Nuk ka president të ri, Kosova shkon në zgjedhje

Aktuale

Nuk ka president të ri, Kosova shkon në zgjedhje

Më: 27 prill 2026 Në ora: 20:32 Përditësuar në ora: 09:59 më 28.04.2026
Kuvendi i Kosovës

A do të marrë pjesë opozita në seancë?

Derisa kanë mbetur edhe 15 minuta nga fillimi i seancës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, ende nuk dihet nëse deputetët e opozitës do të marrin pjesë.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë disa prej tyre, por deri më tani pa përgjigje.

Seanca e 27 prillit u zhvillua pa praninë e opozitës.

Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka deklaruar se ka bërë përpjekje për marrëveshje me partitë opozitare, por pa rezultat.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar të propozojë vetë kandidatin për president, ndërsa është kritikuar nga LVV-ja për mungesë transparence.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në anën tjetër, ka kundërshtuar idenë që një parti - në këtë rast LVV - t’i kontrollojë tri institucionet kryesore të shtetit: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.

Kurti ka thënë se i ka ofruar LDK-së pjesëmarrje në Qeveri ose postin e kryeparlamentarit, por oferta është refuzuar. Një ofertë e ngjashme iu bë edhe PDK-së, por lideri i saj, Bedri Hamza, e cilësoi si joserioze, duke thënë se nuk kishte pasur ftesë zyrtare për takim.

Më pas, Kurti u ka kërkuar PDK-së dhe LDK-së të propozojnë tre emra jopartiakë për president, duke ofruar mbështetjen e LVV-së, por opozita e ka refuzuar edhe këtë ide, duke e cilësuar si joserioze dhe të papranueshme. / REL

Njofton Kuvendi, vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme nis nga ora 10:00

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se seanca e jashtëzakonshme e nisur mbrëmë do të vazhdojë sot nga ora 10:00.

Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës po mbahet edhe sot, në ditën kur skadon edhe afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Këtë seancë e bojkotuan partitë opozitare dhe morën pjesë vetëm deputetët e shumicës ku u votua për dy kandidatet për presidente, të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Nisja e kësaj seance pa kuorumin e kërkuar me Kushtetutë për zgjedhjen e Presidentit u konsiderua shkelje e Kushtetutës.

Tik-taku i afatit

Sonte në mesnatë skadon afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Ky afat i 28 prillit u vendos pasi ish-presidentja Vjosa Osmani, më 6 mars, nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit.

Kjo ndodhi pas dështimit për të përmbyllur zgjedhjen e presidentit brenda afatit të 5 marsit, për shkak të mungesës së kuorumit.

Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë dekret, duke e shpallur pa efekt juridik dhe duke i dhënë Kuvendit afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit të ri.

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Pavarësisht disa përpjekjeve të raportuara, partitë nuk arritën të bien dakord për kandidatët që do të garonin për postin e presidentit të shtetit.

Çfarë ndodhi në seancën e 27 prillit?

Një seancë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës u mbajt të hënën, më 27 prill, me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për postin e presidentes u propozuan dy kandidate: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Në seancë morën pjesë vetëm deputetët e LVV-së dhe të komuniteteve joshumicë, ndërsa opozita nuk ishte e pranishme, duke bërë që të mungonte kuorumi i nevojshëm prej së paku 80 deputetësh në sallë.

Pavarësisht kësaj, rundi i parë i votimit u zhvillua.

Në votim, Feride Rushiti mori 63 vota, Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë, ndërsa një vote ishte e pavlefshme.

Opozita dhe përfaqësues të shoqërisë civile reaguan pas seancës, duke theksuar se zhvillimi i votimit pa kuorum cenon legjitimitetin e procesit dhe rendin kushtetues të vendit.

Vazhdon seanca për presidentin, palët mbeten të ndara

Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës u ndërpre mbrëmë për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa pritet të vazhdojë sot në orën 10:00, mes përplasjeve të forta politike për ligjshmërinë e procesit.

Në raundin e parë të votimit morën pjesë 64 deputetë. Kandidatja Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa një votë rezultoi e pavlefshme. Kandidatja tjetër, Hatixhe Hoxha, nuk arriti të sigurojë asnjë votë.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, deklaroi se propozimi i dy kandidateve erdhi në mungesë të alternativave nga opozita.

“Në mungesë të iniciativave nga partitë tjera, kemi vazhduar me dy nominime të reja, me dy aktiviste, gra të denja dhe profesioniste, në mënyrë që të vazhdojmë procesin dhe të shmangim zgjedhje të reja”, tha Nagavci.

Ajo theksoi se seanca kishte kuorum për nisje.

 “Kemi pasur kuorum për të filluar seancën e jashtëzakonshme, sepse seanca ftohet me 40 nënshkrime. Ishin të pranishëm më shumë se 61 deputetë për të filluar seancën”, tha ajo.

Sipas saj, në sallë ishin 64 deputetë dhe asnjë nga opozita nuk kishte njoftuar për mungesën.

“U pa që zonja Feride Rushiti kishte mbështetjen e deputetëve, me 63 vota nga deputetët e pranishëm”, shtoi ajo, duke i ftuar deputetët opozitarë që të marrin pjesë në vazhdimin e seancës.

Në anën tjetër, opozita e ka cilësuar procesin si antikushtetues.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se zhvillimet përbëjnë “puç kushtetues”.

“Po vërehet që kjo kohë vendin po e kalon në një situatë bukur komplekse, por sonte mosserioziteti dhe papërgjegjshmëria e kanë mbërritur kulmin. Ky është një puç kushtetues”, deklaroi ai.

Hamza insistoi se Kushtetuta kërkon prezencën e 80 deputetëve për votim.

“Kushtetuta është e qartë, duhet të jenë 80 deputetë prezentë në sallë dhe të votojnë që të konsumohet raundi i parë”, tha ai, duke shtuar se procedura është zhvilluar në kundërshtim me rendin kushtetues.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kritikoi zhvillimet, duke i cilësuar si të rënda për demokracinë.

“Është një natë bukur e rëndë për Republikën e Kosovës… një rast pa precedent, jodemokratik dhe antikushtetues”, tha ai.

Abdixhiku theksoi se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet përmes marrëveshjes politike.

“E vetmja mënyrë për të zgjedhur presidentin është nëpërmjet një marrëveshjeje politike”, u shpreh ai, duke bërë të ditur se LDK ka siguruar 15 nënshkrime për kandidatin e saj.

Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e cilësoi seancën si “sulm ndaj Kushtetutës”.

“Ky akt shënon një ndër shkeljet më të mëdha kushtetuese dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues”, deklaroi ai, duke e quajtur situatën edhe “tentim për grusht-shtet”.

Feride Rushiti merr vetëm 63 vota, seanca për presidentin vazhdon nesër

Kuvendi i Kosovës të hënën mbajti seancë plenare kushtuar çështjes së zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Në rend dite ishte “diskutimi lidhur me zgjedhjen” e kreut të shtetit, në një moment kur institucionet po i afrohen afatit të përcaktuar me Kushtetutë për finalizimin e procedurës së zgjedhjes së presidentit.

Në seancë nuk kanë marrë pjesë PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja.

Të martën është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, përndryshe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Votimi në raundin e parë: Feride Rushiti merr 63 vota

Në Kuvendin e Kosovës u mbajt raundi i parë i votimit për President, ndonëse në sallë nuk janë të pranishëm dy të tretat e deputetëve.

Në mesin e dy kandidateve të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushiti mori 63 vota ndërsa një votë u shpall e pavlefshme.

Në sallë të pranishëm janë 64 deputetë ndërsa opozita e ka bojkotuar seancën.

Behrami i PDK-së: LVV po tenton të prodhojë artificialisht fajtorë të paqenë

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, tha se LVV-ja po tenton që të prodhojë “artificialisht fajtorë të paqenë” për një proces, që sipas tij, vetë Qeveria është përgjegjëse.

“Paramendo, i ka pasur 75 ditë që nga seanca e parë konstituive për të gjetur konsensus për një emër të presidentit”, shkroi ai në Facebook. / REL

Nis votimi për dy kandidatet për president, opozita bojkton seancën

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi për nisjen e votimit për dy kandidatet për presidente të Kosovës: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Megjithatë, në sallë janë të pranishëm vetëm deputetët e shumicës parlamentare dhe ato të opozitës po i bojkotojnë punimet.

Komisioni i jep dritën e gjelbër dy kandidateve

Komisioni për legjislacion ka shqyrtuar dokumentacionin e dy kandidateve për president dhe pas shqyrtimit konstatoi se ato mund të hidhen në votim.

Votimi për president bëhet me votim të fshehtë. Në rundin e parë dhe të dytë kërkohen dy të tretat e votave, ndërkaq në rundin e tretë kërkohen 61 vota për president.

Nëse nuk marrin votat e nevojshme, shpërndahet Kuvendi dhe vendi shkon në zgjedhje. / REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat