Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar ka kërkuar që arsimi të shpallet urgjencë kombëtare. Sipas ROSCAP-it, rezultatet e PISA-s duhet të shndërrohen në veprime konkrete dhe të matshme.
Kjo kërkesë doli nga tryeza e organizuar në Prishtinë, pas publikimit të rezultateve të PISA 2025, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, komunave, shkollave, sindikatës, prindërve dhe shoqërisë civile.
Ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, tha se diskutimi duhet të zhvendoset nga kërkimi i fajtorit te zgjidhjet konkrete.
“Për një kohë të gjatë jemi përqendruar te pyetja se kush e ka fajin. Tani duhet të pyesim: Çka bëjmë tash?”, tha Çeku, thuhet në një njoftim të Roscap, transmeton KosovaPress.
Ai kërkoi analizimin e mënyrës së shpenzimit të buxhetit për arsim ndërsa përmendi edhe mbrojtjen e punësimit në shkolla nga ndërhyrjet partiake.
Ministri foli gjithashtu për vendosjen e provimit shtetëror për hyrjen në profesionin e mësimdhënësit. Ai kërkoi edhe fuqizimin e këtij profesioni.
Sipas tij, problemet e sistemit shfaqen përfundimisht brenda klasës. Kurrikula mbetet e ngarkuar, ndërsa nxënësit vazhdojnë të mësojnë kryesisht përmendësh, shtoi ai.
Çeku paralajmëroi kalimin gradual drejt mësimit tërë ditor dhe përmirësimin e kurrikulës. Ai kërkoi një marrëveshje shoqërore për arsimin, e cila tejkalon partitë dhe mandatet qeverisëse.
Pjesëmarrësit vlerësuan se PISA nuk duhet të trajtohet si qëllim, por si pasqyrë e problemeve të sistemit. Ata kërkuan rishikimin e kurrikulës, përmirësimin e vlerësimit dhe forcimin e shkathtësive të leximit.
Në diskutim u kërkua edhe zhvillimi profesional i mësimdhënësve, përmirësimi i vijueshmërisë dhe avancimi i infrastrukturës shkollore.
ROSCAP kërkoi që institucionet t’i trajtojnë edhe kërkesat e dymbëdhjetë mijë e pesëqind e njëzet e gjashtë qytetarëve. Ata kishin nënshkruar Peticionin për Shpëtimin e Arsimit, të dorëzuar në Kuvend në mars 2024.
Nga diskutimet do të hartohet një dokument me përfundime dhe rekomandime për institucionet qendrore, komunat dhe shkollat, për të cilin u tha se do të publikohet së shpejti.