Debate në Kuvend për pagën e 13-të, miratohen rishikimi i buxhetit dhe Byroja e Konfiskimit të Pasurisë

Aktuale

Debate në Kuvend për pagën e 13-të, miratohen rishikimi i buxhetit dhe Byroja e Konfiskimit të Pasurisë

Më: 29 tetor 2026 Në ora: 08:29 Përditësuar në ora: 14:49 më 29.10.2026
Kuvendi i Kosovës

​Kuvendi themelon komisionin hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt

Kuvendi i Kosovës ka themeluar me 90 vota për Komisionin Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, si dhe për trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.

Komisioni do t’i ketë 11 anëtarë dhe mandat deri në gjashtë muaj. Kryetar i tij është zgjedhur Burim Ramadani nga Aleanca, ndërsa zëvendëskryetar Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Nga LVV-ja, pjesë e komisionit do të jenë edhe Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të përfaqësohet nga Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nga Doarsa Kica-Xhelili. Në komision do të jenë edhe Jovana Radosavljeviqi dhe Emilija Rexhepi, si përfaqësuese të komuniteteve.

Para votimit për themelimin e komisionit, deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka kërkuar që në objektin e hetimit të përfshihen edhe Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucione të tjera relevante.

Ismaili: Duhet të zgjerohet objekti i hetimit të komisionit

“Mendoj se dy-tri institucione duhet të shtohen. Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucione të tjera qeveritare që janë relevante në angazhimin tonë si komision”, ka deklaruar Ismaili.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se e mbështet themelimin e komisionit dhe se është e gatshme të bashkëpunojë me deputetët për të ndihmuar në zbardhjen e fakteve.

Gërvalla: Jam në dispozicion të komisionit hetimor

“Themelimi i këtij komisioni është një veprim i cili mbështetet fuqishëm nga ana ime si koordinatore dhe nga zyra që e udhëheq. Absolutisht nuk dua që të ketë dilemë asnjë deputet, jo vetëm për gatishmërinë, por këtë e kam theksuar edhe në fjalën time se do të jem plotësisht në disponimin tuaj për të dhënë përgjigjet e kërkuara dhe për të ndihmuar në zbardhjen e të gjitha fakteve që i posedoj”, ka thënë Gërvalla.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj, vetëm tri ditë pasi u kishte dërguar letër institucioneve përgjegjëse, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

Kalon Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në votimin e zhvilluar në Kuvend, 66 deputetë votuan për projektligjin, asnjë kundër, ndërsa shtatë deputetë abstenuan.

Mbështetje për projektligjin dhanë deputetët e Aleancës, ndërsa deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) abstenuan.

Ndërkaq, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk morën pjesë në votim, me përjashtim të deputetit Rrustem Mustafa, i cili votoi pro projektligjit.

Vetëm një amendament i PDK-së kalon për Projektligjin për Byronë

Partia Demokratike e Kosovës sot ka propozuar 24 amendamente për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, por vetëm një ka marrë mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se amendamentet janë hartuar me qëllim të përmirësimit të projektligjit, në mënyrë që ai të jetë në përputhje me kërkesat e Gjykatës Kushtetuese dhe të garantojë siguri juridike për personat që mund të jenë subjekt i hetimit nga kjo Byro.

Gruda: Amendamentet do ta bënin ligjin kushtetues dhe të dobishëm

“Amendamentet tregojnë vullnetin e PDK-së për ta përmirësuar këtë ligj dhe për ta votuar ashtu siç ka kërkuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës, si dhe për të garantuar sigurinë juridike të të gjithë atyre që mund të jenë subjekt hetimi të kësaj Byroje. Këto amendamente do ta bënin ligjin kushtetues dhe të dobishëm për qëllimin për të cilin është hartuar”, ka deklaruar Gruda.

​Rrezikon të përdoret për shantazh politik, Kica-Xhelili kundërshton Projektligjin për Byronë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka shprehur sot kritika në seancën e Kuvendit ndaj Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, gjatë shqyrtimit të dytë të tij në Kuvend.

Sipas Kica-Xhelilit, Byroja në formën aktuale të projektligjit nuk përfaqëson mekanizmin që ishte prezantuar si mjet për të luftuar pasurinë e pajustifikueshme të personave që, sipas saj, kanë përfituar miliona euro në mënyrë të kundërligjshme nga shteti.

Kica-Xhelili: Byroja rrezikon të përdoret për shantazh politik

“Dua ta dini se nesër, kur të zbatohet ky projektligj, nuk do të zbatohet premtimi që thuhet këtu, por do të zbatohet teksti i ligjit që do të kalojë sot. Sot kjo Byro nuk është ai institucion që u referohej si mekanizëm që do t’i luftonte peshqit e mëdhenj për shumat milionëshe që i kishin marrë në mënyrë të kundërligjshme nga shteti i Kosovës. Sot ka një Byro që ka dy rreziqe madhore. E para, do të përdoret si shantazh politik, dhe e dyta, do të pengojë ndjekjen penale të atyre që kanë vjedhur”, deklaroi Kica-Xhelili.

Kuvendi miraton rishikimin e buxhetit për vitin 2026

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për rishikimin e buxhetit për vitin 2026.

Për miratimin e ligjit votuan 62 deputetë nga mazhoranca. Projektligji përfshinte shtatë amendamente, por vetëm dy prej tyre morën mbështetje.

Ndërkaq, kritika ndaj ndryshimeve ligjore adresuan partitë e opozitës, PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca.

​Opozita kundërshton rishikimin e buxhetit, thotë se po bëhet për të mbuluar shpenzimet e pagës së 13-të

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe Aleanca, kanë shprehur kundërshtimin ndaj shqyrtimit të dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2026.

Në seancën e sotme të Kuvendit, përfaqësuesit e këtyre partive kanë kritikuar rishikimin e buxhetit, duke pretenduar se qëllimi i tij është mbulimi i shpenzimeve prej 122 milionë eurosh, të cilat, sipas tyre, lidhen me vendimin e Qeverisë për pagesën e pagës së 13-të në mars të këtij viti.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka deklaruar se rishikimi i propozuar nuk përmban ndryshime thelbësore që do t'u përgjigjeshin nevojave të komunave dhe organizatave të tjera buxhetore, raporton KosovaPress.

Lushtaku: Rishikimi i buxhetit nuk përmban ndryshime përmbajtësore

“Jemi shqetësuar se nuk ka një ndryshim përmbajtësor ku e akomodon buxhetin, apo ndryshimet që kanë nevojë komunat e Kosovës, por edhe organizatat e tjera buxhetore që kanë ngelur pa investuar në projekte”, ka thënë Lushtaku.

Kundër rishikimit të buxhetit është shprehur edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. Ai ka pretenduar se përmes këtij projektligji synohet të mbulohet një vendim i Qeverisë, të cilin e ka cilësuar si të paligjshëm.

Hoti: Po kërkohet të ndryshohet ligji për të mbuluar shpenzimet prej 122 milionë eurosh

“Ky rishikim ka qëllim mbulimin e vendimit joligjor të Qeverisë për shpenzime prej 122 milionë eurosh prej muajit të parë të këtij viti. Ky është qëllimi i rishikimit të këtij buxheti. Ju e keni shkelur ligjin dhe tani po kërkohet të amendamentohet ligji në mënyrë që të akomodohet ajo shkelje. Ky ligj ka dy probleme. E para, në aspektin procedural është gabim dhe ka probleme përmbajtësore”, ka deklaruar Hoti.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka ngritur shqetësimin për ndikimin që, sipas saj, rishikimi i buxhetit ka pasur në financat e komunave të Kosovës.

Haxhiu: Komunat janë dëmtuar me 10 milionë euro

“Me këtë rishikim komunat e Kosovës janë dëmtuar në vlerën 10 milionë euro. Ku po shkojnë këto mjete”, ka pyetur Haxhiu

Paga e 13-të, Murati: Punëtorët e RTK-së nuk janë në listën e Thesarit

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës nuk përfitojnë nga vendimi për pagën e 13-të, pasi nuk janë pjesë e listës së pagave që ekzekutohet nga Thesari i shtetit.

Këtë përgjigje Murati e dha në seancëm e sotme të Kuvendit të Kosovës, pas pyetjes së deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, e cila kërkoi sqarime për mosrealizimin e pagës së 13-të për punëtorët e transmetuesit publik.

“Vendimi i marrë në qeveri parasheh pagën e 13-të për të gjithë punonjësit që marrin pagë nga buxheti i shtetit, pra që janë në llogarinë apo në listën e pagave që ekzekutohen nga Thesari. Në këtë rast punëtorët e RTK-së nuk janë pjesë e listës së pagave që ekzekutohen nga Thesari, sepse nuk janë organizatë buxhetore”, tha Murati.

Ai theksoi se RTK-ja është entitet i veçantë juridik dhe se financimi i transmetuesit publik rregullohet nga kuvendi.

“Çështja e buxhetit apo pagesave të punëtorëve të RTK-së i takon RTK-së. Pra, është entitet i veçantë juridik, nuk është pjesë e ndarjeve buxhetore apo pjesë si organizatë buxhetore në ligjin e buxhetit”, deklaroi ministri.

Sipas Muratit, në mungesë të një buxheti ose forme të përcaktuar financimi nga kuvendi, qeveria ka vazhduar ta subvencionojë RTK-në, ndërsa menaxhmentit të transmetuesit publik i takon të vendosë për ndarjen e mjeteve.

“Qeveria ndan shumën totale si subvencion, ndërkaq RTK-ja menaxhon dhe përcakton se cila pjesë apo sa prej asaj shume shkon në paga, sa prej asaj shume shkon në shpenzime të tjera operacionale dhe sa prej asaj shume shkon edhe në investime në pajisje”, tha Murati.

Musliu e kundërshtoi këtë arsyetim, duke thënë se punëtorët e RTK-së paguhen nga taksat e qytetarëve dhe duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë me punëtorët e tjerë të sektorit publik.

“Arsyetimi yt është i pavend, sepse edhe punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës paguhen prej taksave të qytetarëve të Republikës së Kosovës si të gjithë punëtorët e tjerë ose shërbyesit e tjerë civilë. Prandaj është e padrejtë që të thoni që ata paguhen me pare të tjera dhe jo me pare të buxhetit të shtetit”, tha Musliu.

Ajo shtoi se do të kërkojë llogari nga menaxhmenti i RTK-së lidhur me mosrealizimin e pagës së 13-të për punëtorët.

“Meqë jam pjesë e komisionit parlamentar që i trajton këto çështje, unë do të merrem edhe me menaxhmentin e Radiotelevizionit të Kosovës dhe do të kërkoj përgjegjësi dhe llogari prej tyre pse punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës diskriminohen nga paga e 13-të”, përfundoi Musliu.

Ministri Basha: Punimët në autostradën e Gjilanit kanë arritur në 80%!

Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka deklaruar se punimet në autostradën e Gjilanit kanë arritur në afro 80%.

Duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare të Hykmete Bajramit, Basha bëri të ditur se Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar me shkrim operatorët ekonomikë të katër loteve për shkëputjen e kontratave, për shkak të mosrealizimit të detyrimeve kontraktuale.

Sipas ministrit, arsyet kryesore për këtë vendim janë mospërmbushja e detyrimeve kontraktuale, mosrealizimi i punimeve sipas projektit dhe kushteve të terrenit, vonesat në ekzekutimin e punimeve, si dhe mungesa e laboratorit përkatës.

Basha prezantoi edhe shpenzimet e deritashme sipas loteve.

Sipas tij, shuma totale e mjeteve të shpenzuara deri më tani arrin në rreth 78.5 milionë euro.

Basha tha se, pas marrjes së detyrës, është angazhuar personalisht për adresimin e problemeve që lidhen me këtë projekt dhe se tashmë është përgatitur një dosje e plotë që do të shërbejë si bazë për hapat e mëtejmë.

Ai njoftoi se ministria do të angazhojë një kompani profesionale, e cila do të ketë për detyrë riprojektimin dhe përgatitjen e dokumentacionit të ri të tenderit, si dhe vlerësimin e saktësisë dhe cilësisë së punimeve të realizuara deri tani.

Megjithatë, ministri Basha nuk dha një datë të saktë mbi përfundimin e punimeve në këtë autostradë dhe lëshimin e saj për qarkullim.

Bajrami -Bashës: Po e kuptoj pse projektet s’kanë përfundu, i ke shpenzu 80 milionë euro e tash don me pa cilësinë e sasinë e punëve

Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar ministrin e Infrastrukturës, Dimal Bashën, lidhur me projektet e papërfunduara.

Bajrami, drejtuar Bashës, i ka thënë këtij të fundit e ministrinë që ai e drejton e ka marrë nga ministri i VV’së, e jo nga ai i LDK’së, PDK’së, apo Aleancës.

‘’Sinqerisht po e kuptoj se pse të gjitha rrugët, projektet e nisura edhe sot e kësaj dite janë pa përfunduar. I ke shpenzu 80 milionë euro, po thu që janë kry 82% e punëve, edhe po thu ‘’kam me kontraktu kompani ndërkombëtare për më e pa cilësinë dhe sasinë e punëve të kryera’’. Sa punëtorë i ki o ministër?

Ti nuk e ke marrë ministrinë as prej LDK’së, as prej PDK’së as prej Aleancës, e ke marrë prej ministrit të LVV’së. Qe gjashtë vjet jeni në qeverisje.  Po don me kontraktu kompani për më pa sasinë dhe cilësinë e punëve, dhe për me ta bo projektimin për pjesën e mbetur. Këto punë kryhen në fillim të projektit ministër. I ke pagu 82 milionë e tash don me kontrollu cilësinë. Më të vërtetë ky është dështim. Na kërkojmë përgjegjësi. Ma e mira kish me qenë me hap tenderë ndërkombëtar me e pru një qeveri ndoshta me i pru projektet në veti’’, ka thënë Bajrami.

Abrashi i LVV-së thotë “e mbështesim protestën”

Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi kërkoi hetim penal për përgjegjësit në rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra të dielën nga kunari i saj në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, ndërsa deri në fund paralajmëronte shtetin për këtë fund tragjik dhe kërkonte mbrojtje institucionale.

Abrashi tha në Kuvend se Lëvzija Vetëvendosje e mbështet protestën.

“E mbështesim protestën. Revolta qytetare e atyre që protestojnë aktivisht dhe në heshtje është e drejtë, e domosdoshme dhe udhërrëfyese”, tha Abrashi.

Ai u kërkoi kolegëve deputetë që “të mos dorëzohen”.

“Të mos heshtim të dashur kolegë, të mos dorëzohemi, të luftojmë derisa të ndryshojë kjo gjendje. E kemi secili për detyrë”, tha Abrashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat