Kurti takohet me kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, ja çfarë diskutuan në Budva

Aktuale

Kurti takohet me kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, ja çfarë diskutuan në Budva

Nga: A.M. Më: 22 tetor 2026 Në ora: 18:26
Friedrich Merz, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë me kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, në margjinat e Samitit XIII të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Budva të Malit të Zi.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti bëri të ditur se gjatë takimit ka pranuar urime nga kancelari Merz për mandatin e ri, ndërsa ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë në kuadër të integrimit evropian dhe zhvillimit ekonomik.

Kurti e cilësoi këtë takim si një mundësi për të diskutuar për Procesin e Berlinit, duke rikujtuar se Gjermania, me lansimin e kësaj nisme në vitin 2014, krijoi një platformë ku gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor trajtohen në mënyrë të barabartë dhe bashkëpunojnë për çështje me interes të përbashkët.

Ai përmendi edhe marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi, përfshirë lëvizjen me letërnjoftime dhe njohjen e diplomave, duke theksuar se Kosova i ka zbatuar të gjitha marrëveshjet e nënshkruara. Sipas Kurtit, zbatimi i tyre duhet të jetë përgjegjësi e të gjitha vendeve të rajonit, pasi, siç u shpreh ai, askush nuk duhet ta mbajë peng përparimin e Ballkanit Perëndimor.

Postim i plotë:

Sot, në Samitin XIII të Procesit të Berlinit, që rastis pas vendimit të Bundestagut që ushtarët gjermanë të qëndrojnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it, pata një bisedë me Kancelarin Friedrich Merz, nga i cili pranova urime për mandatin e ri.

Me lansimin e kësaj nisme më 2014, Gjermania krijoi një hapësirë ku gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor punojnë e trajtohen të barabarta.

Në këtë proces kemi nënshkruar marrëveshje për udhëtimin me letërnjoftim e për njohjen e diplomave, dhe i kemi zbatuar të gjitha. Të gjithë duhet të bëjnë të njëjtën gjë, sepse askush nuk mund ta mbajë peng rajonin.

Investimet direkte nga Gjermania në Kosovë janë rreth 1,5 miliardë euro, 62% e tyre vetëm në pesë vitet e fundit. Potenciali në industri, energji, transport, TIK dhe arsim profesional mbetet i madh, dhe javën e ardhshme Prishtina mirëpret Forumin e tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar.

Gjermania është pjesë e të ardhmes sonë evropiane. Faleminderit, Kancelar Merz!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat