Nis seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë

Aktuale

Nis seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë

Më: 11 maj 2026 Në ora: 07:52 Përditësuar në ora: 12:21 më 11.05.2026
Nis seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë

Ekspertja thotë se për transkriptimin e audios nga vizita e Kuçit përdori Inteligjencën Artificiale

Në seancën e së hënës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, dëshmitarja Helen Fraser foli për transkriptimin e audiove nga vizita e Kuçit në Qendrën e Paraburgimit, për të cilin tha se përdori Inteligjencën Artificiale.

Pas deklarimit lidhur me disa aspekte të linguistikës, u diskutuan audiot e gjykimit konkret, lidhur me dy vizita që janë bërë në Qendrën e Paraburgimit, ku ekspertja Fraser tha se u fokusua në dy incizimet.

Lidhur me transkriptet, ajo tha se është shumë e rëndësishme të dimë procesin që është ndjekur. Tha se është e vështirë ta shohin një transkriptë pas faktit.

Gjuhën shqipe, Fraser tha se nuk e kupton dhe nuk ka pasur transkriptues që flet shqipen, megjithatë përdori transkriptuesin e Inteligjencës Artificiale.

Por, theksoi se në rastet tjera janë një grup transkriptuesish që janë të aftë për audiot e padëgjueshme mirë.

E pyetur nëse Inteligjenca Artificiale është mjet i mirë për ta zëvendësuar transkriptuesin, Fraser tha se nuk është e duhura.

“Inteligjenca Artificiale nuk mund ta zëvendësojë aspektin njerëzor në transkriptimin e audiove të padëshifrueshme. E përdora sepse doja të dija sa informacion është i dëshifrueshëm nga lart-poshtë”, tha Fraser.

Fraser deklaroi se përdori mjetin e transkriptimit nga AI dhe shtoi se dobia ishte se ky mjet i mundësoi deshifrimin dhe transkriptimin e saktë sikurse transkriptuesit.

Megjithatë, tha se mjeti i Inteligjencës Artificiale iu dha një ide se çfarë përmban audio.

Përpjekja për të reduktuar zhurmën, në shumë raste, sipas saj, do të thotë edhe heqje e informacionit.

Më pas, dëshmitares iu paraqit shkëmbimi i e-maileve mes mbrojtjes së Thaçit dhe një përkthyesi, ku iu kërkua të transkriptonte disa audio nga vizita e Kuçit. Përkthyesi kishte thënë se nuk mund t’i transkriptonte për shkak të pamundësisë së dëshifrimit. Pas kësaj, iu shfaq edhe audio e transkriptuar nga ZPS-ja, transkriptë kjo me pesë faqe.

Lidhur me këtë, Fraser tha se nuk e di nëse përkthyesi në fjalë do të ishte në mesin e personave që ka zotëruar aftësinë e dëshifrimit të këtyre lloj audiove. Por, tha se beson që ZPS-ja është mbështetur edhe në informacionin lart-poshtë, të cilin përkthyesi nuk e ka pasur.

E-maili tjetër që iu shfaq dëshmitares ishte mes mbrojtjes së Thaçit dhe Njësisë për Administrimin e Gjykatës, ku këta të fundit u kanë thënë se nuk mund ta bëjnë transkriptimin e audios nga vizita e Kuçit, për shkak të cilësisë së audios. Sërish, ZPS-ja e kishte transkriptuar.

Për këtë, dëshmitarja tha se beson që rrethanat janë të njëjta, ku derisa ki informacione më shumë për kontekstin, është më e lehtë të bëhet transkriptimi.

Helen Fraser dëshmon në gjykimin ndaj Thaçit dhe tjerëve kundër administrimit të drejtësisë

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, të hënën po dëgjohet dëshmitarja Helen Fraser.

Fraser tha se është kërkuese në linguistikën forenzike dhe se aktualisht punon në Universitetin e Melbournit në Australi.

Dëshmitarja tha se në fushën e transkripteve forenzike punon tash e reth 23 vite.

Me pyetje për dëshmitaren po vazhdon mbrojtësja e Thaçit, Sophie Menegon.

Fraser konfirmoi se ajo ka shkruar raportin e 27 marsit 2026.

Si eksperte, tha se ka dhënë akt-ekspertiza në çështje penale, veçanërisht në Australi. Tha se ka shkruar raporte për shumë vite, për rreth 100 çështje gjyqësore.

Ajo shtoi se ka dhënë disa herë dëshmi në gjykatë, duke shtuar se konstatimet e saj janë marrë për bazë në gjykatat.

Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.

Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Nis seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Ka nisur seanca në çështjen Thaçi dhe të tjerët në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Rasti i gjykimit lidhet me akuzat për vepra kundër administrimit të drejtësisë.

Në këtë rast, nën akuzë janë Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klaj dhe Hajredin Kuçi.

Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu ngarkohen.

Në seancë u bë e ditur se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe të tjerët po i përcjellin përmes videolidhjes.

Specialja nis seancat “kundër administrimit të drejtësisë”, procesi vazhdon deri më 15 maj

Në Gjykatën Speciale në Hagë, sot nis seanca ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në lidhje me akuzat për vepra kundër administrimit të drejtësisë.

Seanca nis në orën 9:30. Ndërkohë, dihet se seanca do të mbahen deri më 15 maj.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në Hagë, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të Gjykatës Speciale.

Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë më 9 dhjetor.

Kurse, në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat