​Ambasadorët nderojnë Afrim Bunjakun në trevjetorin e rënies së tij

Aktuale

​Ambasadorët nderojnë Afrim Bunjakun në trevjetorin e rënies së tij

Më: 24 shtator 2026 Në ora: 16:17
Afrim Bunjaku

Shefi i ri i EULEX-it në Kosovë, Antero Lopes, së bashku me ambasadorë të akredituar në Kosovë, kanë bërë homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij.

Ata kanë nderuar kujtimin e rreshterit të Policisë së Kosovës, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Homazhe bëri edhe ambasadori gjerman, Rainer Rudolph, pranë varrit të heroit Afrim Bunjaku, i cili ra në detyrë në sulmin terrorist të Banjskës tri vjet më parë.

Bunjaku u vra gjatë përleshjeve me grupin e armatosur që kishte hyrë në veri të Kosovës. Sulmi në Banjskë nisi në orët e hershme të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur sulmoi një patrullë të Policisë së Kosovës, duke vrarë rreshterin Bunjaku dhe plagosur policë të tjerë.

Pas sulmit, forcat e Policisë së Kosovës zhvilluan operacion në zonën përreth Manastirit të Banjskës, ku pati përleshje të armatosura dhe u vranë disa pjesëtarë të grupit të armatosur.

Rasti i Banjskës mbetet një nga ngjarjet më të rënda të sigurisë në Kosovë në vitet e fundit, ndërsa autoritetet kosovare kanë kërkuar përgjegjësi për organizatorët dhe pjesëmarrësit në sulm.

Homazhet janë bërë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e trevjetorit të rënies së Bunjakut.

Ndërsa në vendin ku tre vjet më parë ra në krye të detyrës rreshteri Afrim Bunjaku, sot është vendosur gurthemeli i përmendores kushtuar heroit të Policisë së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat