Debate në Kuvend për pagën e 13-të, miratohen rishikimi i buxhetit dhe Byroja e Konfiskimit të Pasurisë

Aktuale

Debate në Kuvend për pagën e 13-të, miratohen rishikimi i buxhetit dhe Byroja e Konfiskimit të Pasurisë

Më: 29 tetor 2026 Në ora: 08:29 Përditësuar në ora: 11:35 më 29.10.2026
Kuvendi i Kosovës

Rrustemi: Sulmet e Serbisë pas vendimit në Hagë duhet ta marrin përgjigjen e duhur nga Republika e Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se nisja e punës së grupit punues për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë dëshmon se Kosova duhet të angazhohet për proceset që, sipas tij, rrezikojnë ta tjetërsojnë historinë e çlirimit të vendit.

Duke folur në seancën e Kuvendit të Kosovës, Rrustemi ka thënë se do të marrin pjesë në këtë angazhim me bindjen se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri dhe se përgjegjësia penale duhet të përcaktohet mbi bazën e provave individuale.

“Ne do të jemi pjesë e këtij angazhimi me bindjen që e kemi mbrojtur vazhdimisht, UÇK-ja nuk ka nevojë për rehabilitim historik. Lufta e saj ishte luftë për liri. Drejtësia ka për detyrë t’i gjykojë individët sipas provave, pa e shndërruar historinë e çlirimit në objekt të një fajësie kolektive”, ka deklaruar Rrustemi.

Ai ka përmendur edhe përgjegjësinë e Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës, duke kërkuar që, sipas tij, veprimet e saj pas vendimit të Gjykatës Speciale të marrin përgjigjen e duhur nga institucionet e Kosovës.

“Kemi para vetes betejë komplekse, na nevojitet bashkërendim, bashkëpunim, bashkëveprim – sot më shumë se kurrë”, ka thënë ai.

Grupi punues për hartimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara ka mbajtur mbledhjen konstituive të martën.

Qeveria e Kosovës e kishte formuar këtë grup më 14 tetor, me qëllim të hartimit dhe bashkërendimit të strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit në rastin e katër ish-krerëve të UÇK-së.

Më 16 shtator, në shkallën e parë, Dhomat e Specializuara dënuan Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.

Hoxha: Kosova ta mbrojë të vërtetën e luftës çlirimtare përmes diplomacisë kulturore dhe publike

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka kërkuar që Kosova të ndërtojë një strategji të diplomacisë kulturore, publike dhe historike, përmes së cilës do ta shpjegonte para botës kontekstin e luftës çlirimtare dhe rrugën drejt lirisë e pavarësisë.

Në fjalimin e saj në Kuvend, Hoxha tha se krahas mbështetjes juridike, politike dhe financiare për procesin e apelit në Dhomat e Specializuara, nevojitet edhe angazhim i organizuar diplomatik e kulturor.

“Kosova ka nevojë për një strategji të diplomacisë kulturore, publike dhe historike që e shpjegon luftën çlirimtare në kontekstin e saj të plotë, mbron dinjitetin e luftës për liri dhe njëkohësisht respekton drejtësinë, të drejtat e viktimave dhe pavarësinë e procesit gjyqësor”, deklaroi Hoxha.

Sipas saj, kjo strategji duhet të shkojë përtej reagimit ndaj një aktgjykimi dhe të shndërrohet në investim afatgjatë për prezantimin ndërkombëtar të historisë, identitetit dhe përvojës së Kosovës.

Hoxha kritikoi qasjen e deritanishme institucionale, duke vlerësuar se ajo ka qenë kryesisht reaktive. Ajo tha se gjatë gjashtë viteve të procesit në Hagë kanë qenë të pakta aktivitetet kulturore të prezantuara jashtë vendit që trajtojnë të vërtetën historike të Kosovës.

Në këtë kontekst, ajo ngriti shqetësimin për investimet e Serbisë në prodhime filmike dhe aktivitete diplomatike që, sipas saj, deformojnë historinë e luftës në Kosovë.

“Kosova duhet të kthejë kokën kah vetja, të mundësojë më shumë aktivitete kreative cilësore që shpalosin historinë tonë në mënyra bashkëkohore të komunikimit artistik”, theksoi ajo.

Deputetja e PDK-së kërkoi sigurimin e materialeve fotografike të luftës nga fotografët vendorë dhe agjencitë e huaja, si dhe rritjen e fondeve për hulumtime shkencore e botime akademike për historinë e re të Kosovës.

Sipas saj, angazhimi duhet të mbështetet në diplomacinë historike, kulturore, akademike, mediatike dhe qytetare, duke përfshirë diasporën dhe aleatët.

Hoxha kërkoi gjithashtu vendosjen e atasheve kulturorë në ambasadat e Kosovës dhe hartimin e Strategjisë së Kulturës. Ajo kritikoi mungesën e rezultateve në këto drejtime, pavarësisht marrëveshjes ndërmjet ministrive përkatëse në vitin 2020 dhe miratimit të koncept dokumentit për art e kulturë në vitin 2022.

Në përfundim, ajo bëri thirrje që Strategjia Shtetërore për Dhomat e Specializuara të përfshijë edhe aktivitete paralele diplomatike e kulturore, të cilat ndihmojnë kuptimin ndërkombëtar të luftës së Kosovës.

“Ju ftoj që në kuadër të Strategjisë Shtetërore për Dhomat e Specializuara të zgjerohet domeni i saj me aktivitete paralele shtesë që nuk e prekin apelin drejtpërdrejt, por krijojnë kontekst për partnerët tanë ndërkombëtarë ta kuptojnë në thelb kontekstin e luftës sonë për liri”, tha Hoxha.

Reshitja: Çfarë sigurie e ndjen një grua që kërkon ndihmë nga shtetit kur merr përgjigje ‘‘s’jam i obliguar me u marrë me ty’’

Albena Reshitaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në seancën e sotme në Kuvend, ka folur për rastin tragjik të vrasjes së Arlinda Zekajt.

Reshitaj ka shtuar pyetjen se ‘’sot se çfarë sigurie mund të ndjejë një grua që kërkon ndihmë nga shtetit nëse përgjigja që merr është se ‘askush nuk është i obliguar të merret me të’’.

‘’ Vrasja e Arlindës na ka tronditur, por ajo që po dëgjojmë këto ditë e bënë edhe më të rëndë edhe më të trisht. Po publikohen audio-incizime ku Arlinda dëgjohet duke iu lutur për ndihmë zyrtarëve policorë, ndërsa njëri prej tyre përgjigjet ‘’nuk jam i obliguar me u marrë me ty’’. Po ashtu është raportuar se tri ditë para vrasjes kur Arlinda kishte thirrur policinë, zyrtarë ishin vonuar 70 minuta sepse nuk kishin pas veturë zyrtare në dispozicion. Unë pyes sot se çfarë sigurie mund të ndjejë një grua që kërkon ndihmë nga shtetit nëse përgjigja që merr është se ‘askush nuk është i obliguar të merret me të’’.

Dhe fatkeqësisht kjo nuk është hera e parë që përballemi me të. Vetëm në 10 muajt e fundit i kemi 8 vrasje. A po arrijnë institucionet tona ti mbrojnë qytetarët, kur ata kanë më së shumti nevojë. Sot qeveria po paralajmëron masa të reja për mbrojtën e grave. Mirëpo si prisni që qytetarë të iu besojnë se këto masa do të zbatohen vërtetë, kur ende nuk kemi përgjigje të qarta për përgjegjësinë institucionale të rasteve të mëparshme’’, ka thënë ajo.

Musliu kërkon përgjegjësi për vrasjen e Arlindës, PDK paraqet tri kërkesa për mbrojtjen e grave

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kërkuar llogaridhënie institucionale dhe tri veprime urgjente për mbrojtjen e grave nga dhuna, gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit.

Duke folur për vrasjen e Arlindës, Musliu tha se ky rast është dëshmi e dështimit të sistemit për të mbrojtur jetën e grave.

“Vrasja e Arlindës nuk është thjesht një tragjedi familjare. Ajo është dëshmia më e dhunshme e dështimit të sistemit tonë”, deklaroi ajo.

Musliu bëri të ditur se të martën kishte kërkuar që drejtori i Policisë të ftohej për raportim në Komisionin për Siguri lidhur me rastin, por, sipas saj, anëtarët e Vetëvendosjes kishin votuar kundër.

“Nëse nuk kërkojmë llogari kur një grua humb jetën, atëherë kur duhet ta kërkojmë?”, pyeti ajo, duke theksuar se raportimi shërben për transparencë dhe përgjegjësi, pa paragjykuar fajësinë e askujt.

Në emër të PDK-së, Musliu kërkoi rishikimin urgjent të rasteve me rrezik të lartë dhe koordinimin e menjëhershëm ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe shërbimeve sociale për identifikimin dhe mbrojtjen e grave të rrezikuara.

“Urdhri i mbrojtjes duhet të jetë siguri në praktikë, jo thjesht një dokument i vdekur në letër”, theksoi ajo.

Kërkesa tjetër e PDK-së, sipas Musliut, është specializimi dhe forcimi i llogaridhënies institucionale.

Ajo kërkoi krijimin e skuadrave të specializuara brenda Policisë për vlerësimin e rrezikut në rastet e dhunës në familje, si dhe shkarkim të menjëhershëm e ndjekje penale për çdo zyrtar shtetëror që neglizhon sinjalet e dhunës, përfshirë policët, prokurorët, gjyqtarët dhe punëtorët socialë.

“Neglizhenca përballë dhunës nuk është gabim procedure, është bashkëfajësi në krim”, u shpreh Musliu.

Në kuadër të kërkesës për reformë ligjore dhe buxhetore, deputetja kërkoi rishikimin e dënimeve për vrasjet me motive të ulëta gjinore dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm për strehimoret.

“Një grua që largohet nga dhuna nuk duhet të detyrohet të zgjedhë ndërmjet sigurisë dhe mbijetesës ekonomike”, deklaroi ajo.

Musliu theksoi se këto kërkesa përbëjnë detyrime kushtetuese ndaj qytetarëve. Ajo njoftoi se PDK-ja do ta përsërisë kërkesën për raportim të drejtorit të Policisë dhe do të insistojë që çështja të ndiqet institucionalisht, me afate dhe rezultate të verifikueshme.

Deputetja kërkoi gjithashtu luftimin e paragjykimeve që relativizojnë dhunën dhe të mentaliteteve që ushqejnë ndjenjën e pronësisë mbi gruan, duke bërë thirrje për angazhim të përbashkët të burrave dhe grave kundër dhunës.

“Ndryshimi i vërtetë nuk matet me numrin e fjalimeve patetike që mbajmë në këtë foltore, as me inate partiake, por me jetët që arrijmë të mbrojmë në terren. Fjalët nuk shpëtojnë jetë, veprimet po”, përfundoi Musliu.

Në fund të muajit sensibilizues për kancerin e gjirit, secili deputet në Kuvend me nga një shallë rozë

Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Në seancën e fundit të këtij muaji të Kuvendit të Kosovës, karriget në Kuvend janë mbuluar me shalla rozë për secilin/en deputetë.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka nisur seancën duke bërë thirrje për kontrolle të rregullta nga gratë për të zbuluar herët kancerin e gjirit.

Sot seancë në Kuvend, Byroja e Konfiskimit dhe buxheti për vitin 2026 në rend dite

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare, ku pritet të shqyrtohen në lexim të dytë ndryshimet buxhetore për vitin 2026 dhe Projektligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun të Kuvendit, seanca do të nisë në orën 10:00.

Në rendin e ditës është shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.

Deputetët pritet të shqyrtojnë në lexim të dytë edhe Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Një tjetër pikë e rendit të ditës është votimi i propozimit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve të saj në komisionet parlamentare.

Seanca e sotme do të nisë me miratimin e procesverbaleve nga mbledhjet e mëparshme, ndërsa më pas janë paraparë deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

Shqyrtimi i dy projektligjeve dhe votimi i propozimit të Listës Serbe janë ndër çështjet kryesore që pritet të trajtohen gjatë seancës së sotme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat