Kosova planifikon ndërtimin e pesë digave strategjike, Pacolli diskuton bashkëpunimin me Turqinë

Aktuale

Kosova planifikon ndërtimin e pesë digave strategjike, Pacolli diskuton bashkëpunimin me Turqinë

Nga: A.M. Më: 12 nëntor 2026 Në ora: 19:51
Fitore Pacolli, Ibrahim Yumakli

Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka zhvilluar një takim bilateral me ministrin e Bujqësisë dhe Pylltarisë së Turqisë, Ibrahim Yumakli, në kuadër të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), që po mbahet në Antalia të Turqisë, shkruan “Bota sot”.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fushën e burimeve ujore, infrastrukturës së digave dhe menaxhimit të lumenjve.

Ajo ka njoftuar se palët kanë diskutuar për një Memorandum Mirëkuptimi, i cili pritet të nënshkruhet për bashkëpunim teknik në këto fusha.

Postim i plotë:

Në kuadër të COP31 në Antalia, zhvillova takim bilateral me Ministrin e Bujqësisë dhe Pylltarisë së Turqisë, z. Ibrahim Yumakli.

Diskutuam për Memorandumin e Mirëkuptimit që do ta nënshkruajmë për bashkëpunim teknik në fushën e burimeve ujore, infrastrukturës së digave dhe menaxhimit të lumenjve.

Theksova se siguria ujore është një ndër prioritetet kryesore të Ministrisë sonë dhe se jemi duke planifikuar ndërtimin e pesë digave strategjike, ku përvoja dhe ekspertiza e Turqisë mund të jenë një mbështetje e rëndësishme teknike.

Turqia ka përvojë të gjatë në ndërtimin dhe menaxhimin e digave të mëdha, prandaj e shohim si një partner të çmuar në avancimin e projekteve tona dhe forcimin e sigurisë ujore në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat