Në fokus të takimit ishin forcimi i marrëdhënieve diplomatike, bashkëpunimi ekonomik dhe mundësitë e reja për investime ndërmjet Kosovës dhe Sulltanatit të Omanit.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim ambasadorin e posaçëm të Sulltanatit të Omanit me rang ministri, Shejh Abdulaziz bin Abdullah Al-Hinai.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), gjatë takimit është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Omanit, me theks të veçantë në thellimin e bashkëpunimit bilateral, zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe nxitjen e investimeve.
Konjufca ka vlerësuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e forcimit të dialogut politik dhe identifikimit të mundësive të reja për bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët.
Takimi synon të kontribuojë në avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve diplomatike dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Sulltanatit të Omanit.