Shefi i Asamblesë së Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, së bashku me deputetin e kësaj partie, Ilir Kërçeli, kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale një denoncim lidhur me kontratën 10-milionëshe për ndriçimin publik “Smart” në kryeqytet.
Pas dorëzimit të denoncimit, Sveçla ka deklaruar se dyshimet e tyre bazohen në dallimet e mëdha mes dy kontratave për ndriçimin publik, të nënshkruara në korrik të vitit 2024 dhe në prill të vitit 2025.
Sipas tij, krahasimi i çmimeve për pozicione dhe punë të njëjta ka ngritur dyshime serioze, të cilat, sipas tij, duhet të hetohen nga Prokuroria Speciale.
“Ka të bëjë me dorëzimin e një denoncimi pranë Prokurorisë Speciale, së bashku me Ilir Kërçelin. Ka të bëjë me kontratën për ndriçim publik, ‘Smart’, ku ne jemi të bindur se ka prova dhe fakte të mjaftueshme që bëhet fjalë për një kontratë abuzive, ku është dëmtuar buxheti i Komunës së Prishtinës”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka theksuar se dy kontratat janë nënshkruar në një periudhë relativisht të shkurtër kohore, por se dallimet në çmime për punët e njëjta kanë qenë aq të mëdha saqë kanë nxitur shqyrtimin më të detajuar të tyre.
“Ndryshimi për pozicionet e njëjta, për punën e njëjtë, është aq i madh saqë na ka bërë që këtë kontratë ta hetojmë më në thellësi dhe të gjeturat tona i kemi dorëzuar pranë Prokurorisë Speciale. Presim që Prokuroria ta zbardhë rastin”, ka thënë Sveçla.
Ndërkaq, deputeti Ilir Kërçeli ka paraqitur disa nga dallimet konkrete në çmime mes dy kontratave, duke kërkuar që organet e drejtësisë t’i hetojnë të dyja.
Sipas tij, disa pozicione që në kontratën e parë kushtonin 90 euro, në kontratën e re janë faturuar me nga 300 euro, ndërsa pozicione të tjera kanë kaluar nga 50 në 250 euro.
“Ka diferenca të mëdha të çmimeve në kontratën ‘Smart’, në krahasim me kontratën e parë të para nëntë muajve. Ka pozicione të cilat nga 90 euro pas nëntë muajve janë rritur në 300 euro, dhe pozicione të tjera nga 50 euro në 250 euro. Është shumë e rëndësishme që Prokuroria Speciale t’i hetojë këto dy kontrata”, ka deklaruar Kërçeli.
Ai ka ngritur gjithashtu dyshime se disa punime në shtyllat e ndriçimit publik në kryeqytet mund të jenë kryer nga kompania që kishte fituar kontratën e parë, ndërsa më pas, sipas tij, janë faturuar përmes kontratës së re, në vlerë prej 10 milionë eurosh.
Kërçeli ka thënë se në disa shtylla të ndriçimit ende shihen shenjat e kompanisë që kishte fituar tenderin e parë, duke kërkuar që Prokuroria të verifikojë nëse punimet janë faturuar në mënyrë të dyfishtë apo në kundërshtim me procedurat.
Të dy përfaqësuesit kanë kërkuar që Prokuroria Speciale t’i shqyrtojë materialet e dorëzuara dhe të hetojë të dyja kontratat, në mënyrë që të sqarohet nëse ka pasur keqpërdorime dhe dëmtim të buxhetit publik.
Deri më tani, bëhet fjalë për pretendime të Sveçlës dhe Kërçelit, të cilat mbeten për t’u verifikuar nga organet kompetente. Përgjegjësia eventuale do të përcaktohet nga institucionet e drejtësisë pas hetimeve.