“Koha e privilegjeve po mbaron” – Ramabaja i ashpër me Osmanin

Aktuale

“Koha e privilegjeve po mbaron” – Ramabaja i ashpër me Osmanin

Nga: A.M Më: 8 qershor 2026 Në ora: 13:10
Profesori Sadri Ramabaja

Profesori Sadri Ramabaja ka reaguar ndaj deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se “VV-ja s’ka asnjë arsye që ta refuzojë emrin tim për presidente”.

Në reagimin e tij në Facebook, Ramabaja e vë në pikëpyetje legjitimitetin politik të një kandidature të tillë, duke argumentuar se mandati moral në politikë nuk buron nga vetëbesimi i individit, por nga besimi i qytetarëve, përcjell “Bota sot”.

 Sipas tij, kur mbështetja politike zbehet, pretendimet për pozita të larta shtetërore nuk mund të justifikohen si nevojë publike, por shihen si vazhdim i ambicieve personale në një institucion që kërkon konsensus dhe legjitimitet të gjerë.

Shkrimi i plotë

Vjosa Osmani: "VV-ja s'ka asnjë arsye që ta refuzojë emrin tim për presidente".

Koment:

Arsyen kryesore ta dha vetë populli. Në politikë, mandati moral nuk buron nga vetëbesimi i politikanit, por nga besimi që i japin qytetarët. Kur ky besim venitet, nuk mjafton të shpallesh i pazëvendësueshëm dhe as t'i paraqesësh ambiciet personale si nevojë kombëtare.

Paradoksi është se sa më shumë zvogëlohet mbështetja politike, aq më të mëdha bëhen pretendimet për poste. Sikur presidenca të ishte pronë private e jo institucion që kërkon legjitimitet politik e qytetar.

Në fund, ndoshta pyetja nuk është pse dikush mund ta refuzojë kandidaturën tënde, por pse duhet ta pranojë atë. Politika nuk është strehimore për karriera në perëndim, as mekanizëm për zgjatjen artificiale të jetës politike. Në demokraci, kur qytetari e tërheq kredinë e besimit, mesazhi është i qartë: koha e privilegjeve po mbaron.

Prandaj, në vend të kërkesës për një mandat të ri, ndoshta do të ishte më e arsyeshme të pranohej verdikti politik që tashmë është dhënë. Edhe pensioni politik, sado i pamerituar të duket për shumëkënd, mund të jetë më bujar sesa vlerësimi që ka lënë pas bilanci i një mandati të mbushur me ambicie personale dhe me shumë më pak rezultate të mirëqena.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat