​Kuvendi miratoi Rezolutën për vrasjen e grave dhe përgjegjësinë institucionale për parandalim

Aktuale

​Kuvendi miratoi Rezolutën për vrasjen e grave dhe përgjegjësinë institucionale për parandalim

Më: 26 tetor 2026 Në ora: 13:19 Përditësuar në ora: 17:39 më 26.10.2026
Kuvendi i Kosovës

Ngjarja në Vitomiricë, Gërvalla: Vetëm një burrë i lig ngre dorën ndaj një gruaje

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke kërkuar veprime konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe hetim të plotë të rrethanave që i paraprinë rastit.

Gërvalla, e cila është edhe koordinatore kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, ka thënë se kjo ngjarje e ka tronditur gjithë Kosovën dhe ka rikthyer në vëmendje përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e jetës.

“Vrasja e Arlindës e ka tronditur thellë Kosovën dhe disi ta vërteton shprehjen që veç një burrë i lig e ngre dorën dhe vret ose rrah një grua”, ka deklaruar Gërvalla nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.

Ajo u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe të gjithë atyre që janë prekur nga kjo humbje tragjike, duke theksuar se shprehjet e ngushëllimit nuk janë të mjaftueshme pa veprime konkrete.

“Ngushëllimet, sado të sinqerta, nuk mjaftojnë. Përgjegjësia jonë është të veprojmë, aq më tepër që vrasësi ende është në arrati”, ka thënë ministrja.

Gërvalla ka ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e masave për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave, duke theksuar se rastet kur një grua humb jetën pasi ka kërkuar ndihmë dhe mbrojtje kërkojnë shqyrtim të plotë të rrethanave paraprake.

Sipas saj, kjo nuk nënkupton paragjykimin e përgjegjësisë së askujt, por kërkon fakte, hetim dhe veprime konkrete.

“Krimi brutal i mbrëmshëm, vrasja e një tjetër gruaje na rikthen doemos te pyetja më thelbësore: a po bëjmë gjithçka që dhuna të parandalohet dhe jeta të mbrohet? Kur një grua humb jetën pasi ka kërkuar ndihmë dhe mbrojtje, ne kemi detyrimin të shqyrtojmë jo vetëm krimin që u krye, por edhe të gjitha rrethanat që i paraprin atij”.

“Vrasja e një gruaje është një krim i rëndë”, Haradinaj kërkon përgjegjësi

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që pas vrasjes së një nëne të mbajnë përgjegjësi jo vetëm kryesit e veprës, por edhe të gjitha hallkat institucionale që kanë dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre.

Haradinaj e ka cilësuar rastin si të rëndë dhe tronditës, duke theksuar nevojën për hetime profesionale për të identifikuar përgjegjësit, si dhe për reflektim moral e politik nga personat që kanë pasur përgjegjësi në këtë rast.

“Së pari, vrasja e një nëne është krim i rëndë. Edhe ky krim pra duhet me e marrë ndëshkimin ligjor kryesit e kësaj vepre, por edhe të gjithë ata që s’kanë qenë në nivel të detyrës duhet të mbajnë përgjegjësi. Çdo instancë që ka pasur përgjegjësi në këtë rast, duhet të mbajë përgjegjësi dhe t’i jepet përgjegjësia. Është një rast i rëndë, është një lajm shokues dhe duhet me na kthjellë të gjithëve si shoqëri, është një reflektim për ndërgjegjësim, po edhe për instancat e rendit e të ligjit, që kurrë më mos të na ndodhin krime kaq të rënda”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka theksuar se mekanizmat e rendit dhe të ligjit duhet të hetojnë funksionimin e brendshëm të institucioneve dhe rolin e secilit zyrtar të përfshirë në trajtimin e rastit.

“Po, çdo mekanizëm i rendit dhe i ligjit, policia i ka mekanizmat e vet që e heton funksionimin e vet të brendshëm, edhe rolin e secilit në këtë temë. Prokuroria i ka mekanizmat e vet, instancat e tjera i kanë. Unë mendoj që duhet ngriten hetimet e brendshmeve të këtyre mekanizmave, që të gjendet, pra, cilat hallka kanë dështuar? Kush ka dështuar me i kryer detyrat e veta? E njëkohësisht, edhe një përgjegjësi politike, për shkak të ndjenjës morale, duhet me u marrë përsipër”, është shprehur ai.

Haradinaj ka vlerësuar se dorëheqjet, të vetme, nuk janë të mjaftueshme për zgjidhjen e problemit, duke kërkuar që hetimet të përcaktojnë se ku kanë dështuar mekanizmat institucionalë.

“Po, e thashë, vetëm ky moral i dorëheqjeve nuk e zgjidh krejt problemin, por dikund po dështojnë mekanizmat e rendit dhe të ligjit. Hetimet profesionale janë të paanshme për me gjetur se cila hallkë nuk e ka kryer punën e vet, qoftë në marrëdhëniet me policinë, prokurorinë, hetuesit apo palët e tjera, duhet me u gjetur është Inspektoratit të Policisë apo mekanizmave të tjerë që mund ta hetojnë këtë. Po edhe një përgjegjësi politike është e nevojshme, për shkak se kjo vërtetë ka marr dimension të rëndë, pra kjo që ka ndodhur është shumë e rëndë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se personat që e ndiejnë përgjegjësinë morale dhe politike duhet të reflektojnë përmes veprimeve konkrete, duke përcjellë mesazhin se dështimet në raste të tilla nuk duhet të kalojnë pa pasoja.

“Pra, nuk po e them kush, por ata që e ndjejnë këtë përgjegjësi morale e politike, do ta ndihmonin, pra përmes një reflektimi, një ndërgjegjësimi, edhe do ta përcillnin një porosi që kjo nuk falet një lëshim, një mungesë serioziteti në një situatë të tillë nuk do të falet kurrë”, ka përfunduar Haradinaj.

Osmani: Vr’asja e grave nuk fillon me goditjen e fundit, por me kontrollin, kërcënimet dhe poshtërimin

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka thënë se dhuna ndaj grave nuk fillon në ditën kur një grua vritet, por shumë më herët, përmes kontrollit, kërcënimeve, fyerjeve dhe normalizimit të dhunës nga shoqëria.

Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës pas vrasjes së Arlinda Sylaj Zekajt, Osmani ka thënë se letra e lënë nga Arlinda duhet të shërbejë si një thirrje për reflektim për shoqërinë, duke theksuar se vrasja është vetëm akti i fundit i një procesi dhune që shpesh nis shumë më herët.

“Qytetarë të kësaj shoqërie e cila duhet të presë vrasjen e grave dhe letrën e Arlindës për ta kuptuar se diçka është thellësisht gabim me të. Letra e Arlindës duhet të shndërrohet në testament për këtë shoqëri, ajo na e dëshmon për të saktën herë radhazit se dhuna nuk fillon në ditën kur një grua vritet. Ajo fillon shumë më herët, fillon kur një burrë mendon se mund t’ia kontrollojë jetën një gruaje, kur refuzimin e saj e përjeton si fyerje, kur largimin e saj e sheh si sfidë ndaj autoritetit të vet. Kur bindet se ka të drejtë të vendosë për jetën e saj, kur e sheh që shteti nuk e merr në përgjegjësi kur ai përdor dhunë ndaj saj. Kur e sheh argëtimin e masës me shtypjen e tij ndaj saj, duartrokitjet e mendjeve primitive të cilat fajësojnë viktimën e asgjë burrin e dhunshëm e të shfrenuar. Dhuna ndaj grave asnjëherë nuk është vetëm ajo që ndodh në çastin e sulmit, është edhe ajo që e përgatit terrenin për të”, tha ajo.

Osmani ka paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e normalizimit të gjuhës së urrejtjes dhe të sulmeve ndaj grave, duke thënë se mungesa e reagimit shoqëror mund të krijojë një klimë ku agresori ndihet i lirë ta përshkallëzojë dhunën deri në vrasje.

“Vrasja është akti i fundit, ajo nuk fillon gjithmonë me një goditje, as me sëpatë, e as me plumb, fillon me një fjalë që të poshtëron, me një kërcënim që relativizohet, me një fyerje që duartrokitet dhe me një sulm publik që shndërrohet në argëtim për turmën. Kur gjuha e urrejtjes ndaj grave përsëritet pa pasoja, ajo pushon së perceptuari si alarm dhe fillon të trajtohet si diçka e zakonshme, kështu ndërtohet, pak nga pak, një klimë ku poshtërimi i gruas nuk shkakton më indinjatë, ku cenimi i dinjitetit të saj nuk konsiderohet më shkelje, dhe ku agresori mëson se mund të shkojë edhe më tej. Deri në vrasje. Dhe bëhet edhe më e rrezikshme kur kjo mendësi nuk has në kundërshtimin e prerë nga shoqëria, por justifikohet, relativizohet, fshihet pas dyerve të shtëpisë apo trajtohet si çështje private”, tha ajo.

Haxhiu: Duhet të hetohen veprimet dhe mosveprimet e institucioneve pas vrasjes së Arlindës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se fjalët e Arlinda Zekajt, e cila u vra dje teksa priste mbrojtjen e shtetit, “sot tingëllojnë si paralajmërim tragjik që nuk arritëm ta parandalonim”.

Ajo ka theksuar se vëmendja duhet të përqendrohet te mënyra se si institucionet e vlerësojnë rrezikun, shkëmbejnë informacionet dhe sigurojnë zbatimin e masave mbrojtëse.

Sipas Haxhiut, në rastin e Arlinda Zekajt duhet të hetohen veprimet dhe mosveprimet e secilit institucion të përfshirë.

“Për këtë arsye, mënyra se si vlerësohet rreziku, si shkëmbehen informacionet mes institucioneve dhe si ndiqet zbatimi i masave mbrojtëse duhet të jenë në qendër të vëmendjes sonë. Në rastin e Arlindës kërkojmë të hetohet veprimi apo mosveprimi i secilit institucion që ka qenë i përfshirë”, ka deklaruar ajo.

Deklaratat e Haxhiut vijnë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ndërsa janë shtuar kërkesat për llogaridhënie institucionale lidhur me rastin.

Hoxha: Arlinda sot s’mund të flasë, por letra e saj na akuzon të gjithëve që kemi përgjegjësi

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha tha se ndjen turp për shtetin që nuk mundi ta mbronte Arlinda Zekajn, gruan e cila u vra mizorisht mbrëmë, tre ditë pasi i kishte paralajmëruar institucionet për tragjedinë dhe kishte kërkuar mbrojtjen e shtetit.

Hoxha tha në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit se “sot nuk mjaftojnë as ngushëllimet”.

“Nuk mjafton dënimi i krimit. As fjalimet tona këtu nuk mjaftojnë. Duhet të ketë hetim, transparencë, përgjegjësi, për çdo neglizhencë dhe mosveprim institucional që ka kontribuuar në këtë tragjedi”, tha ajo.

Hoxha tha se “Arlinda sot nuk mund të flasë, por letra e saj flet shumë”.

“Frika e saj, shpresa e saj e fundit na akuzon të gjithëve që kemi përgjegjësi për ta mbrojtur jetën”, tha ajo.

Hoxha tha se “kjo ditë është pasqyra jonë”.

“Kjo ditë është pasqyra institucionale, por edhe morale”, tha ajo.

​Nagavci kërkon llogaridhënie për vrasjen e Arlinda Zekajt: Çfarë ndodhi me letrën e saj?

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar drejtësi, përgjegjësi dhe llogaridhënie institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Ajo ka ngritur pyetje për veprimet e institucioneve pas kërkesës së Zekajt për ndihmë dhe paralajmërimeve të saj për rrezikun ndaj jetës, raporton KosovaPress.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të thirrur për këtë rast, Nagavci tha se Zekaj i ishte drejtuar me një letër urgjente Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar veprime të menjëhershme.

Nagavci kërkon drejtësi dhe llogaridhënie institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt

“Është një tragjedi që kërkon drejtësi, përgjegjësi dhe llogaridhënie institucionale. Sot nuk jemi këtu vetëm për të dënuar një krim të rëndë, jemi këtu për të kërkuar përgjigje nga institucionet që kanë pasur përgjegjësi ligjore të veproj për mbrojtjen e saj. Ajo kishte kërkuar ndihmë, kishte paralajmëruar, e kishte besuar se institucionet e Kosovës do ta dëgjonin dhe do vepronin. Ajo ishte drejtuar me një letër urgjente Prokurorisë Themelore në Pejë duke kërkuar veprime të menjëhershme”, tha Nagavci.

Duke cituar një pjesë të letrës, Nagavci tha se Zekaj kishte paralajmëruar mundësinë që institucionet të jepnin llogari vetëm pasi asaj t’i merrej jeta.

Shefja e deputetëve të LVV-së kërkoi përgjigje se kush e kishte shqyrtuar letrën, çfarë veprimesh kishte ndërmarrë prokuroria dhe nëse ishte ekzekutuar urdhri gjyqësor i përmendur në të. Ajo theksoi se prokuroria duhet të veprojë me urgjencë kur ekzistojnë paralajmërime konkrete për rrezikun ndaj jetës.

Nagavci kërkon përgjigje se çfarë veprimesh kishte ndërmarrë prokuroria

“Në fund të asaj letre gjendet një fjali që sot na rëndon në ndërgjegjen e secilit prej nesh, veçanërisht atyre që kanë përgjegjësi zbatimin e ligjit. Ajo shkruante “uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse, të detyroheni të jepni llogari, vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, sa e dhimbshme dhe tronditëse është që sot po diskutojmë pikërisht për atë që ajo kishte paralajmëruar. Çfarë ndodhi me letrën e saj, kush e shqyrtoj, çfarë veprimesh ndërmori Prokuroria, a u vlerësua seriozisht rreziku që ajo kishte paralajmëruar, a u ekzekutua urdhri gjyqësorë që ajo e përmendte dhe nëse jo kush ishte përgjegjës për mos zbatimin e tij. Prokuroria nuk mund të jetë vetëm institucion që vepron pasi krimi të ketë ndodhur, ajo ka përgjegjësi të veproj me urgjencë kur ekzistojnë paralajmërime konkrete për rrezikun ndaj jetës”, tha Nagavci.

Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar për vrasjen është kunati i saj.

Sipas informacioneve fillestare, ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë dhe dyshohet se viktima është vrarë me sëpatë.

​Një minutë heshtjeje në Kuvend për Arlinda Zekajn, nis seanca e jashtëzakonshme pas vrasjes së saj

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme pas vrasjes së mbrëmshme të Arlinda Zekajt, në Pejë.

Në fillim të seancës, deputetët mbajtën një minutë heshtjeje në nderim të saj dhe të të gjitha viktimave të dhunës.

Seanca është thirrur për të trajtuar rastin dhe çështjen e përgjegjësisë institucionale, me fokus te reagimi i mekanizmave përgjegjës dhe nevoja për masa konkrete për parandalimin e rasteve të ngjashme.

Nis grumbullimi i deputetëve për seancën e jashtëzakonshme

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli dhe ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, bashkëbisedojnë para fillimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës kishte paraparë që seanca e jashtëzakonshme plenare të fillonte në orën 16:00, pas vrasjes së fundit në Vitomiricë të Pejës.

Në seancë pritej të diskutohej për rastet e tjera të vrasjes së grave, dhunën në familje ndaj grave dhe fëmijëve, përgjegjësinë institucionale, parandalimin e dhunës në baza gjinore dhe mbrojtjen e jetës së grave.

Vrasja në Pejë, Kuvendi i Kosovës mban sot seancë të jashtëzakonshme plenare

Kuvendi i Kosovës do të mbajë këtë të hënë një seancë të jashtëzakonshme plenare. Seanca mësohet se do të mbahet në orën 15:00, ku në fokus do të jetë vrasja e një gruaje e cila u regjistrua mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë të Pejës. Gjithashtu do të diskutohet edhe përgjegjësia institucionale për këtë rast pasi ka patur raportime se viktima 2 orë para ngjarjes kishte njoftuar autoritetet për dhunë në familje.

I dyshuari për vrasjen është kunati i viktimës, i cili, ndodhet ende në arrati. Sipas të dhënave fillestare, ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë, ndërsa dyshohet se viktima është vrarë me sëpatë.

Gjithashtu është raportuar se viktima, tre ditë para vrasjes përmes një letre i është drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë së Pejës, përmes së cilës ka shprehur pakënaqësinë me zyrtarët të cilët po trajnonin rastin e saj.

Ajo gjithashtu ishte ankuar për praninë e familjarëve të ish-bashkëshortit në shtëpinë ku ajo pretendonte se po i pengohej kthimi. Ajo kishte kërkuar ndërhyrjen e Policisë, duke ngritur shqetësime edhe për moszbatimin e një vendimi gjyqësor lidhur me përkujdesjen ndaj fëmijës së saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat