Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave të zhvarrosura në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Ajo tha se viktimat ishin pjesë e “Grupit të Intelektualëve”, shqiptarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer nga forcat serbe më 19 prill 1999.
Haxhiu u shprehu ngushëllime familjeve, duke theksuar se kërkimi do të vazhdojë deri në gjetjen e personit të fundit të zhdukur dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve.
Postimi i plotë:
Tri familje morën sot lajmin për familjarët e zhdukur me dhunë që prej vitit 1999.
Analizat e ADN-së konfirmuan identitetin e tri viktimave, mbetjet mortore të të cilave u zhvarrosën në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Ata ishin pjesë e grupit të njohur si "Grupi i Intelektualëve", shqiptarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer nga forcat serbe më 19 prill 1999.
Për 27 vjet, këto familje jetuan pa ditur ku ishin më të dashurit e tyre. Sot ato e dinë. Dhimbja mbetet, por kjo pritje e gjatë mbaroi.
Jam pranë tyre në këtë ditë. Bashkëndjej edhe me familjet e tjera që presin rezultatet e gërmimeve në javët në vijim.
Kërkimi ynë nuk do të ndalet derisa të gjendet edhe personi i fundit i zhdukur me dhunë dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.