Përfundon takimi i Osmanit me liderët e opozitës, përmenden këto data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve

Aktuale

Përfundon takimi i Osmanit me liderët e opozitës, përmenden këto data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve

Më: 6 mars 2026 Në ora: 08:22 Përditësuar në ora: 14:20 më 06.03.2026
Vjosa Osmani

Haradinaj: 5, 12 dhe 19 prilli janë si opsione për zgjedhje

Kryetari në dorëheqje i AAK-së, Ramush Haradinaj ka komentuar mospjesëmarrjen e Lëvizjes Vetëvendosje në takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke e cilësuar si “një shije të keqe”.

“Një shije e keqe ishte mospjesëmarrja e Vetëvendosjes dhe partnerëve të saj qeverisës, ndërsa edhe Lista Serbe mungoi në takim, është e pakuptimet mos pjesëmarrja e tyre.”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se 5, 12 dhe 19 prilli janë si opsione, por mund të ketë edhe datë tjetër.

“Në opsion janë datat 5, 12 dhe 19 prill, mund të ketë edhe ndonjë datë tjetër, varësisht prej zhvillimeve. Ne nuk kemi një datë të preferuar, sepse tash jemi në auto pilot. Ne i respektojmë cilëndo datë”, tha Haradinaj. 

Hamza: Shpreh keqardhje që kemi ardhur deri në këtë moment.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Bedri Hamza ka thënë pas takimit me presidenten Osmani se partia e tij ka qenë konstruktive që Kosova të ketë president të ri, mirëpo situata është si është.

“Shpreh keqardhje që kemi ardhur deri në këtë moment. Nuk ka pasur asnjë arsye, ka pasur më shumë sesa një alternativë. Përgjegjësia kryesore natyrisht se është mbi partinë fituese, partinë më të madhe, sepse ajo ka mundur t’i japë vendit president”.

I pyetur nëse partia e tij është e gatshme për zgjedhje, Hamza ka thënë se zgjedhjet janë të panevojshme, të lodhshme për qytetarët e Kosovës, dhe të kushtueshme, mirëpo asnjë parti politike nuk ka mundur t’i japë vendit president, përveç partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Lëvizja Vetëvendosje me cilëndo prej partive politike ka mundur t’i japë vendit president. Megjithatë, meqë kemi mbërritur këtu, dhe tashmë është e qartë, ne po flasim për datën kur do të jenë zgjedhjet, meqë ato janë të pashmangshme, PDK-ja i ka strukturat, e ka organizimin, i ka të gjitha”.

Çfarë u tha në nisje të takimit?

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka konsideruar të drejtë dekretin e presidentes Vjosa Osmani për ta shpërndarë Kuvendin.

Pak para takimit me Osmanin dhe përfaqësuesit e tjerë të subjekteve politike për caktimin e datës së zgjedhjeve, Haradinaj ka thënë se vendi ka hyrë në afate kushtetuese që duhet respektuar. Ai ka shtuar se për AAK-në çdo datë për mbajtjen e zgjedhjeve është e pranueshme përderisa është brenda afateve kushtetuese.

“Ne tash veç jemi në auto-pilot, që i bie komandohemi nga Kushtetuta e vendit, nga afatet kushtetuese. Dekreti është rrjedhojë e këtyre afateve, është i drejtë dhe çdo aspekt tjetër i ecjes përpara duhet të bëhet në bazë të Kushtetutës, afateve kushtetuese. Ne e respektojmë dekretin, e respektojmë si të tillë. Presim edhe caktimin e datës së zgjedhjeve po ashtu bazuar në këto afate kushtetuese.

Çdo datë në afate kushtetuese është e respektueshme”, ka deklaruar Haradinaj për mediat.

Hamza dhe Abdixhiku nisin takimin me Osmanin

Udhëheqësit e partive politike opozitare, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës janë parë duke hyrë në Kuvendin e Kosovës për t'u takuar me presidenten Vjosa Osmani.

Ftesën e ka pranuar edhe kryetari i partisë tjetër opozitare, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Osmani i ka ftuar krerët partiakë për të diskutuar datën e zgjedhjeve të reja, pas shpërndarjes së Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje ka sinjalizuar se nuk shkon në takim, pasi për të dekreti i Osmanit është jokushtetues dhe që atë do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Nagavci: Nuk ka asnjë arsye për të marrë pjesë në takimin konsultativ të Presidentes

Shefja e deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se partia që ajo përfaqëson nuk do të marrë pjesë në takimin konsultativ të ftuar nga presidentja Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve me liderët e partive politike.

“Nuk ka asnjë arsye për të marrë pjesë në një takim të tillë për faktin se ky veprim bie ndesh me Kushtetutën”, u shpreh Nagavci.

LVV insiston që çdo veprim e ka në përputhje me Kushtetutën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Adnan Rrustemi tha në konferencë për media se partia ka vepruar në përputhje me Kushtetutën në procedurat për zgjedhjen e presidentit.

“Sot jemi në ditën e parë të afatit 60 ditor" për zgjedhjen e presidentit, ka thënë ai.

“Dekreti [për shpalljen e zgjedhjeve] është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për masë të përkohshme”, tha ai.

Megjithatë presidentja Osmani ka thënë më herët gjatë ditës se neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe mandati i saj përfundon më 4 prill.

“Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një debat publik. Kemi të bëjmë me një fakt të qartë kushtetues. Kushtetuta nuk është shkruar për interpretime që relativizojnë peshën e saj. Ajo është shkruar për të garantuar funksionimin e shtetit, jo zvarritjen dhe mosfunksionimin”.

Mes tjerash, ajo ka thënë se pasojat nga mospërmbushja e afateve janë të qarta.

“Kushtetuta e parashikon qartë që një Kuvend që nuk arrin të zgjedhë presidentin nuk mund të vazhdojë pafundësisht të zvarrisë procesin, siç po tentohet, por përballet me një mekanizëm të qartë kushtetues që çon në shpërndarjen e tij. Për më tepër nenet 82 dhe 83 duhen të lexohen së bashku. Edhe vetë Gjykata Kushtetuese ka theksuar se normat kushtetuese interpretohen të ndërlidhura dhe jo ndaras me njëra-tjetrën”.

Sipas saj, kjo do të thotë se ndonëse procedura për zgjedhjen e presidentit mund të fillojë 60 ditë para afatit të fundit, ajo nuk mund të shtyhet, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë të përfundimit të mandatit aktual, që në këtë rast do të thotë data 5 mars.

Nagavci: Shpërndarja e Kuvendit akt i paprecedent, vendimin do ta çojmë në Kushtetuese

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavaci ka thënë të premten se shpërndarja e Kuvendit nga ana e presidentes Vjosa Osmani paraqet akt të paprecedent që bie ndesh me rendin dhe që rastin do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk kushte pse të ndodhte një akt i tillë sot në mëngjes”, ka deklaruar ajo në një konferencë për media.

Sipas saj, LVV-ja, në përputhje me rezultatin e saj zgjedhor, në vazhdimësi i ka ofruar alternativat për shmangien e zgjedhjeve.

"Barrikadimi me jo-në e vazhdueshme, është i padobishëm dhe i panevojshëm", ka thënë ajo.

LVV-ja i ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Në këtë legjislaturë ajo i ka 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Kur mund të mbahen zgjedhjet?

Ndonëse mbetet e paqartë se kush ka të drejtë për proceset që e presin Kosovën në ditët në vazhdim, njohësi i çështjeve politike Ilir Deda ka përmendur datat 12,19 dhe 26 prill si mundësi për zgjedhje të reja.

Presidentja Osmani e ka shpërndarë Kuvendin në pamundësi të institucionit për ta zgjedhur presidentin e ri, dhe ka thënë se datën e zgjedhjeve do ta caktojë pas konsultimeve me parti politike.

Lëvizja Vetëvendosje, në anën tjetër, beson që ka vepruar në përputhje me Kushtetutën në këtë drejtim.

Disa njohës të çështjeve të drejtësisë besojnë se dekreti i Osmanit është jokushtetues, dhe e interpretojnë ndryshe një afat 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.

Osmani ka thënë se ndonëse procedura për zgjedhjen e presidentit mund të fillojë 60 ditë para afatit të fundit, ajo nuk mund të shtyhet, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë të përfundimit të mandatit aktual, që në këtë rast do të thotë data 5 mars.

Të tjerë besojnë se afati 60-ditor rrjedh prej ditës së nisjes së procedurës për zgjedhje të presidentit.

Mbetet të shihet nëse dekreti do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Çështja e amendamenteve për mënyrën e zgjedhjes së presidentit

Krerët e partive politike në Kosovë janë takuar disa herë në ditët e fundit në përpjekje për të arritur deri te një figurë konsensuale për president, mirëpo nuk është arritur asgjë.

Presidentja Osmani e pati bërë të ditur se synon edhe një mandat si presidente, mirëpo emrin e saj nuk e ka propozuar askush në Kuvend, madje as Lëvizja Vetëvendosje e cila kishte vota të mjaftueshme për t’i kandiduar dy figura për këtë pozitë.

LVV i ka 57 ulëse në Kuvend ndërsa për të kandiduar një figurë nevojiteshin 30 nënshkrime.

Partia ka thënë në orët e vona të 4 marsit se i ka ofruar Osmanit 30 nënshkrime, mirëpo që ajo nuk ka pranuar. Më vonë Presidenca ka thënë se këto pretendime janë gënjeshtra.

Në rritje e sipër të paqartësive, Osmani i ka nisur në pasditen e 5 marsit disa amendamente për shqyrtim në Kuvend që presidenti i Kosovës të zgjidhet me votë nga populli dhe jo nga Kuvendi.

Në konferencën për media të 6 shkurtit, ajo ka thënë se ato amendemente nuk do të kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që do të duhej të zgjidhej deri mbrëmë.

“Arsyeja është e thjeshtë, vetë amendamentet parashohin që procedura për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli duhet të fillojnë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.

Ato amendamente janë hartuar mbi një dekadë më parë dhe e kanë marrë dritën e gjelbër të Gjykatës Kushtetuese, mirëpo nuk janë jetësuar kurrë.

Vota të mjaftueshme për miratimin e tyre nuk ka pasur as më 5 mars.

Abdixhiku: Në orën 13:00 jemi në takim te Presidentja për datën e zgjedhjeve

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se në orën 13:00 do të takohen me presidenten Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve.

“Kemi takim në orën 13:00. Nga këtu do të shkojmë, pas vizitës te baca Rifat në kullë, do të shkojmë te takimi i Presidentes për caktimin e datës së zgjedhjeve, dhe besoj se edhe atje do të deklarohem para mediave”, tha Abdixhiku derisa po merrte pjesë në homazhe për familjen heroike Jashari në Prekaz.

Abdixhiku: Në orën 13:00 jemi në takim te Presidentja për datën e zgjedhjeve

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se në orën 13:00 do të takohen me presidenten Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve.

“Kemi takim në orën 13:00. Nga këtu do të shkojmë, pas vizitës te baca Rifat në kullë, do të shkojmë te takimi i Presidentes për caktimin e datës së zgjedhjeve, dhe besoj se edhe atje do të deklarohem para mediave”, tha Abdixhiku derisa po merrte pjesë në homazhe për familjen heroike Jashari në Prekaz.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat