AARC kërkon rol udhëheqës të SHBA-së në dialogun Kosovë–Serbi

Aktuale

AARC kërkon rol udhëheqës të SHBA-së në dialogun Kosovë–Serbi

Nga: Beqir Sina Më: 21 mars 2026 Në ora: 14:55
Foto nga takimi

Uashington, 20 mars 2026 – Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (The Albanian American Relations Council  – AARC) njoftoi se një delegacion përfaqësues i këtij këshilli ka zhvilluar një takim përmbajtjesor gati dy-orësh, me tre zyrtarë në Departamentin e shtetit të Shteteve (DASH) të Bashkuara për të diskutuar për çështjet aktuale të shqiptarëve dhe për interesat amerikane në Ballkan.

Në këtë takim kanë marrë pjesë Andrew Caruso, zyrtari i DASH-it që e ka marrë portofolin e Kosovës pas largimit të Anne Morrison, si edhe John Robbins e David Maher, të cilët mbulojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut përkatësisht. Ndërkaq AARC është përfaqësuar nga Presidenti Martin Vulaj dhe ish-Shefi i Shërbimit në Zërin e Amerikës dhe botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami, i cili është anëtari më i ri i Bordit të AARC.

“Ndër temat kryesore të diskutuara ishin shqetësimet e përbashkëta të sigurisë, rruga e mundshme e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, duke përfshirë sfidat eventuale në vijim. Departamenti theksoi nevojën urgjente për përmirësimin e klimës së investimeve, duke vënë në pah shqetësimet e ngritura nga kompanitë amerikane lidhur me pengesat lokale dhe theksoi interesin në rritje të SHBA-së në mbështetjen e zhvillimit të sektorëve të energjisë dhe të minierave”, njoftoi Vulaj në një postim në Facebook.

Vulaj ka thënë se ai dhe Bajrami kanë shprehur pikëpamjet e AARC-së lidhur me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se AARC ka kërkuar që SHBA të marr rol udhëheqës në dialog, meqë Evropa ka qasja burokratike ndëtsa Serbia nuk është e interesuar që ky dialog të përmbyllet me marrëveshje të qëndrueshme.

“AARC thekson se procesi [i dialogut] i cili ka zgjatur më shumë se 15 vjet ka dhënë rezultate të kufizuara. U nënvizua se Serbia nuk ka shprehur interes të vërtetë për përfundim të suksesshëm dhe se qasja burokratike e Evropës, që është në thelb e saj, deri më tani nuk ka shënë rezultate të rëndësishme. AARC theksoi se çdo përparim i vërtetë kërkon që ky proces të udhëhiqet nga SHBA-të. Duke përsëritur se qëndrim zyrtar i politikës së SHBA-së është njohja reciproke [mes Kosovës e Serbisë] AARC theksoi se kjo duhet të përcaktohet qartë si objektiv qendror i dialogut”, ka shkruar Vulaj.

Ai ka treguar se gjatë takimit është diskutuar edhe për zhvillimet aktuale në Shqipëri, me theks në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe për investimet e huaja.

“Gjatë bisedës u theksuan marrëdhëniet e forta mes SHBA-së dhe Shqipërinë, si aleate e besueshme, si edhe progresi i dukshëm i SPAK-ut në luftimin e rrjeteve të krimit të organizuar të lidhura me Amerikën e Jugut. Gjithashtu, u diskutua për rëndësinë e përmirësimit të legjislacionit për të lehtësuar investimet e huaja, veçanërisht në dritën e fokusit aktual të administratës së SHBA-së për zgjerimin e tregtisë”, ka shkruar Vulaj.

Ai ka treguar se me zyrtarët e DASH-it është diskutuar edhe për çështjen e gjuhës së provimit të jurisprudencës për studentë shqiptarë të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.

“Së fundmi, palët e trajtuan lëvizjen aktuale të studentëve të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, duke mbrojtur të drejtën e të diplomuarve shqiptarë në drejtësi që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe”, ka shkruar Vulaj.

“AARC mbetet e përkushtuar për të siguruar që perspektivat shqiptare të përfaqësohen qartë në Uashington dhe që angazhimi i SHBA-së në rajon të vazhdojë të promovojë stabilitet, llogaridhënie dhe prosperitet afatgjatë”, thuhet në përfundim të njoftimit të Prssidentit të AARC, Martin Vulaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat