Kuvendi konstituohet pa nënkryetarin e PDK-së, votohet një kandidate e Listës Serbe

Aktuale

Kuvendi konstituohet pa nënkryetarin e PDK-së, votohet një kandidate e Listës Serbe

Më: 13 shtator 2026 Në ora: 07:38 Përditësuar në ora: 11:24 më 13.09.2026
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë seancës konstituive të mbajtur më 9 gusht.

Murati pas konstituimit të Kuvendit: PDK-ja bojkotoi seancën, ne u pajtuam t’i votojmë kandidatët e tyre

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës se procesi është përmbyllur me mungesën e njërit prej nënkryetarëve, pasi Partia Demokratike e Kosovës nuk propozoi kandidat dhe nuk mori pjesë në seancë.

Murati tha se PDK-ja, pavarësisht se për javë të tëra kishte kërkuar konstituimin e Kuvendit, në ditën kur u bë i mundur ky proces vendosi ta bojkotojë seancën.

“Seanca e Kuvendit të sotëm po përmbyllet, pra po përmbyllet me sukses. Problemi, siç e dini, sot nuk ka qenë tek seanca e konstituimit. Problemi ka qenë tek çështja e presidentit, gjë e cila herën e kaluar, pra mandatin e kaluar, na dërgoi në zgjedhje. Në vullnet, pra për të zgjidhur këtë çështje, ne jemi munduar dhe kemi konsideruar që është e nevojshme që para konstituimit të ketë një marrëveshje”, tha Murati.

Ai kritikoi PDK-në për mospjesëmarrjen në seancë.

“Kuvendi u konstitua me gjithsej me një mungesë të një nënkryetari për shkak të refuzimit nga grupi parlamentar i PDK-së për të propozuar kandidatin e tyre apo kandidaten e tyre për nënkryetar. Me keqardhje mund ta them, sepse kemi parë që për sa e sa javë grupi parlamentar i PDK-së ka protestuar para qeverisë dhe në forma të tjera ka kërkuar në vazhdimësi, pra që të propozohet dhe të konstituohet Kuvendi. Ndërkaq në ditën kur Kuvendi konstituohet, ata vendosin të refuzojnë përgjegjësinë e tyre dhe të bojkotojnë seancën konstituive”, u shpreh ai.

Sipas Muratit, LVV-ja ishte e gatshme të votonte kandidatët e partive opozitare për të zhbllokuar procesin.

“Kjo pra shihet se sa seriozisht e kanë pasur, e madje edhe në situatën kur ne u pajtuam që për hir të zhbllokimit të procesit dhe të ecim tutje, duke parë destruktivitetin e tyre, u pajtuam që të votojmë kandidatët e tyre, pavarësisht pra edhe nëse nuk pajtoheshim me ta apo nëse nuk kishim dakordësi politike paraprake siç e kërkon Gjykata Kushtetuese”, tha Murati.

Ai iu referua edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me të drejtën e grupeve parlamentare për të propozuar anëtarët e kryesisë së Kuvendit.

“Pra besoj u kujtohet që Gjykata Kushtetuese vitin e kaluar, kur ne propozonim kandidaten tonë për kryetare Albulena Haxhiu të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese ka thënë që e drejta pra nuk mund të mohohet, e drejta kushtetuese ekziston për grupet parlamentare që të propozojnë anëtarët e kryesisë. Megjithatë, u takon grupeve parlamentare që të arrijnë dakordësinë politike për t’i siguruar 61 vota”, tha ai.

Murati shtoi se partitë e tjera nuk kishin arritur dakordësi me LVV-në, pavarësisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti.

“Një gjë të tillë pra nuk e kanë bërë grupet e tjera parlamentare në raport me Lëvizjen Vetëvendosje, madje ka pasur ftesë nga Kryeministri Kurti që të takohen dhe të arrijnë një dakordësi të tillë, e patë që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, pra nuk janë përgjigjur dhe nuk ka pasur dakordësi. Megjithatë ne vendosëm që të shkojmë tutje që të mos bllokohet procesi, pra që të kemi Kuvend të konstituar dhe institucionet të zgjidhen”, përfundoi Murati.

Ndërkaq, lidhur me votimin e deputetit nga Lista Serbe dhe qëndrimin e LVV-së ndaj kësaj partie, Murati tha se prioritet për Vetëvendosjen ka qenë shmangia e zgjedhjeve të reja dhe sigurimi i një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.

“Për ne në vazhdimësi çdo gjë ka qenë e rëndësishme pra që të sigurohemi se zgjidhet Presidenti i vendit. Se ju kujtohet herën e kaluar s’kemi pasur fare problem, pra Kuvendi dhe Qeveria ishin formuar në afat rekord. Problemi pastaj ndodhi siç e patë tek Presidenti, sepse opozita nuk qëndroi në sallë. Dhe e dërguan vendin në zgjedhje”, tha Konjufca.

Ai tha se pikërisht për të shmangur përsëritjen e një skenari të tillë, LVV-ja kishte kërkuar dakordësi politike para konstituimit të Kuvendit.

“Duke dashur ta evitojmë me çdo kusht shkuarjen përsëri në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar që të ketë një dakordësi paraprake, pra para konstituimit të Kuvendit dhe para fillimit të rrjedhës së afateve, në mënyrë që të evitohet shkuarja në zgjedhje përsëri”, u shpreh ai.

Ai tha se LVV-ja kishte arritur marrëveshje me LDK-në, por se ajo nuk ishte mbështetur nga të gjithë deputetët e kësaj partie.

“Në kuadër të kësaj, pra kemi bërë një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, mirëpo siç e keni parë nuk është marrëveshje e plotë në kuptimin për shkak se Lidhja Demokratike e Kosovës apo deputetë të caktuar të saj kanë shprehur rezervat e tyre përkitazi me këtë marrëveshje dhe kandidatit konsensual, pra profesor doktor Bekim Sejdiut”, tha ai.

Sipas tij, LVV-ja kishte vendosur të mbështeste kandidatët e partive të tjera për nënkryetarë, me qëllim që të krijoheshin kushtet për zgjedhjen e presidentit.

“Pra njëra mënyrë ka qenë kjo përmes dakordimit politik, ku ne si Lëvizje Vetëvendosje 53 votat tona i japim për kandidatët e tyre për nënkryetar, nëse ata dakordohen që të votojnë së paku edhe kundër, pra të marrin pjesë në seancë në mënyrë që të mundësohet zgjedhja e Presidentit. Kjo ka qenë arsyeja”, deklaroi ai.

Murati tha se pas refuzimit të opozitës për të marrë pjesë në proces, LVV-ja vendosi të vazhdojë me konstituimin e Kuvendit.

“Mirëpo kur e pamë që ata janë të përkushtuar të vazhdojnë me bllokadë, pra që assesi nuk janë të interesuar të konstituojnë Kuvendin, ne nuk jemi iracionalë. Pra ne jemi racionalë dhe vendosëm që megjithatë Kuvendi të konstituohet dhe të ecim tutje, me shpresën që ky hap i vullnetit të mirë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje pra të shihet si i tillë dhe deputetët e tjerë të opozitës të reflektojnë në mënyrë që në seancën kur votohet për Presidentin ata të qëndrojnë në sallë dhe të japin votën e tyre e të mos e çojnë vendin në zgjedhje”, tha ai.

I pyetur për votimin e deputetit nga Lista Serbe, Konjufca tha se pozita e nënkryetarit nga komuniteti serb është e përcaktuar me Kushtetutë dhe se, sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë këtë të drejtë Listës Serbe.

“Siç e dini, çështja e nënkryetarit nga komuniteti serb, pra jo shumicë serb, është e përcaktuar në Kushtetutë. Ne gjatë vitit të kaluar, pra në legjislaturën e vitit 2015, kemi insistuar dhe kemi proceduar tutje me votimin e zotëri Nenad Rašić”, tha ai.

Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese kishte vendosur se, përderisa Lista Serbe ka shumicën e deputetëve të komunitetit serb, posti i nënkryetarit i takon kësaj liste.

“Por siç e dini, në fillim të këtij viti, pra të vitit 2026, ka qenë Gjykata Kushtetuese ajo që ka thënë që nuk duhet të ketë kandidat tjetër përderisa Lista Serbe e ka shumicën, nënkryetari i Kuvendit i takon Listës Serbe. Pra Listës Serbe nënkryetarin e Kuvendit ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese, jo ne”, tha ai.

Ai theksoi se LVV-ja, në legjislaturat e kaluara, kishte votuar kundër kandidatëve të Listës Serbe, por se vendimi i Gjykatës Kushtetuese kishte përcaktuar ndryshe përbërjen e kryesisë.

