Kurti e quan të padrejtë aktgjykimin e Speciales: Do të bëjmë të pamundurën për korrigjimin në Apel

Aktuale

Kurti e quan të padrejtë aktgjykimin e Speciales: Do të bëjmë të pamundurën për korrigjimin në Apel

Më: 30 shtator 2026 Në ora: 07:46 Përditësuar në ora: 12:21 më 30.09.2026
Albin Kurti

Kurti: Brenda kësaj jave do t’i përgjigjemi Kuvendit për projektligjin për Specialen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria brenda kësaj jave pritet të japë përgjigje lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në një konferencë për media, Kurti tha se iniciativa ligjore e propozuar nga PDK-ja është çështje që i është drejtuar Zyrës Ligjore në Kryeministri për të dhënë opinionin përkatës.

Sipas tij, Zyra Ligjore e Kryeministrisë ka kërkuar mendim edhe nga Zyra Ligjore e Ministrisë së Drejtësisë, si dhe nga Departamenti për Buxhet në Ministrinë e Financave.

“Kemi një iniciativë ligjore nga PDK, kjo është çështje e Kuvendit që i është drejtuar Zyrës ligjore për opinion në Kryeministri. Tash zyra ligjore në Kryeministri, ka kërkuar mendim nga Zyra Ligjore e Ministrisë së Drejtësisë. Gjithashtu edhe nga Departamenti për Buxhet nga Ministria e Financave. Kjo është procedura e rregullt. Prej informacioneve, brenda kësaj jave do ta kemi përgjigjen, si nga Ministria e Drejtësisë ashtu edhe e Financave, dhe menjëherë do t’ia japim përgjigjen Kuvendit”, tha Kurti.

Kryeministri theksoi se bëhet fjalë për një procedurë të rregullt institucionale dhe se përgjigjja do t’i përcillet Kuvendit sapo të përfundojnë vlerësimet përkatëse.

​Murati: Opozita të mos e përsërisë bojkotin për presidentin

Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati ka kërkuar nga deputetët e partive opozitare që të qëndrojnë në seancën për zgjedhjen e presidentit të ri.

Murari për KosovaPress tha se Vetëvendosje ka qenë gjithmonë e gatshme, por vullneti i njëjtë nuk ishte nga partitë e tjera politike.

Murati: Ne në të gjitha rastet kemi qenë të hapur për diskutime për presidentin

“Ne në të gjitha rastet kemi qenë të hapur për diskutime, mirëpo u takon deputetëve të partive tjera parlamentare që të sigurojnë që të qëndrojnë në sallë kur votohet për president, kjo është problemi. Siç e dini herën e kaluar vendi shkoj në zgjedhje sepse opozita e bojkotoi votimin për president”, tha Murati.

I pyetur se pse nuk është në rend të ditës sot në mbledhjen e qeverise si pikë projektligjit për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, Murati tha se të gjitha projektligjet duhet të shqyrtohen para se të procedohen.

Muarti: Si të gjitha projektligjet tjera duhet kohë për ta shqyrtuar e trajtuar

“Si të gjitha projektligjet tjera duhet kohë për ta shqyrtuar e trajtuar. Janë ministritë e linjës që e shqyrtojnë, japin opinion dhe pastaj procedohet”, tha Murati.

Në një aktgjykim të 23 shtatorit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës sqaroi se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, nga dita kur u konstituua Kuvendi, dhe përfundon më 6 tetor.

Qeveria miraton marrëveshjet IPA, mbi 270 milionë euro financim për Kosovën

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjet për ratifikimin e marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian për programet IPA 2021, IPA 2022 dhe Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.

Në mbledhjen e Qeverisë është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Amendamentit Nr. 1 të Marrëveshjes Financiare mes Kosovës dhe BE-së për Programin IPA 2021.

Kryeministri Albin Kurti tha se ndryshimi i marrëveshjes mundëson vazhdimin e procedurave për kontraktimin dhe shfrytëzimin e 22.2 milionë eurove.

“Amandamenti i marrëveshjes financiare për programin IPA 2021 krijon kushte më të përshtatshme për realizimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian. Zgjatja e periudhës së zbatimit e mundëson vijimin e procedurave për kontraktimin dhe shfrytëzimin e fondeve në vlerë prej 22.2 milionë eurosh. Me ratifikimin e këtij amandamenti krijojmë bazën e nevojshme që kjo mbështetje financiare të shfrytëzohet për qëllimet e përcaktuara dhe të sjellë përfitime konkrete për qytetarët”, tha Kurti.

Në të njëjtën mbledhje u miratua edhe Projektligji për ratifikimin e Amendamentit Nr. 1 të Marrëveshjes Financiare mes Kosovës dhe BE-së për Programin IPA 2022.

Sipas Kurtit, amendamenti krijon mundësi për kontraktimin dhe shfrytëzimin e 55.7 milionë eurove të mbështetjes financiare të BE-së.

“Me amandamentin për programin IPA 2022 krijojmë kushtet për kontraktimin dhe shfrytëzimin e fondeve në vlerë prej 55.7 milionë eurosh të mbështetjes së Bashkimit Evropian. Zgjatja e afateve u mundëson institucioneve të përmbushin procedurat e nevojshme dhe të vijojnë me realizimin e projekteve të planifikuara, me synim që të njëjtat të shfrytëzohen plotësisht dhe të kthehen në investime që u shërbejnë nevojave të vendit dhe qytetarëve”, tha Kurti.

Qeveria miratoi gjithashtu Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.

Ky program parasheh projekte me vlerë të përgjithshme prej 193 milionë e 856 mijë eurosh.

“Programi shumëvjeçar IPA 2026-2027 mbështet realizimin e projekteve në vlerë të përgjithshme prej 193 milionë e 856 mijë eurosh. Kjo paketë përfshin rreth 180.5 milionë euro nga Bashkimi Evropian, 9 milionë euro bashkëfinancim nga qeveria, 1.8 milion euro nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe 2.5 milionë euro nga partnerët e tjerë zhvillimorë. Ratifikimi i marrëveshjes financiare i hap rrugë fillimit të zbatimit të programit. Institucionet përgjegjëse duhet të përqendrohen në përgatitjen dhe realizimin e projekteve që ky financim të shfrytëzohet plotësisht sipas prioriteteve të përcaktuara”, tha Kurti.

Kurti: Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj represionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se deklarata e miratuar me 99 vota për në Kuvendin e Republikës rreth Aktgjykimit është hapi i parë i përbashkët, që, më shumë sesa krijon efekt juridik, është shprehje e vullnetit të popullit nëpërmjet të zgjedhurve të tij.

“Andaj, mirëpres dhe përshëndes këtë hap fillestar të kësaj thirrjeje për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet subjekteve politike parlamentare për këtë çështje të interesit shtetëror, duke bashkërenduar me kujdes veprimet me ekipet mbrojtëse, sikurse edhe me ekspertë të fushës, ashtu që të mos gjendemi në situata ku vendimet tona do të mund të përdoren si rëndesë apo dëm në dëm të katërshes Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi. Si kryeministër i Republikës së Kosovës, do të bëjmë gjithçka dimë e mundemi, bashkë me kolegët nga Qeveria dhe jo vetëm, për korrigjimin e këtij aktgjykimi kur të vijë apeli dhe drejtësia”, tha Kurti.

Ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave, dëbimeve masive, spastrimit etnik e gjenocidit nga Serbia dhe ajo ishte bartëse e luftës së drejtë për liri dhe çlirim.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili përcaktoi një normë të re kushtetuese lidhur me rrjedhën e afatit për zgjedhjen e presidentit ose presidentes, na vë përpara një situate urgjente për veprim”, tha Kurti.

Kurti kërkon marrëveshje për presidentin: Le të ulemi bashkë - zgjedhjet janë të panevojshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për një marrëveshje të re politike për zgjedhjen e presidentit, duke thënë se vendi ndodhet përpara një situate urgjente pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor 2026.

Në mbledhjen e qeverisë, Kurti tha se marrëveshja e mëparshme me LDK-në është shkelur dhe se gjashtë deputetë të kësaj partie nuk e kanë mbështetur atë.

“Aktgjykimi i Kushtetueses i cili prodhoi një normë të re lidhur me rrjedhjen e afatave për zgjedhjen e presidentit na vë përpara një situate urgjente për veprim. Ne kemi një marrëveshje me LDK-në, por e dimë që ajo u shkel dhe u braktis nga gjashtë deputetë të saj, përkundër që ajo e kishte bekimin e kryesisë së partisë së tyre”.

Ai theksoi se kanë mbetur edhe gjashtë ditë për arritjen e një marrëveshjeje dhe zgjedhjen e presidentit.

“Para nesh po sot kemi edhe 6 ditë të plota për t’i dhënë vendit president ose presidente të re. Përveç arritjes së një marrëveshjeje të re dhe zgjedhjes së presidentit, përveç së arritjes së një marrëveshje të re dhe zgjedhja e presidentit është e mundshme, rrjedhimisht zgjedhjet e reja të panevojshme me pasoja të rënda gjithsesi se janë të shmangshme, andaj le të ulemi bashkë”.

Kurti paralajmëroi se dështimi për zgjedhjen e presidentit do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas tij, nuk do ta zgjidhnin çështjen e presidentit dhe do të krijonin paqartësi institucionale.

“Zgjedhjet e reja, ndonëse do të shkaktoheshin si pasojë e dështimit për zgjedhjen e presidentit, sërish nuk do të ishin zgjedhje për president. Ato, përveçse pa Kuvend edhe një herë, këtë herë do të na linin edhe me paqartësi për ushtrimin e detyrës së presidentit. Ndërkaq qeveria do të mbetej në detyrë. Nuk kemi nevojë që të shkojmë pa numër herë në zgjedhje vetëm për të arritur në pikën e njëjtë. Vendit tonë më shumë se kurrë i duhet stabiliteti institucional”, deklaroi Kurti.

Kurti flet për aktgjykimin e Speciales: Do të bëjmë të pamundurën për korrigjimin në Apel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka thënë se aktgjykimi i Speciales në Hagë është i padrejtë.  Ai tha se deklarata në Kuvendin e Kosovës është hapi i parë dhe shpreh vullnetin e popullit.

Kurti tha se do të bëjnë të pamundurën për korrigjimin e këtij aktgjykimi në Apel.

Kurti, ka folur edhe për vizitën që ka zhvilluar në SHBA, në kuadër të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku tha se atje ka folur për personat e zhdukur, të drejtat në Luginën e Preshevës, ekonomi etj.

Ai në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka folur edhe për bashkimin e përfaqësuesve të subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të cilët kanë arritur marrëveshje për të garuar me një listë të përbashkët, “Koalicioni Shqiptar”, në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.

Kurti mbledh ministrat në Qeveri

Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

Mbledhja është paraparë të nisë në orën 10:00.

Ajo do të zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë.

Deri më tani, nuk është bërë e ditur se cilat do të jenë pikat e rendit të ditës për këtë mbledhje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat