Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes. Anëtarësimi në këtë mekanizëm ndërkombëtar u tha se fuqizon pozitën e Kosovës dhe hap mundësi për sigurimin e njohjeve të reja. Megjithatë, partitë opozitare akuzuan mazhorancën se i ka zvarritur procedurat për t’i dhënë dritën e gjelbër kësaj marrëveshjeje.
Bordi i Paqes është një mekanizëm ndërkombëtar, i parashikuar në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në nëntor 2025, që synon të mbikëqyrë administrimin e përkohshëm të Gazës dhe rindërtimin e institucioneve civile.
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte njëra nga 19 udhëheqësit botërorë që nënshkruan themelimin e këtij bordi më 22 janar në Davos të Zvicrës, i cili synon rindërtimin e Gazës pas luftës dyvjeçare shkatërruese. Në këtë iniciativë multilaterale janë përfshirë shtete nga rajone të ndryshme të botës, mes tyre edhe shtatë vende mosnjohëse të Kosovës, si Argjentina, Azerbajxhani, Indonezia, Pakistani, Mongolia dhe Uzbekistani.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e përshëndeti këtë marrëveshje, duke theksuar nevojën e miratimit të saj.
Hyseni-Kryeziu: Do të zgjerohet rrjeti i organizatave ku Kosova është anëtare
“Anëtarësimi në këtë organizëm do të zgjeronte rrjetin e organizatave ndërkombëtare ku Kosova është anëtare. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij projektligji, ne si GP i LVV-së e mbështesim me votë”, tha ajo.
Rëndësinë e miratimit të marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes e theksoi edhe deputeti i PDK-së, Ilmi Reçica, i cili kritikoi qeverinë për zvarritje të procedurave.
Reçica: Anëtarësimi në Bordin e Paqes është zvarritur
“Kryeministri dhe qeveria s’janë bërë të gjallë për këtë projektligj fare... Anëtarësimi është interes i lartë shtetëror, forcon sigurinë kombëtare, orientimin euro-atlantik të Kosovës dhe konsolidon aleancën me SHBA-në... Ky projektligj nuk mund të ndryshohet siç kanë kërkuar disa deputetë të LVV-së. Duhet të votohet si i tillë dhe të ecet tutje. Krejt kjo zvarritje është bërë pa arsye dhe kot”, tha ai.
Përkrahje në emër të LDK-së dha edhe deputeti Anton Quni, i cili tha se Kosova po riafirmon imazhin e saj në sytë e botës.
Quni: Kosova po riafirmon imazhin e saj në sytë e botës
“Duke u bërë pjesë e këtij organizimi, Kosova pushon së qeni vetëm konsumator i paqes së importuar nga jashtë, por po shndërrohemi në eksportues të stabilitetit... Anëtarësimi në këtë bord i jep Kosovës një mundësi të artë për të rinovuar imazhin e saj në sytë e botës”, tha ai.
Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, theksoi nevojën për miratimin e kësaj marrëveshjeje, duke e quajtur akt me rëndësi të veçantë.
Kadrijaj: Anëtarësimi në Bordin e Paqes do të duhej të ishte një akt ceremonial
“Megjithatë, vonesave mendoj se duhet me qenë akt ceremonial sot dhe me votu. Kjo është dëshmia më e mirë se Kosova po garanton siguri, diplomaci, përkushtim dhe miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ajo.
Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Haxhi Avdyli, ia adresoi meritat për anëtarësim ish-presidentes Vjosa Osmani.
Avdyli: Vjosa Osmani është meritore për anëtarësimin në Bordin e Paqes
“Në këtë proces dua të theksoj rolin e jashtëzakonshëm dhe vizionin strategjik të presidentes Vjosa Osmani, e cila me angazhimin e saj ka kontribuar në avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës... Presidentja Osmani ka arritur ta vendosë Kosovën në zemrën e tavolinave ndërkombëtare”, tha ai.
Krahas kësaj, Kuvendi miratoi edhe marrëveshjen për ratifikimin e amendamentit nr. 2 të marrëveshjes financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2020, si dhe amendamentin nr. 1 për programin IPA 2019, pjesa e dytë, objektivi 1.