“Dhe ne, siç e dini, kemi insistuar, pra kemi votuar kundër të gjithë kandidatëve nga Lista Serbe në legjislaturat e kaluara, në mënyrë pra që të arrijmë tek kandidati i vetëm që nuk ishte nga Lista Serbe nga komuniteti serb jo shumicë. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese në fillim të këtij viti me atë gjykim të dhënë ka vendosur që pozita e tillë i takon Listës Serbe për aq sa Lista Serbe ka shumicën e deputetëve të komunitetit serb jo shumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Lushaku-Sadriu: Kjo është dëshmi se kur ka vullnet politik, bëhen institucionet

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit dëshmon se institucionet mund të formohen kur ekziston vullneti politik mes subjekteve parlamentare.

Ajo tha se pas ndryshimit të qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje, LDK-ja iu bashkua seancës konstituive, ku u votua kandidati i saj për nënkryetar të Kuvendit, Kujtim Shala.

“Kjo është një dëshmi kur vullneti i që kur vullneti politik edhe kur ushtrimi i demokracisë bëhet më i lehtë bëhen institucione. Do thotë po shihet që vetëm mungesa e vullnetit politik të grupit të parë parlamentar ka bërë që të ketë vonesa deri ditën e sotme. Ne në seancën e fundit u kemi bërë thirrje që t’ua njohin të drejtën partive politike për propozimin e emrave për nënkryetarë të tyre dhe vetëm pas ndërrimit të qëndrimit të tyre ne erdhëm dhe u bashkëngjitëm në seancë dhe u votua propozimi i kandidatit të LDK-së për nënkryetar ashtu siç kemi propozuar ne dhe i dhamë institucione vendit”, tha ajo.

Ajo tha se qëndrimi i LDK-së ishte që të shfrytëzohej deri në fund e drejta e dialogut dhe dorëzimit të propozimeve, megjithatë ajo shtoi se PDK doli me qëndrim të ri politik.

“Është situatë e re, është situatë e re për shkak se nuk ka pasur vullnet për votim të nënkryetarëve dhe nuk iu ka njoftë e drejta, ju e patë që grupit të dytë parlamentar nuk iu votua kandidati i tyre dhe ishte e njëjta logjik për të vazhduar. Sot ne u bëmë thirrje që të shfrytëzohet e drejta e dialogut dhe të bëhet thirrje e re të gjitha grupeve parlamentare që të vijnë dhe të bëjnë propozime, ndërkohë kemi një qëndrim politik të PDK-së për të mos marrë pjesë në seancë, gjithsesi ata do ta adresojnë në Gjykatën Kushtetuese, ne do të kontribuojmë për sqarimin e ligjshmërisë dhe Kushtetutshmërisë së institucioneve”, tha ajo.

​Haxhiu: Konstituimi i Kuvendit të Kosovës nuk do të jetë peng i askujt

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës nuk do të jetë peng i askujt, tha kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu.

Ajo në seancën e sotme të Kuvendit duke komentuar tërheqjen e propozimit të përkohshëm të PDK-së për nënkryetar të Kuvendit, tha se e njëjta nuk po e ushtron të drejtën kushtetuese andaj duhet të vazhdohet tutje me nënkryetar të tjerë.

Haxhiu: Konstituimi i Kuvendit të Kosovës nuk do të jetë peng i askujt

“Sot është hera e tretë që PDK-ja nuk merr pjesë në seancën konstituvie për të bërë propozimin sipas kushtetutës. PDK ka qenë e njoftuar për seancën konstituvie nuk është e pranishme dhe rrjedhimisht nuk po e ushtron të drejtën për të drejtën kushtetuese. Bazuar edhe në qëndrimin e gjykatës Kushtetuese kuvendi nuk mund të jetë peng i askujt prandaj edhe vazhdojmë me propozimin nga LDK-ja”, tha ajo. 

Vujoviq e Listës Serbe zgjedhet nënkryetare e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur Tanja Vujoviq për nënkryetare të legjislativit.

Deputetët e Vetëvendosjes dhe të Listës Serbe kanë votuar pro kandidaturës së saj, pasi paraprakisht nuk kishin marrë votat shumica e kandidatëve të këtij subjekti politik nga komuniteti serb.

Vujoviq ka marrë 62 vota pro.

Edhe Stefanoviq dështon për nënkryetare të Kuvendit

Liljana Stefanoviq, kandidatja e Listës Serbe, nuk arriti të zgjidhej nënkryetare e Kuvendit.

Në votim, 62 deputetë votuan kundër, 8 për dhe një deputet abstenoi.

Slavko Simiq nuk merr votat për nënkryetar Kuvendi

Kuvendi i Kosovës, që ka nisur seancën e zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e subjketeve potike, nuk e ka zgjedhur Slavko Simiqin e Listës Serbe për këtë pozitë.

Në dy tentimet, ai nuk ka marrë votat e mjaftueshme për nënkryetar kuvendi.

Kuvendi voton Kujtim Shalën si nënkryetar të Kuvendit

Kuvendi voton Kujtim Shalën si nënkryetar të Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar kandidatin për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala.

Shala mori besimin e 75 deputetëve, kurse 1 votoi kundër dhe 4 abstenime.

Kujtojmë se PDK përmes një letre zyrtare drejtuar kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu njoftoi pezullimin e kandidaturës së Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit nga radhët e kësaj partie.

​PDK tërheq përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit, pret vendimin e Kushtetueses

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar tërheqjen e përkohshme të kandidaturës së Vlora Çitakut për pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit.

Në një shkresë drejtuar kryetares së Kuvendit, të nënshkruar nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, thuhet se vendimi është marrë për shkak të shkeljeve të vazhdueshme dhe të përsëritura të detyrimeve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, transmeton KosovaPress.

Në komunikatën për media thuet se, PDK i referohet nenit 66 të Kushtetutës dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO 124/25, duke argumentuar se procesi i konstituimit duhej të përfundonte brenda afatit kushtetues.

Sipas Tahirit, PDK-ja kishte marrë pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, pavarësisht skadimit të afatit kushtetues, me qëllim që të kontribuonte në përfundimin e procesit të konstituimit.

“Megjithatë, kjo gatishmëri nuk u shfrytëzua”, thuhet në shkresë, ku PDK thotë se janë krijuar pengesa të reja dhe janë përdorur çështje procedurale e politike për shtyrjen e procesit.

PDK ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar “vlerësimin dhe sqarimin kushtetues të situatës së krijuar”.

Deri në vendimin e Gjykatës, PDK ka vendosur të mos marrë pjesë në vazhdimin e procesit dhe të pezullojë kandidaturën e Çitakut.

Megjithatë, PDK thekson se kjo nuk nënkupton heqjen dorë nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon asaj.

“Tërheqja e kandidaturës së tanishme nuk nënkupton se Partia Demokratike e Kosovës heq dorë nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon, dhe as se refuzon të propozojë kandidatin e saj për këtë pozitë”, thuhet në shkresë.

PDK ka paralajmëruar se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të rikthehet në Kuvend dhe do të veprojë në përputhje me vendimin e saj.

Zemaj: Lojë e VV-së me nënkryetarët, LDK-ja s’bëhet pjesë e proceseve ku ka shkelje

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se nuk mund të ketë tejkalim të zgjedhjes së nënkryetarëve, për të ndodhur konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se ndërrimi i qëndrimeve të VV-së për votimin e nënkryetarëve të LDK-së dhe PDK-së është lojë politike.

Para nisjes së seancës së sotme, Zemaj ka thënë se LDK-ja nuk bëhet pjesë e proceseve ku ka shkelje.

“Këto lojëra politike janë duke e dëmtuar shtetin e Kosovës. Qëndrimet këta i kanë ndërruar gjithmonë, këta kalkulojnë në vota dhe në interesa të tyre të ngushta. Nuk e kanë interersin e forcimit të institucioneve, mendojnë për interesa të tyre dhe ky është dëmi më i madh që po I bëhet vendi. Ne duhet të kemi Kuvend kushtetues, kjo do të thotë që pa u zgjedh nënkryetarët nuk ka konstituim të Kuvendit. E patë se si e ndërruan praktikën e zgjedhjes së nënkryetarëve. Kjo është krejt ajo loja që po ndodh. Nuk mundesh me pas tejkalim, as të dytit, e as të tretët për me kalu te i katërti ose i pesti. Ne nuk hyjmë në asnjë variant ku ka shkelje.”, ka thënë Zemaj. 

Balje: Nëse vazhdon kështu, zgjedhjet janë shumë evidente

Deputetja nga partia boshnjake Duda Balje, para hyrjes në Kuvend, u pyet për vendimin e VV-së për të votuar nënkryetarët e propozuar nga PDK-ja dhe LDK-ja.

Balje tha se ky veprim, sipas saj, lidhet me një kalkulim politik të VV-së për zgjedhje të reja në dhjetor.

“Unë mendoj se këtu është një hap i planit që kanë pasur për zgjedhje në dhjetor, dhe domethënë janë tu shku me hapa qysh kanë planifikuar.

Nëse vazhdon kështu, zgjedhjet janë shumë evidente”, tha Balje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat