Policia do t’i kthejë patentat, por një ndalim mbetet në fuqi – ja çfarë duhet të dinë shoferët

Aktuale

Policia do t’i kthejë patentat, por një ndalim mbetet në fuqi – ja çfarë duhet të dinë shoferët

Nga: A.M. Më: 3 nëntor 2026 Në ora: 11:21
Fotoilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se do të nisë kthimin e patentë-shoferëve të cilët janë marrë përkohësisht nga policia dhe për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes prej tetë ditësh.

Ky veprim vjen pas Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, P. A. nr. 29/2026, të datës 20 tetor 2026, të cilin Policia e ka pranuar më 2 nëntor. Me këtë aktgjykim është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 05/2023 për Procedurat e Kundërvajtjes.

Në njoftimin e saj, Policia sqaron se vendimi i Gjykatës Supreme nuk e ndryshon mundësinë e shqiptimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit dhe as nuk i shfuqizon masat e shqiptuara më parë. Ato vazhdojnë të mbeten në fuqi deri në përfundimin e afatit për të cilin janë caktuar, transmeton "Bota sot".

Ndryshimi ka të bëjë vetëm me mbajtjen fizike të patentë-shoferëve nga Policia, e cila, sipas nenit 244 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe vendimit të Gjykatës Supreme, nuk mund të zgjasë më shumë se tetë ditë.

Policia thekson se kthimi i patentë-shoferit nuk nënkupton se personi ka të drejtë të drejtojë automjetin gjatë kohës sa është në fuqi masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit.

Madje, drejtimi i automjetit gjatë kësaj periudhe përbën kundërvajtje, për të cilën parashihet gjobë prej 500 eurosh, ndalim i drejtimit të automjetit për gjashtë muaj, pesë pikë negative, si dhe konfiskim i përkohshëm i automjetit, në bazë të nenit 246 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Në fund, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në trafik dhe verifikimin e masave mbrojtëse, pikëve negative dhe kufizimeve të tjera ligjore, përmes evidencave përkatëse, me qëllim të garantimit të sigurisë rrugore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat