përditësuar në ora: 11:18 më 06.03.2026
Vjosa Osmani

Në orën 13:00 Osmani nis konsultimet për datën e zgjedhjeve

Presidentja Osmani do të nis sot në orën 13:00 konsultimet me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Kështu konfirmuan burime të Radios Evropa e Lirë nga Presidenca.

Sipas Ligjit, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh, por jo më herët se 30 ditë.

Çka nëse dekreti i presidentes sfidohet në Kushtetuese?

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë për Radion Evropa e Lirë se Gjykata Kushtetuese mund t’i japë rrugëdalje një situate të tillë nëse dekreti dërgohet për shqyrtim.

“Është e pakontestueshme që është shkelur Kushtetuta me moszgjedhjen e presidentit të ri 30 ditë para se të përfundojë mandati i Osmanit, por Kushtetuta këtu nuk parasheh sanksione për shkuarje në zgjedhje”, tha Miftaraj.

Ai përmend dy versione se si do mund të vendoste gjykata për dekretin, nëse ai do të kontestohej.

Sipas tij, ose do ta shpallte atë të ligjshëm, ose do ta merrte për precedent aktgjykimin e saj për konstituimin e Kuvendit, ku edhe aty kishte përcaktuar afat 30-ditor për konstituim, por pa përcaktuar pastaj sanksion të shpërndarjes nëse ai afat nuk përmbushet.

I pyetur se a pezullohen procedurat e organizimit të zgjedhjeve të reja nëse dekreti sfidohet në gjykatë, ai thotë se varet a vendos gjykata për masë të sigurisë.

Ndër të tjera ai e quajti të pakuptimtë rastin e dërguar në Kushtetuese nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“Është një shaka me qytetarët, e padrejtë dhe e pakuptimtë që një juriste si Haxhiu të bëjë gabime të tilla profesionale, të dërgojë në gjykatë pyetje për raste hipotetike si kërkesa e saj.”

Kurti nuk e komenton vendimin e Osmanit në Prekaz

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka komentuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, raporton KP.

Para mediave, gjatë homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, Kreu I ekzekutivit tha se vendimin e Osmanit nuk e komenton në Prekaz.

Sipas tij, do të ketë mjaftueshëm kohë që për këtë çështje të përgjigjet në Prishtinë.

Lëvizja Vetëvendosje veçse ka njoftuar se do të mbajë konferencë për media në ora 12:30. Ndërsa kryeministri Kurti tha se do të ketë edhe aktivitete tjera në kuadër të Epopesë së UÇK-së.

Kurti nuk e komenton vendimin e Osmanit në Prekaz

“Sot është dita e dytë e Epopesë së UÇK-së në ora 13:00. E kemi edhe një ekspozitë në hollin e Kuvendit, pastaj në ora 19:00 e kemi akademinë përkujtimore, për të gjitha çështjet e politikës ditore do të mund të flas dhe t’iu përgjigjem nga Prishtina”, ka thënë ai.

Presidentja Vjosa Osmani sot (e premte) ka njoftuar se ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, siç tha ajo, pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues.

Shpërndahet Parlamenti, reagon Çitaku: Adresa e përgjegjësisë është e qartë kristal – LVV

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, po thotë se janë egot politike dhe ambicia e shfrenuar për kontroll total të institucioneve nga LVV ato që po e lënë Kosovën sërish pa institucione dhe po e shtyjnë vendin drejt një cikli tjetër zgjedhjesh.

Në një postim në Facebook, Çitaku tha se adresa e përgjegjësisë është e qartë kristal: “refuzimi i LVV-së për marrëveshje dhe për dialog të sinqertë politik”.

“Sot, kur të shkojnë e të bëjnë homazhe aty ku pushojnë heronjtë tanë, duhet të ndihen të turpëruar. Është luftuar shumë dhe gjatë që qytetarët tanë të kenë të drejtën të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të jetojnë të lirë. Kjo liri dhe kjo Republikë nuk guxojnë të shpërdorohen”, shkroi Çitaku.

Presidentja Vjosa Osmani njoftoi në një konferencë të sotme për media se ka nxjerr dekret për shpërndarjen e Parlamentit dhe rrjedhimisht çuarjen e vendit në zgjedhje.

Osmani shpalli dekretin për shpërndarje të Kuvendit, vjen reagimi i parë nga Lëvizja Vetëvendosje

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh zyrtar i Lëvizja Vetëvendosje, Jeton Zulfaj, ka reaguar pas zhvillimeve në Kuvendi i Kosovës lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Zulfaj ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka respektuar plotësisht Kushtetutën gjatë gjithë procesit.

“Lëvizja Vetëvendosje e respektoi Kushtetutën në plotni”, ka shkruar ai.

Sipas tij, partia në pushtet ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm kushtetues për zhvillimin e procesit të zgjedhjes së presidentit.

“Vendosi dy kandidatë që të ketë garë. PDK dhe LDK së bashku kanë 37 deputetë, por nuk sollën asnjë kandidat. Filloi seancën që të niste procedura brenda afatit. Bëri të gjitha veprimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, deri te konstatimi i prezencës së deputetëve në sallë”, ka theksuar Zulfaj.

Ai shtoi se seanca u ndërpre për shkak të mungesës së deputetëve në sallë, duke theksuar se ajo do të vazhdojë kur të sigurohet prezenca e tyre.

“Ndërpreu seancën për mungesë të deputetëve, për ta vazhduar kur ata të kthehen në sallë, siç e kanë obligim dhe detyrim kushtetues”, ka deklaruar ai.

Në reagimin e tij, Zulfaj ka akuzuar opozitën për bojkot të proceseve institucionale, duke përmendur edhe zhvillimet e vitit të kaluar.

“Vitin e kaluar na humbën kohë duke bojkotuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit; tash duan të na humbin kohë sërish duke bojkotuar zgjedhjen e presidentit. Por presidenti duhet të zgjedhet”, ka shkruar Zulfaj. 

Abdixhiku mbështet dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit - ky është reagimi i tij

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka mirëpritur vendimin e Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar atë si një veprim me përgjegjësi dhe qartësi kushtetuese në mbrojtje të rendit institucional.

Në një reagim në Facebook, Abdixhiku tha se Lidhja Demokratike e Kosovës mbështet dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pasi – sipas tij – dështimi politik dhe përpjekjet për imponim nuk mund të prodhojnë debate artificiale apo zvarritje procedurale që do ta kthenin vendin në një sistem pa norma dhe rregulla, përcjell “Bota sot”.

Abdixhiku theksoi se LDK-ja është e gatshme të marrë pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’u drejtohet qytetarëve për një zgjidhje të re demokratike.

Shkrimi i plotë

Mbështes dhe mirëpres, siç edhe pritej, dekretin dhe qëndrimin e Presidentes së Republikës Vjosa Osmani Sadriu, për shpërndarjen e Kuvendit.

LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës.

Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla.

Në këtë frymë, jemi të gatshëm të marrim pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’i drejtohemi qytetarëve për zgjidhjen e re demokratike.

Zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së. Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual. Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit.

Kur do të ftohen liderët partiakë nga Presidentja për datën e zgjedhjeve të reja? Flet Osmani

Liderët e partive politike do të thirren gjatë ditës së sotme për të diskutuar mbi datën e zgjedhjeve të reja, pas nxjerrjes së dekretit nga ana e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Parlamentit.

Këtë e tha vetë Presidentja Osmani në një konferencë për media.

“Menjëherë sot do të ftohen liderët e partive për datën e zgjedhjeve sepse siç e dini është obligim që të konsultohen paraprakisht, dhe është pasojë e nevojshme menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit dhe ët shpallen zgjedhjet e reja.

Paraprakisht duhet një konsultim formal me partitë politike, dhe menjëherë pas kësaj do të caktohet data”, u shpreh Osmani.

Osmani: Pyetja që do duhej bërë është se sa do të kenë sukses disa që t’i zvarrisin zgjedhjet

E para e shtetit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se u detyrua të shpërndajë parlamentin dhe të shpallte zgjedhjet e reja, pasi Kuvendi, sipas saj, dështoi ta kryejë punën e vet.

Në një konferencë për media, ajo tha se çështja nuk është se a do të ketë zgjedhje, por “sa do të kenë sukses disa që t’i zvarrisin ato”.

“Kjo do të thotë se edhe nëse procesi do të vazhdonte tutje, rezultati kushtetues nuk do të ndryshonte. Ne kemi hyrë në një territor shumë të qartë juridik. Prandaj pyetja që do duhej bërë nuk është nëse do të ketë zgjedhje, por sa do të kenë sukses disa që t’i zvarrisin ato. Pra, pyetja është e vetme është se kur është data e zgjedhjeve. Qytetarët nuk kanë nevojë për vonesa të reja, kanë nevojë që të dëgjohet qartë zëri i tyre. Kanë nevojë për qartësi, për institucione që funksionojnë, për një politikë që nuk frikësohet nga përgjegjësia”.

“Jam plotësisht e vetëdijshme dhe e gatshme që ky dekret mund të kontestohet në gjykatën Kushtetuese, por mund të them hapur se nuk kam qenë kurrë më krenare sesa me këtë vendim. Jam shumë me qetë të përballem me një kontestim për veprim në mbrojtje të Kushtetutës, sesa me mosveprim kur rrezikohen themelet e saj”, deklaroi Osmani.

Osmani: S’është debat politik, por fakt kushtetues që Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media mëngjesin e së premtes foli edhe për afatin kushtetues që lidhet me zgjedhjen e presidentit të ri.

Sipas saj, bëhet fjalë për një çështje të qartë kushtetuese dhe jo për debat politik, pasi afati i paraparë me Kushtetutë për zgjedhjen e presidentit ka skaduar.

“Neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të afatit të presidentit aktual. Mandati im përfundon më 4 prill 2026. Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjedhë presidentin e ri dhe ky afat ka përfunduar mbrëmë në mesnatë.

Nuk kemi pra të bëjmë me një debat politik, por me një fakt të qartë kushtetues. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dështuar të përmbushë një nga obligimet themelore kushtetuese”, tha Osmani. 

Osmani: Kam dekretuar shpërndarjen e Kuvendit, vendi shkon në zgjedhje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Në një konferencë për media, Osmani tha se është paraqitur para qytetarëve pasi, sipas saj, përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“Jam këtu para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, ka deklaruar Osmani.

Ajo shtoi se, në përputhje me kompetencat kushtetuese, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

“Prandaj sot, në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese, kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, ka theksuar presidentja.

Duke folur për dështimin e përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit mbrëmjen e 5 marsit, Osmani tha se kjo nuk ka qenë një situatë e rastësishme, por sipas saj një kalkulim i menduar politik.

“Në një republikë kushtetuese ka diçka që është mbi kalkulimet partiake dhe mbi interesat e momentit: Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kushtetuta nuk është tekst ceremonial. Ajo është kontrata jonë e përbashkët si shtet. Është kufiri që politika nuk mund ta kalojë dhe busulla që institucionet nuk mund ta humbasin. Mbrëmë, përpjekjet për zgjedhjen e një presidenti të ri dështuan. Ky dështim nuk ishte as i rastësishëm, as i pamenduar, por përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar, për fat të keq”, ka theksuar Osmani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat