Me kërkesë të kryeparlamentares Haxhiu, Komisioni për legjislacion ka nisur mbledhjen për të shqyrtuar nëse dy kandidatet plotësojnë kushtet për të kandiduar për presidente të Kosovës.
Më pas, në sallën plenare kryeparlamentarja Haxhiu po fton secilin deputet veç e veç që të shkojë në seancën e jashtëzakonshme. / REL
Nagavci prezanton kandidaturën e Rushitit
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka nisur që të shpalosë para deputetëve biografinë e Feride Rushitit, drejtoreshës së Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
“Ajo kontribuoi në thyerjen e heshtjes, luftimin e stigmës dhe ndryshimin e perceptimit shoqëror ndaj viktimave të dhunës seksuale”, tha Nagavci për punën e Rushitit.
Më 2018, Rushiti u nderua me Çmim për Guximin e Gruas të ndarë nga sekretari amerikan i Shtetit, kujtoi Nagavci.
Rushiti, dhe së bashku me qendrën e saj më 2025 u nominua për Çmimin Nobel për Paqe, shtoi ajo.
Çitaku publikon ftesën për seancën e presidentit, kritikon LVV-në
Nënkryetarja e PDK, Vlora Çitaku, ka publikuar ftesën për seancën për presidentin, që në emailin e saj i arriti në ora 20:26.
Seanca për zgjedhjen e presidentit është thirrur nga LVV-ja për në orën 20:30, por ende nuk ka filluar.
“Pra, në ora 20:26 na vjen ftesa për seancë që duhet të mbahet në ora 20:30. Kaq serioz janë këta për të zgjedhur presidentin”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Në sallën plenare deri më tani nuk ka hyrë asnjë deputetë opozitarë. / REL
Gola: Kandidatja Feride Rushiti do duhej të prodhonte konsensus
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola tha se kandidatja e propozuar për Presidente, Feride Rushiti, do të duhej të pranohej nga të gjithë.
Gola foli para hyrjes në seancën e Kuvendit të Kosovës të thirrur për në orën 20:30 për votimin e dy kandidateve për presidente: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoti.
Para mediave, Goli tha se Rushiti u zgjodh si kandidate “për shkak të një biografie të jashtëzakonshme”
“...Një kontribut të jashtëzakonshëm që e ka bërë në drejtim të mbrojtjes së viktimave të luftës. Autoritetet e tilla besoj që do duhej të prodhonin një konsensus në spektrin politik”, tha ai.
Ai tha se opozita është njoftuar për këtë seancë por nuk e dijnë se si do të veprojnë karshi këtyre kandidaturave.
“Po provojmë me seancën e parë, do të shohim si do të përfundojë”, tha Gola. / REL
Në sallën plenare vetëm deputetë të shumicës parlamentare
Në sallën e Kuvendit të Kosovës kanë filluar të hyjnë deputetë të legjislaturës së dhjetë.
Megjithë, deri më tani brenda sallës plenare shihen vetëm deputetët e shumicës parlamentare, ndërkaq ulëset e deputetëve të opozitës janë bosh.
-----
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka pranuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas njoftimit, seanca do të mbahet sot në orën 20:30.
Në kuadër të kësaj kërkese, janë propozuar dy kandidatura për postin e Presidentit: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Haxhiu u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në këtë seancë, duke theksuar rëndësinë e përmbushjes së obligimeve kushtetuese.
Kjo seancë vjen në një moment vendimtar, pak para përfundimit të afatit ligjor për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa mbetet të shihet nëse do të sigurohen votat e nevojshme për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Shkrimi i plotë:
Sot kam pranuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit, e cila do të mbahet sot në orën 20:30.
Në kuadër të kësaj kërkese janë propozuar dy kandidatura për President: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
I ftoj që të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në këtë seancë, në përputhje me obligimet e tyre kushtetuese.